KUNGUJT E RINJ TË POLITIKËS- OPINION NGA PLATOR NESTURI

KUNGUJT E RINJ TË POLITIKËS- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Hapja e siparit të punimeve të parlamentit të ri, - nëse mund të kujtohet për diçka që të mbetet në mendje, - nuk ishte as zgjedhja e kryetarit të kuvendit, as debati i përhershëm e i zvargur që bëhet si rëndom mbi programin qeverisës, as bizhutë, orët e fustanet e shtrenjtë që shpalosen nga të dyja anët e sallës. Me të gjitha këto jemi mësuar e as nuk bëjnë më përshtypje. “Stessa faccia, stessa razia” - thonë italianët.

"Yjet" shkëlqimtarë ishin deputetët e rinj, prurjet më të reja politike e që kanë marrë titullin "baballarë të kombit", në moshën 20-vjeçare. Goxha progres! Me pak përjashtime, kunguj, e plotësisht në lartësinë e kritereve që kanë frymëzuar hartuesit e listave për prurjet e reja. Në të gjitha kahet e në shpërndarje të plotë në të gjithë sallën. Por, në një pakicë numrash si asnjëherë tjetër, në 43 deputetë, dhe kur tashmë mungojnë një serë emrash të rëndësishëm që ishin shndërruar në imazh për të, tek Partia Demokratike, grupi i çiliminjve bëhet më i dallueshëm.

Berisha duhet të jetë ndier keq me këtë grup, të nisur për piknik parlamentar e jo për opozitë, e kjo duket se i ka dhembur shumë më tepër, edhe se votat që i dhuruan Ruçit. Ndaj dhe deklaratat e para të tij, - pas gjithë çka ndodhi në PD, humbja e rëndë e zgjedhjeve dhe debati i ashpër ndaj kryetarit Basha e gjithë gardës së vjetër së PD-së, për përgjegjësitë  sa i takon garës jo transparente për kryetar, ishin të mbushura me hidhësi. Një pezmatim për çka sheh në sallën e parlamentit, ku beteja opozitare duket pa bosht e pa ide. Në të gjitha rastet, ai sërish e ruan Bashën. Ndonëse e quan përgjegjës për humbjen, dhe që për listën e deputetëve duhej të kishte marrë miratimin e forumeve, ish-lideri i PD-së nuk pozicionohet kundër ish-delfinit të tij. Ajo çfarë duket se nuk duron Berisha, është cilësia e deputetëve të rinj që kanë zënë vendin e Patozit, Topallit, Imamit apo Bodes. Prezantimi i parë i tyre në parlament, dëshmoi se, më së shumti, janë mall skarco, e me këtë mall vetëm skarcitet do të prodhohet, kur dihet se Rama tashmë e ka temperuar politikën e strategjitë e tij, për të arritur objektivat që ka përcaktuar.

Nëse Ramës i falet që të përzgjedhë edhe kunguj për të performuar më mirë dhe dukshëm, gjithsesi, ai e ka të ngritur grupin e tij të ngushtë, me të cilët ka fituar disa beteja elektorale. Por për PD-në e cila shkon veç në regres rezultatesh, në gjithë këto vite, kultivimi në masë i kungullit mund ta çojë drejt një falimenti total, kur dhe çmimi i këtij varieteti ka rënë ndjeshëm. Të panjohur e pa kontribute, të pa sprovuar në politikë e veç të promovuar nga ndonjë biznes lokal apo babai që u rri nga pas, prej tyre nuk mund të presësh ndonjë kryevepër. Aq më pak opozitarizëm, ide, ballafaqime dhe rritje të besueshmërisë së opozitës në sytë e elektoratit.

Të gjitha këto, Berisha i di, por dhe nuk ka ç’të bëjë më. I mbetet veç të shohë me dhimbje, se si do të tallen e qeshin me ata që tashmë kanë fanellën e PD-së. Tashmë, kemi një tjetër parti e tjetër opozitë. Timonin e PD-së e ka tjetërkush dhe përgjegjësinë se ku do ta drejtojë e kë do të vendosë oficerë të tij. Më së shumti, Berisha mund të ndërhyjë që dikush nga stafi i vjetër i tij, të mundë të hipë në anije. Të tjerëve që mbeten në breg, do t’u tundë dorën, si një turist në pension, që bën xhiro në ish-pronën e vet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: