LSI, Luan Rama reagon për radarët: Trafikantët në punë, shteti fle gjumë

LSI, Luan Rama reagon për radarët: Trafikantët në punë, shteti fle gjumë
Nënkryetari i LSI-së Luan Rama, ka reaguar sot lidhur me debatin e radarëve të vëzhgimit të cilët u tha pak javë më parë se janë jashtë funksionit.

Përmes një statusi në Facebook, Luan Rama shkruan se edhe pse po bëhet një muaj nga denoncimi publik i radarëve, prokuroria ende nuk ka një reagim zyrtar teksa citon ministrin e brendshëm Xhafaj i cili u shpreh garant për të investiguar këtë çështje.

“Radarët të fikur,

trafikantët në punë,

shteti fle gjumë!...

Megjithëse po bëhet një muaj që prej denoncimit publik të faktit se sistemi i radarëve të vëzhgimit të hapësirës tonë detare nuk funksionon, ç'ka ka çuar, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako në dështimin e operacioneve të Policisë së Shtetit për bllokimin e trafikimit të drogës përmes detit, ende nuk ka një reagim zyrtar e të përgjegjshëm nga Prokuroria në lidhje me këtë çështje!

Radarët të fikur, trafikantë në punë, shteti fle gjumë!

E në përpjekje për ta "prishur" këtë trinitet kriminal, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh para disa ditësh: "garantoj se do të nisë një proces investigimi për këtë çështje!"

Pa e vënë në dyshim as vullnetin dhe as vendosmërinë e zotit ministër, deklarata e tij ka një nonsens, sepse nuk mund ta nisë ai hetimin e kësaj çështjeje, pasi nuk ka asnjë tagër ligjor! Përveç kësaj, për sa kohë dimë që pas shqetësimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pati një reagim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes që hidhte poshtë pretendimet e tij, presupozohet që edhe vetë Policia e Shtetit të jetë subjekt nën hetim po aq sa QNOD-ja dhe vetë Ministria e Mbrojtjes.

Organi i vetëm që mund të investigojë e të hetojë sipas ligjit është Prokuroria, jo Ministria e Brendshme, aq më tepër po të kemi parasysh që QNOD-ja ku është Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare është nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes!

Një gjë është e qartë: ka mungesë të bashkëveprimit ndër operacional midis dy ministrive, gjë që ka çuar në krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin e veprimtarisë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike!

Këtu duhet të investohet Prokuroria!

Në fakt duhej të ishte investuar që në çastin kur u bë publik shqetësimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit! Por, meqenëse nuk ka asnjë lajm nga Prokuroria se ka nisur qoftë edhe kryesisht hetimin e këtij skandali me pasoja kriminale, Ministri i Brendshëm mund ta zgjojë Prokurorinë, duke e denoncuar çështjen zyrtarisht në organin e akuzës!” shkruan Rama. /f.ç/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: