LSI, Vasili: Nuk kemi të bëjmë me pr/ligj për mbetjet, por është ligj, juridikisht PS nuk mund ta tërheqë

LSI, Vasili: Nuk kemi të bëjmë me pr/ligj për mbetjet, por është ligj, juridikisht PS nuk mund ta tërheqë
Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka dalë në një deklaratë për mediat duke folur rreth situatës brenda brenda koalicionit PS-LSI përpara zgjedhjeve të 25 qershorit.

Vasili sqaroi se komisioni drejtohej nga PS dhe se nuk ishte LSI ajo që udhëhiqte.

“Nuk ishim ne që udhëhiqnim, komisioni drejtohej nga Partia Socialiste. Unë propozova amendament për të rritur vëmendjen në këtë proces, me dyshimin se diçka nuk mund të ecte mirë në kushtet e një mosbesimi publik që ishte përhapur” tha Vasili.

“Kryetari i grupit parlamentar të PS  ka thënë publikisht që tërheq pr/ligjin. Po sqaroj opinionin publik dhe ju. Nuk kemi të bëjmë me pr/ligj për mbetjet, por kemi të bëjmë me ligj. Pra Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje është shprehur me votë. Që nga ky moment po themi pronësia politike e propozuesve qofshin deputetë apo qeveri, ka rënë.

Ky ligj tashmë është pjesë e atyre ligjeve që Kuvendi miraton. Ka vetëm një moment procedurial që Presidenti ka kthyer ligjin dhe i ka dhënë një mundësi të re mazhorancës të reflektojë. Detyra e mazhorancës fillon me shqyrtimin e dekretit të Presidentit dhe më tutje të ecë përpara. Nuk ka asnjë mundësi juridike që PS të tërheqi, nuk është pr/ligj, por është ligj.

Këtu ka një rol të veçantë për të bërë rojtarin korrekt të rregullores, kryetari i Kuvendit. Nëse Ruçi do të pranonte një dhunim të tillë skandaloz të rregullores ky do të ishte fundi i parlamentit dhe problemi që flasim kaq sekonda në parlament kjo nuk ka rëndësi, sepse rregullorja në këtë moment do kishte rënë.

Kryetari i Kuvendit duhet t’ia përcjellë komisionit përkatës, dhe këtu detyra e kryetarit të Kuvendit mbaron pasi nuk ka asnjë atribut tjetër dhe komisioni përkatës duhet të marrë në shqyrtim nismën për dekretin e presidentit dhe brenda 8 javësh nga dita e fillimit duhet të prodhojë raportin dhe duhet të shkojë në seancë për të votuar ky dekret”, u shpreh Vasili. /f.ç/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: