Lufta kundër Informalitetit, Tabaku: Jo me aksion, por me rishikim të politikës fiskale

Lufta kundër Informalitetit, Tabaku: Jo me aksion, por me rishikim të politikës fiskale
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagon pas deklaratës së ministrit të Financave dhe Ekonomisë në lidhje me aksionin kundër informalitetit.

Në një status në rrjetin social Tabaku shkruan se shkaktare të informalitetit janë taksat e larta, sistemi i komplikuar fiskal me 6 nivele, burokracia dhe korrupsioni.

Sipas saj këto janë të njëjtit faktorë që ndikojnë në varfërimin e vendit dhe largimin e investimeve të huaja që janë në nivelin më të ulët historik të tyre.

“E dini çfarë ndodhi herën e fundit që qeveria nisi aksionin anti informalitet? Mungesa më e madhe në të ardhurat e shtetit me një vlerë prej 80 mln usd në vetëm një muaj!

Ka një mësim qe duhet ta kishin kuptuar gjoja reformatorët. Lufta ndaj informalitetit nuk është aksion, por një përpjekje dhe politikë qeveritare përmes levave të ndryshme fiskale. Në vend të propagandës që të mbushë portale e lajme do qe më e udhës të rishikohej politika fiskale.

Për këtë të fundit duhet vizion dhe ndjeshmëri politike. Qartazi sa më sipër mungojnë. Mungesa e tyre përkthehet në abuzime dhe korrupsion, për të cilat qeveria është kampion, përndryshe si do shpjegohej gropa 325 milionë që KLSH zbuloi se mungonin në buxhetin e shtetit!”, shkruan Tabaku në rrjetin social./l.k./

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: