Maya Aliçkaj: Teknologjia në muzikë po shton këngët jo reale

Maya Aliçkaj: Teknologjia në muzikë po shton këngët jo reale
INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur: Vetë eksperienca e jetës dhe lidhja ime e përhershme me librin, më ka bërë që të jem gjithmonë në kërkim të teksteve që janë pranë popullit”

 

Ndoshta nuk ju besohet, por është e vërtetë. Këngëtarja e mirënjohur, Maya, ka mbaruar studimet për aktore në Akademinë e Arteve, porse që në fëmijëri, ajo ka spikatur me talentin e saj në koncerte të ndryshme, si një sinjal i dukshëm ky i asaj rruge dhe ëndrre që ajo do të realizonte më pas. Pasion ky që e ka shoqëruar gjithë jetën... “Kënga popullore është kënga e themelit shpirtëror popullor, kënga që ngroh çdo vatër”, shprehet ajo sakaq në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”, duke folur pikërisht për pasionin që ajo ushqen ndaj këngës dhe asaj popullore në veçanti...

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

 

Gjithmonë në lëvizje... por lexuesi do të dijë albumin tuaj të fundit.

"Ti ngadalë" ka tre muaj që ka dalë në treg. Por do veçoja albumin e parë "Lege -lege", pasi unë nëpërmjet tij nga një këngëtare anonime, u bëra shumë e njohur dhe e dashur për publikun brenda muajit, duke filluar që nga fëmijët disa muajsh, të cilët nën tingujt e muzikës sime, hanin ushqimin, haha... Këto i kam dëgjuar dhe i dëgjoj vazhdimisht nga prindër të ndryshëm. Madje një nënë e re më tha se fjala e parë e fëmijës së saj 6-muajsh ishte "Maya" sa kishte dëgjuar këngën time ne kasetofonin e makinës...

 

Si emigrante e rregullt në Gjermani, kur dhe si ka qenë hapi i parë drejt njohjes nga publiku shqiptar?

Pasioni për këngën më ka ndjekur gjithmonë. Në Gjermani shikoja shumë aktivitete me këngëtarë dhe filloja të ushtroj ëndrrën time të vegjëlisë. Mbasi u bënë disa vjet në Gjermani duke ushtruar këngën, gjeta një hapësirë kohore për të bërë një CD timen, pasi dihet qe jeta në vend të huaj është shumë e ngarkuar dhe nuk të lë kohë të shkëputesh për të bërë një hap të tillë. Megjithatë, përpos të gjithave, unë e gjeta mundësinë e një hapi të tillë dhe në vitin 2006 kam ardhur në Shqipëri për albumin tim të parë. Me ndihmën e jashtëzakonshme të kompozitorit Adrian Hila, ky album u realizua me cilësi shumë të lartë dhe është shoqëruar edhe me videoklip. Kur nuk e prisja, fatmirësisht ky album u prit shumë mirë nga publiku. Pas përfundimit të albumit, u riktheva sërish në Gjermani, qëndrim ky i cili zgjati vetëm një muaj, pasi kërkesat nga publiku i vendit tim ishin shumë të madha. E gjendur para kësaj situate, jehona e shpirtit dhe e këngës time më solli drejt Shqipërisë, vendin tim të lindjes, për t’u vendosur tashmë përfundimisht aty. Kjo tregon që jeta është dhe fat, nuk është vetëm punë dhe shtëpi. Nisur nga kjo situatë fatbardhë, para shumë vitesh kam bërë një këngë: “Ah kjo jeta është fat, por duhet edhe pak inat. Unë jam labe dhe s’e zgjat, njëzet e katër karat”.

Keni bërë studime e luajtur dhe në Gjermani, por prapë mbetesh tek kënga.

Kam bërë studime plotësuese për aktrim. Përsa i përket pjesës së studimeve të mia, i kam bërë me shumë pasion e kjo më ka ndihmuar edhe në këngë, por e kam ushtruar këtë pjesë në teatër, madje dhe në një film gjerman. Kam dëshirë, por nuk kam mundësinë kohore për t’i gërshetuar të dyja bashkë. Megjithatë për të qenë edhe realiste, përveç kënaqësisë që jap edhe marr nga publiku, kënga është edhe më fitimprurëse se aktrimi sot për sot në vendin tonë. Por në një të ardhme jo të largët pretendoj që publiku të më shikojë në ndonjë shfaqje në teatër, pse jo edhe në një film.

Cili është personi që gjendet pranë teje në çdo moment të jetës dhe që të jep forcë për të vazhduar përpara?

Kohët e fundit është partneri im, i fejuari im, i cili më rri shumë pranë me gjithçka, qoftë profesionalisht dhe shpirtërisht, si edhe familja ime e madhe normalisht.

Cili është mendimi juaj për bashkëjetesën?

E shikoj shumë pozitivisht këtë aspekt, pasi bashkëjetesa është mundësia më e mirë për ta njohur një partner dhe për të pasur një bindje relativisht të plotë që është pikërisht ai i duhuri për të lidhur jetën, për të ndërtuar familje dhe për të sjellë në jetë fëmijë të shëndetshëm.

Sa merret Maja me politikë?

Fare. Por kjo nuk do të thotë që jam indiferente karshi saj, pasi ajo udhëheq vendin.

 

Si janë marrëdhëniet me ushqimin dhe cili është ai i juaji i preferuar?

Shumë të mira, ha çfarëdo gjëje kur kam uri.

Po stina e preferuar?

Pranvera. Ashtu siç është pranvera që çel sytha të rinj, edhe tek unë ajo sjell energji të reja.

Sa e rëndësishme është për ju familja, puna dhe miqësia?

Ashtu siç i keni radhitur ju në pyetje, ashtu do t’i radhis edhe unë. Familja është shumë e rëndësishme, ajo është baza e një shoqërie të shëndoshë, ndaj i duhet kushtuar shumë rëndësi, është kryesorja në jetën e gjithësecilit. Puna vjen pas familjes, sepse pa punë familja nuk mund të funksionojë dhe miqësia vjen menjëherë pas punës. Pra, janë komponentë pa të cilat edhe individi nuk ndihet mirë nëse njëri nga këta mungon.

Mendoni se janë shtuar konkurrentët në interpretuesit e këngës popullore?

Pa konkurrentë, kënga nuk zhvillohet. Sot flitet për konkurrencë, por shihet që prishen ca raporte në këtë konkurrencë. Përparimi i teknologjisë së regjistrimit jep edhe modele kënge me notat që nuk janë aq reale sa kënga “live”.

 

Me kë bashkëpunon kryesisht Maya?

Tekstet i gjej nga vargëzimet popullore, ose i bëj vetë, ndërsa si kompozitor dhe orkestrant bashkëpunoj me Andi Hilën.

 

Maya është njëkohësisht dhe aktore. Pse i jeni larguar skenës së teatrit apo fushës së kinematografisë?

Jo se i jam larguar. Por me ardhjen time nga Gjermania iu përkushtova më shumë këngës. I isha borxhlie asaj. Në Gjermani kam bërë disa role. Edhe në këtë drejtim, tani kam disa oferta. Të përmirësohem e do të shoh edhe ndonjë bashkëpunim të mundshëm në këtë fushë.

 

Pra, kënga për Mayan është më prioritare se skena ?

Jo. Për mua janë dy anë të një medaljeje, por në momente të caktuara njëra del më përpara. Kështu operohet në këtë lloj tregu. Kur ke një koncert të madh do të shmangësh ndonjë rol të vogël.

 

Ju keni jetuar në Gjermani. Ndoshta aty nuk ju kanë ndarë nga gjermanet për faktin se jeni bionde?

Kam shumë gjëra të përbashkëta me gjermanet, po dhe shumë gjëra që më ndajnë. Ndjenja. Unë mendoj si gjermane dhe ndiej si shqiptare. Janë mënyra të ndryshme. Që kanë të bëjnë me respektin, hidhërimin, trishtimin. Kjo ka qenë një kontradiktë tek jeta ime private. Nuk është e kollajshme t’i gjesh këto gjëra tek një mashkull.

 

Si quhet albumi i parë dhe si e keni përjetuar këtë sukses?

Albumi i parë quhet “Lege-lege”.

 

Ç'do të thotë?

Është shkurtimi i fjalës “shelege”. Është një vajzë që ishte mësuar si shelege, por ajo ishte një vajzë fisnikësh. Ajo pati shumë sukses dhe nëpërmjet saj unë u bëra e famshme. I tërhoqi vëmendjen publikut. Në përgjithësi janë pop-folk. Ka dhe një këngë folk. Disa këngë i kam bërë unë dhe disa të marra nga populli.

 

Pra, ju në përgjithësi i këndoni dashurisë ?

Ka shumë lloj dashurish. Dhe ne shqiptarët kemi nevojë për të dhe në shumë raste nuk e japim dashurinë e nevojshme.

 

Maja me një këngë për kurbetin? Si ju lindi kjo ide?

Unë kam qenë vetë emigrante. Dhe pse emigracioni im ka qenë paksa i veçantë, për vetë mënyrën e largimit pas një njohje me një grua gjermane që më ka birësuar, sërish largimi nga atdheu, familja, miqtë, të afërmit kanë lënë gjurmë në jetën time. Edhe unë si shumica e shqiptarëve kisha lënë në Shqipëri prindërit, të cilët sa herë i merrja në telefon, më preknin me bisedat e tyre, më bënin të lotoja. Ka zemër që i duron lotët e nënës në telefon ku duke qarë të thotë “Bijë kur do vish, se më ka marrë malli?”. Apo fjalët e pakta të babait: “Bijë, e harrove babanë?”.

Kush e ka bërë, tekstin e kësaj kënge kaq interesante?

Tekstin e kam bërë vetë. Unë kam mbaruar për aktrim dhe shpeshherë kam shkruajtur. Vlora ka qenë hershëm një nga qytetet e lidhura me emigracionin, por kjo krahinë e ka shumë të zhvilluar ndjenjën e atdhedashurisë, por edhe të krijimtarisë. Nga kjo krahinë kanë dalë njerëz të shquar të penës dhe të pushkës. Mund të them se bejtexhinjtë vlonjatë janë ndër më të spikaturit, për të kaluar pastaj tek shumë tekste këngësh të festivaleve që kanë për autor krijues vlonjatë. Unë jam munduar shpeshherë që te disa nga këngët e mia të jem vetë autore e teksteve, pasi më lind ideja e tekstit për të shkuar më vonë tek muzika. Vetë eksperienca e jetës, lidhja ime e përhershme me librin, ekzistenca e ndjenjës për të përçuar veçoritë e jetës së krahinës në muzikë, më ka bërë që të jem gjithmonë në kërkim, gjurmim të teksteve, që të jenë pranë popullit.

A jeni xheloze ndaj këngëtareve të reja vlonjate?

Aspak, në kuptimin e keq. Unë kam të veçantat e mia, zërin tim, krijimet e mia, që më  dallojnë dhe më largojnë nga imitimet. Unë e pranoj sfidën, konkurrencën, ndryshe do të mbetesha pa hapësirë, larg tendencave të mia dhe emancipimit që kërkon koha. Pra, unë nuk jam xheloze në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe shpirtngushtësisë së shpirtit, unë jam xheloze brenda vetes pasi kërkoj përballjen për të ecur përpara. Unë gëzohem sinqerisht kur dëgjoj një këngë të bukur nga bashkëpatriotet e mia, sepse ajo bëhet pa dashje një shtysë  për të korrigjuar apo për të parë më larg.

Bashkëpunimi juaj ka qenë me kompozitorin Adi Hila…

Është kompozitori im i preferuar për shumë arsye. Së pari, është vlonjat dhe i di karakteristikat e këtyre këngëve, të veçantat, ambiciet, pretendimet. Është një kompozitor gjithmonë kërkues dhe me tendenca të theksuara në drejtim të së resë. Ai ka sjellë shumë risi në këngën popullore shqiptare, por sidomos atë vlonjate. Tjetra është se e kam pasur shok klase dhe ia dimë kërkesat njëri-tjetrit. Puna e tij tashmë ka gjetur tregun më interesant në disa gjini, pasi këngët e tij të muzikës së lehtë kanë bërë paraqitje dinjitoze dhe në “Eurovizion”.

Veshjet e preferuara?

Veshjet e mia të preferuara janë ato të rehatshme dhe pak të veçanta, disi ndryshe. Preferoj shumë ngjyrën e bardhë në verë, por jo vetëm.

 

Një profesion i vështirë, por që ngjall dhe xhelozi, partneri a xhelozohet?

E vërtetë që kemi një profesion të vështirë, sidomos gjithë pjesa parapërgatitore, derisa dalim në skenë. Në këtë pikë, kam mirëkuptimin e plotë të partnerit tim. Tolerantë jemi të dy, pasi jemi njerëz të emancipuar, pooor ... ndonjëherë jemi të dy "foli murit" (hahaha) ...

 

Kur je ndodhur në vështirësi?

Shpeshherë jam ndodhur në vështirësi, veçanërisht gjatë kohës kur prindërit e mi ishin shumë të sëmurë. Unë isha sa në spitale, sa në koncerte kur ata ndërruan jetë, pasi unë përsëri nuk mund të anuloja shumë koncerte. Gjithashtu, jam ndjerë shumë në vështirësi gjatë xhirimit të një “Kamere të fshehtë " gjatë spektaklit të TV -Klan "Këngët e shekullit". Por nuk përshkruhet këtu në pak rreshta, kush e ka parë në TV, ose në YouTube, e di si isha.

 

Po roli i fundit në aktrim?

Aktrimi, që unë e dua aq shumë... Roli im i fundit, ishte para rreth 2 vjetësh në TK në Tiranë, në pjesën teatrale "Spiuni i Ballkanit ", me regji të Spiro Dunit. Kisha një rol shumë të rëndësishëm dhe u ndjeva shumë mirë gjithë ata muaj, më kishte munguar shumë Teatri. Mora vlerësime nga artistë të mëdhenj të artit skenik, si Margarita Xhepa, Timo Flloko Yllka Mujo, të cilët i adhuroj dhe i falënderoj përzemërsisht.

 

Parfumi dhe syzet që përdorni?

Parfumet i përdor të ndryshme, blej shumë shpesh, për momentin po përdor “Channel Coco”, gjithashtu edhe me syzet, e njëjta gjë.

 

Jeni e dhënë pas makinave?

Makina që kam është një “Range Rover Evaque”, të cilën e dua shumë si gjithë gjërat e mia.

 

Po pijet që preferoni?

Pijet nuk i preferoj në jetën e përditshme, vetëm kur këndoj, preferoj pak “Vodkalemon”. Zërin, këtë dhuratë të çmuar që më ka falur Zoti, e ruaj duke mos bërtitur pothuajse kurrë, duke mos qeshur kurrë me shumë zë dhe duke fjetur shumë gjumë pas të kënduarit.

 

A keni bërë pushime këtë vit?

Pushime nuk kam bërë, por do bëj me kismet. Nga fundi i shtatorit, do pushoj "seriozisht".

 

Vendet ku je më shpesh e ftuar?

Vendet ku unë jam më shpesh e ftuar janë Italia, Greqia, SHBA, Kanada, e më rrallë në Suedi, Norvegji, Austri, Gjermani etj. Mirë jam ndjerë kudo që kam shkuar, ndryshimi është vetëm sesi dhe sa mirë është menaxhuar koncerti.

 

Çfarë këngësh duan emigrantët?

Ata duan çdo këngë, pasi duan këngëtarin, por natyrisht, këngët e kurbetit, i prekin më shumë zemrat e tyre.

 

Bashkëpunimet e vazhdueshme?

Unë bashkëpunoj me kompozitorin Adrian Hila, i cili është dhe autor i disa teksteve të këngëve të mia të fundit.

 

 

 

 

QËNDRIMI

 

“Femra shqiptare,

 të jetë e pavarur”

 

“Unë mendoj që femra shqiptare jo vetëm tani, por edhe në kohën e monizmit ka pasur pozicionin e duhur. Unë rrjedh nga një familje në të cilën fjala e nënës sime nuk është nënvlerësuar kurrë, ka pasur gjithmonë të drejtën e mendimit. Personalisht, e vlerësoj femrën shqiptare dhe mendoj se ajo e ka pozicionin e duhur në shoqëri. Mesazhi im për femrën shqiptare: Të jetë kërkuese, të presë nga vetja dhe jo nga partneri, të ndërtojë jetën e saj mbi aftësitë e veta dhe të jetë e pavarur. Po ka këto, ka gjithçka!...

 

 

VLERËSIMI

 

“Vlora ka qenë e do mbetet

  djepi i këngës popullore”

“Vlora gjithmonë ka nxjerrë këngëtare dhe këngëtarë potentë. Tashmë në mbarë hapësirat shqiptare vihet re se spektatori, dëgjuesi, po i kthehet këngës popullore, këngës së tyre, këngës së shpirtit. Kënga popullore është kënga e themelit shpirtëror popullor, kënga që ngroh çdo vatër. Por dua të theksoj se Vlora është një nga qytetet shqiptare që është shquar dhe shquhet për ruajtjen e traditave, virtyteve, për këngët e veçanta popullore, ku spikat sinqeriteti në mesazhin e teksteve. Pastaj Vlora ka detin, ku ajri i pastër, kaltërsia ushqen dhe rrit zëra të veçantë. Në këtë këndvështrim, patjetër që Vlora ka qenë dhe do të mbetet djepi i këngës popullore, pika kryesore e  referimit për këtë gjini kënge tashmë kaq të përhapur dhe që po zë vendin që meriton”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: