Ministria e Bujqësisë, Peleshi: Aksion në thertore, kush nuk plotëson standartet bllokohet

Ministria e Bujqësisë, Peleshi: Aksion në thertore, kush nuk plotëson standartet bllokohet
Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, gjatë kontrollit të një thertore në qytetin e Lushnjes ka paralajmëruar të gjithë bizneset e tilla rreth një aksioni.

Peleshi bëri me dije se në 100 ditët e para do të zhvillohet një aksion lidhur me përmirësimin e standarteve të sigurisë ushqimore në vend.

“Kam zgjedhur pikërisht këtë stabiliment për të dhënë një mesazh për të gjithë konsumatorët por edhe ata operatorë në fushën e prodhimit të ushqimeve. Nuk mund të kemi dot siguri ushqimore të nivelit që pretendojmë në rast se nuk disiplinojmë së pari therjet, pastaj tregjet e kafshëve të gjalla pastaj lëvizjen e kafshëve dhe pastaj standartet e pikave të tregtimit te mishit dhe nënprodukteve të tij. Këto janë katër pika të nxehta të cilat kanë shumë nevojë për ndërhyrje, kanë shumë nevojë për standartizim dhe për rregullim” tha Peleshi.

Gjithashtu ministri deklaroi se pikat e therjes duhet të jenë brenda standardeve në të kundërt do të bllokohen.

 “Mbas auditimit, padyshim që Drejtoritë e AKU-së që kanë dhënë autorizimin, duhet të mbrojnë autorizimin për cdo pikë therjeje. Pikat e therjes që nuk janë të standartit, pra që nuk kënaqin standartin do të mbyllen, po i paralajmëroj që tani edhe inspektorët edhe operatorët që nuk do të ketë më pika therje jashtë standartit” tha ministri i Bujqësisë.

Peleshi tha se kjo nismë është e rëndësishme së pari për të garantuar sigurinë e ushqimit për konsumatorin vendas, por është edhe një hap i rendesishem drejt hapjes së tregut të podukteve shtazore me vendet e Bashkimit Europian. /f.ç/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: