Nertila Vreto: Sa shumë këngëtare, sa pak origjinalitet!

Nertila Vreto: Sa shumë këngëtare, sa pak origjinalitet!
 

Me flokët dhe sytë e zinj, me pamje të brishtë e zë të ëmbël, prej më shumë se 14 vjetësh, Nertila Vreto është një nga interpretueset, tashmë, më të njohura të këngës popullore të zonave të jugut të Shqipërisë. Pas shumë këngëve që kanë gëzuar festat e shumë shqiptarëve, ajo gjeti dashurinë dhe u bë nënë e një vajze të bukur. Bëri një pauzë në muzikë, por, tashmë, Nertila Vreto i është rikthyer muzikës dhe këngës me kohë të plotë. Daila mbetet dashuria e saj më e madhe, e mundi të komunikojë me ne vetëm në pauzën kur ajo flinte. Një vajzë me taban, e cila këmbëngul që muzikën e trevave nga vjen, ta mbajë të pastër. Njihuni me të, përmes këtij rrëfimi ekskluziv, për Albanian Free Press.

 

Intervistoi për Albanian free Press, Juela Meçani

 

Je ende shumë e re, por me shumë këngë në repertor. Kur u zbulua talenti yt?

Tani që po më pyet, kujtoj se - me sa më tregojnë prindërit - këndoja që në klasë të katërt, madje në çdo vend. Këndoja kudo ndodhesha, nuk kisha aspak turp apo drojë, vetëm kërkoja vëmendje dhe mikrofon. E kujtoj e më vjen të qesh, sepse mbaja çfarë të gjeja si mikrofon të improvizuar, stilolapsin, krehrin e flokëve, çfarë të më zinte dora. Por ngjitja në një skenë të vërtetë, ka qenë në pallatin e kulturës në qytetin e Përrenjasit, ku vazhdoja shkollën e mesme dhe organizohej një konkurs me zërat e rinj të shkollës sonë. Aty mora pjesë dhe fitova çmimin e parë. Aty nisi karriera ime dhe, më pas, erdhën edhe ofertat nga studiot diskografike për bashkëpunim.

Në interpretimet e tua, sa ka nga vendlindja jote?

Jam fanatike e muzikës popullore korçare dhe gjithmonë atë zhanër kam preferuar, të asaj krahine. Me kalimin e viteve, kuptova që zëri im përshtatej edhe me këngët e jugut, si p.sh., këngët labe.

Si ka qenë fëmijëria juaj?

Ha ha ha. Përveçse shumë bufe, kam qenë mjaft fëmijë i qetë, e dashur dhe tepër e lidhur me motrat dhe prindërit. Kam qenë një fëmijë tepër i lumtur besoj.

Sa të vështirë e keni pasur ngjitjen e karrierës?

Kam filluar të bëhem e njohur si këngëtare në vitin 2003. Në ato vite, tregu i numëronte me gishta këngëtaret e jugut dhe u prita shumë ngrohtë. Me kalimin e viteve, prurjet e reja më shtonin akoma më shumë përgjegjësinë e talentit që kisha. Duhet të punoja fort e të sillja produkte sa më të kohës.

Nga ju vjen dashuria për këngën popullore të jugut?

Mendoj e besoj se nga natyra dhe karakteri im. E them me bindje, se vetëm këtë rrymë muzikore do lëvroja më së miri. Vokali im, aty fle.

Sa mbështetje keni pasur nga familja në këtë pasion për muzikën?

 Familja ime është e mrekullueshme! Çdo njeri besoj, kështu shprehet për njerëzit më të dashur, por unë pa mbështetjen e prindërve dhe motrave, nuk do të isha këtu. Nuk pretendoj se jam unë e nuk ka tjetër, por falë tyre nuk kam ndryshuar aspak si Nertilë. Çdo fjalë e këshillë e tyre, për mua u bë refren i jetës...

Në pamje dukesh e brishtë. A je e tillë?

Në të vërtetë, jam shumë e ndjeshme, për fare pak gjë prekem. Mendoj se sytë janë pasqyra e çdo njeriu.

Çfarë mendon për muzikën popullore sot, dhe interpretuesit e saj..

Sa shumë këngëtare dhe sa pak origjinalitet! Nuk di çfarë të them, por sot në çdo familje, ke nga një "këngëtare". Gjynah kur dëgjon disa ...

Keni emocione përpara publikut?

Publiku është më i rëndësishmi për mua, pasi këndoj për të dhe nuk dua ta zhgënjej. Më pëlqen kur më admirojnë dhe pëlqejnë këngët e mia, por ajo që duhet të mundohet, jam unë dhe në skenë të jap gjithçka me shumë pasion, pasi publiku që vjen të më dëgjojë, më respekton, më admiron, më nxit, por edhe më gjykon. Duartrokitjet e publikut, janë ushqim shpirtëror për një këngëtar.

 Jeta me bashkëshortin, dy artistë... Si lindi kjo dashuri?

Bashkëshorti im, Danieli, nuk është vetëm këngëtar, por edhe kitarist i shkëlqyer. Ne ishim të ftuar bashkë, në një gëzim familjar - ai me grupin e tij, unë si këngëtare. Aty lindën shkëndijat e para, besoj. Gjithmonë e kujtojmë atë moment. Ai më thotë se e emocionoi zëri im, ndërsa unë i them se çdo tel i kitarës, kishte një dridhje zemre...

A është e lehtë jeta, mes dy artistësh?

Kemi mjaft gjëra të përbashkëta dhe kuptohemi mirë, por si çdo çift, edhe ne kemi ato mangësitë tona, sepse asnjë nuk është perfekt. Më e rëndësishmja është që respekti tek ne, është reciprok.

Si është Nertila si nënë, e rreptë apo e llaston fëmijën...

Ohhh, Daila! Dashuria më e madhe e jetës, pasuria ime! Ajo më çlodh dhe falënderoj zotin çdo sekondë, për atë mrekulli! Bashkë me Danielin, jemi shumë të dhënë pas vajzës. Edhe unë kënaqem shumë, sepse ata të dy, at e bijë, kanë një marrëdhënie për t’u admiruar. Mundohem që t’ia shpjegoj, në mënyrën më të mirë, gjërat kur bën ndonjë faj të vogël apo këmbëngul për diçka që nuk duhet. Por më vjen mirë që është shumë e zgjuar dhe më kupton vetëm me një shikim.

Kush gatuan në familjen tuaj?

Në familjen tonë pëlqejmë të hahet mirë dhe shumë, ha ha ha. Të dy gatuajmë, madje Danieli më mirë se unë, në disa gjëra shpenzoj më shumë kohë me çupën sa harroj të ushqehem vetë, por Danieli, gjithmonë, gatuan pjatën time të preferuar.

Si reagoni ndaj kritikave? Po vetë, a jeni kritike?

Nëse ato kanë bazë, mundohem t’i analizoj dhe pse jo të korrigjohem, nëse nuk janë të bazuara diku, mundohem t’i anashkaloj. Jam shumë e drejtpërdrejtë vetë dhe ashtu do të doja të silleshin edhe me mua.

Nuk keni bërë shumë eksperimente në muzikë. Jeni autentike. Pse?

Para disa vitesh, kam lëvruar baladën edhe muzikën Mouse, madje kënga "Rreze hëne" atëherë u prit mirë. Por çdo artist di mirë ku i fle zëri. E dashuroj këngën popullore, por nuk përjashtoj mundësinë në të ardhmen, për ndonjë eksperiment të ndonjë zhanri tjetër.

Ke ti një idhull nga këngëtaret e muzikës së jugut?

Pa mëdyshje, Eli Fara, - elegante, plot nur e shkëlqim dhe gjithmonë në formë. Ajo e sfidon kohën, nuk njeh moshë.

Ka ndikuar mëmësia në ndjeshmërinë tuaj në muzikë?

Të qenit nënë, më bën të ndihem e bekuar dhe besoj se jam bërë edhe më tepër e ndjeshme, edhe në mënyrën e të kënduarit.

Ku dhe me se do ju shohim këtë sezon? Çfarë projektesh keni?

Pas një ngarkese tejet të madhe gjatë verës, me aktivitete në dasma dhe koncerte, për momentin po pushojmë pak. Por janë të shumta projektet që kemi menduar dhe shpresoj se do të finalizohen shpejt. Çdo gjë e bukur kërkon kohën e vet.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: