NGA 25-A, TE 25-A- OPINION NGA FRROK ÇUPI

NGA 25-A, TE 25-A- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mund të ishte: Nga 23-shi, te 23-shi,- që ishte data e zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2013. Mund të ishte edhe: Nga 2009-a, te 2009-a, siç ndodhi me aktin politik të PS-së që humbi në vitin 2009, dhe u kthye disa herë te kjo “gozhdë”.

Kësaj here, kemi të njëjtën pamje, edhe pse me shifra të tjera. Partia Demokratike, sot dhe dje, ka mbledhur kryesinë dhe aleatët, me një lajmërim pompoz se do të diskutojnë për kodin zgjedhor. Ngjitur me pikën e parë të axhendës, partia tha se do të fliste edhe për 25 qershorin 2017. Kjo ishte dita e fundit e zgjedhjeve, ku Partia Demokratike pësoi “Vaterlonë”. Napoleoni nuk u kthye kurrë atje, ndërsa pushtetarët e rinj i kthehen humbjes, me qëllim që të marrin hajmali dhe pretekste për të sunduarit.

Pyetja është edhe më e thjeshtë:

Pse vallë politika i vjen rrotull vetëm çastit që ka lidhje me pushtetin ose humbjen e pushtetit të tyre?! Kjo është çështja.

Partia Demokratike sapo ka dalë nga zgjedhjet katastrofë. Punën e parë që nis, ka përsëri Zgjedhje. PD-ja, pa bërë asgjë tjetër, e nisi punën me kodin e zgjedhjeve dhe po bën presion që politika parlamentare, qeveritare, opozitare, media dhe besimi, të merren me kodin e zgjedhjeve. Para syve të tyre nuk ka as kod pune, as kod qytetarie, as kod familjeje, as kod penal, as kod mirëqenieje. Gjithë kodi i jetës, ka një emër tjetër: Kod i Zgjedhjeve.

Hendeku mes sundimtarëve dhe të sunduarve, është shumë i madh:

Ndërsa të sunduarit që janë shumicë, presin e përcjellin përditë kodin e jetës, sundimtarët presin e përcjellin kodin e zgjedhjeve. Kodi i zgjedhjeve i jep jetë sundimtarëve (politikanë ose jo politikanë), ndërsa iu hyn në hak të sunduarve, që nuk kanë asnjë lidhje dhe interes jete me kodin e zgjedhjeve. Është kaq poshtëruese dhe e ndyrë saqë, në kulmin e punëve të munguara për të ndihmuar jetën e njerëzve të shumicës; sapo ke dalë nga një betejë zgjedhjesh ku populli ka konsumuar nerv, besim, shpresë, shëndet, dhe pasuri, - ti i drejtohesh këtij populli, përsëri për zgjedhje. Për politikën dhe sundimtarët nuk ka asgjë tjetër veç kodit dhe ditës së zgjedhjeve, ditës kur gatuhet pushteti i tyre.

E çfarë i nevojitet njeriut të shkretë, kafshëve të Fermës së Oruellit, dita kur merr pushtet sunduesi. Thënë më thjesht dita e zgjedhjeve. Ajo është një ditë që, në sistemin demokratik, vjen një herë në katër vjet; vjen edhe sikur ti të mos e çash kokën për të. Ajo është si vdekja që vjen patjetër; ndërsa politikanët e sundimtarët e quajnë si ditën e lindjes dhe duan të provojnë të lindin edhe kur dështojnë. Kaq është për ta.

Partia Demokratike në opozitë, trupërisht, e nisi punën në legjislaturën e re katërvjeçare, duke trokitur në derë: “Kur i kemi zgjedhjet e tjera?!” Kthimin në analizën e datës 25 qershor, e bëri me qëllim që të mos pranojë humbjen; d.m.th., t’u thotë njerëzve “o pushtet, o asgjë tjetër në këtë jetë’.

Edhe Partia Socialiste, të njëjtën gjë bëri kur humbi zgjedhjet në vitin 2009. Menjëherë pas humbjes, lëshoi kushtrimin për zgjedhjet që kaluan. Nuk pranoi rezultatin, kërkoi hapjen e kutive dhe, më në fund, pas dy vjetësh, - më 21 janar 2011, organizoi demonstratën ku u vranë katër vetë. Për partinë nuk kishte as popull, as atdhe, kishte vetëm zgjedhje, d.m.th., pushtet.

Kështu kthehet syri i sundimtarëve: Nga pushteti në pushtet, nga 25-a, te 25-a. A ka popull dhe qytetari këtu?! Ata janë në Fermën e Kafshëve.

Pse vallë ndodh kështu?

1.

Pushteti është si pompa e biçikletës.

Pompa ka të vetmen detyrë që, sapo shfryhet pushteti, ta sjellë përsëri në pozitat e ngarkesës me pushtet. Sapo partia humbi në zgjedhjet e 25-ës, menjëherë kërkon 25-ën tjetër. Duhet patjetër pushtet, në kohën që mungon, duhet fryrë menjëherë. Pompa e biçikletës sjell ajër vetëm për sundimtarët; oksigjeni i të sunduarve nuk ka vlerë.

 

2.

Pushteti është i fshehtë.

Shikoni si u fsheh në zgjedhjet e fundit. Militantët dhe votuesit e opozitës dolën në protesta, ngritën entuziazëm për fitore, u ngujuan 3 muaj në çadër... Pushteti është për ju - i tha lideri dhe ata e besuan. Ditën e fundit, më 18 maj, doli se pushteti kishte qenë fshehur mes “nesh dhe armikut”. Partia Socialiste (qeverisëse) dhe Partia Demokratike (opozitë), kishin ndarë pushtetin underground. Pushteti fshihet prapa parullave për popullin, prapa skenave të luftës, prapa premtimeve. Në fakt, gjithçka bëhet për Ditën e Zgjedhjeve, d.m.th., për ditën e pushtetit.

3.

Pushteti dhe koha flasin të njëjtën gjuhë.

Në çdo kohë, sundimtarët mendojnë për pushtetin, edhe pse flasin gjuhë tjetër. Domethënë, gjuhën e halleve të popullit. Por politikanët, edhe kur heshtin, ose nuk flasin hapur, në fakt, flasin me gjuhën e pushtetit. Vjen një moment krize që ata nuk e përmbajnë veten, dhe flasin vetëm për pushtetin. Kur do ta marrim pushtetin?! - ky është refreni, siç po ndodh me PD-në. Ndërsa partia tjetër (PS) në pushtet, nuk e ka aq urgjente që të flasë hapur gjuhën e pushtetit.

E kanë dëshmuar prej kohësh analistë e vëzhgues politikë se, pushteti dhe politika janë dy luanë të ndotur në një ditë.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: