NGA PARTIA E MITINGJEVE, TEK PARTIA E VALIUMIT- OPINION NGA SKËNDER MINXHOZI

NGA PARTIA E MITINGJEVE, TEK PARTIA E VALIUMIT- OPINION NGA SKËNDER MINXHOZI
Lulzim Basha ka mundur të ndryshojë ADN-në më të vjetër të PD, e cila qëndronte tek sharmi dhe aftësia për të reaguar në çdo rrethanë, e që përputhej me temperamentin dhe karakterin e kreut historik Berisha. Me spostimin spektakolar nga një parti mitingjesh, në një parti valiumi, PD ka kryer një cikël të plotë mutacioni drejt një partie me numrin më të vogël historik të votave, që nga dita e krijimit. Kjo bjerrje shumëplanëshe, e ka kthyer atë sot në një rivale të padenjë të socialistëve dhe në një shportë votash për parti të tipit LSI

 

NGA PARTIA E MITINGJEVE, TEK PARTIA E VALIUMIT

Nga SKËNDER MINXHOZI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Tani që Rama i mbyli telashet e verës dhe u nis për në SHBA me dekretin e qeverisë së re në xhep, situata që la pas në kampin opozitar është gjithçka, përveçse rozë. Votat e rrjedhura për Gramoz Ruçin, apatia dhe mungesa e profesionalizmit e deputetëve të rinj, stili liturgjik i drejtimit të partisë nga Lulzim Basha, reagimi i vijuar i kundërshtarëve të tij që kërkojnë një shkartisje të re letrash brenda PD – të gjitha këto e komplikojnë skajshëm axhendën e demokratëve në këtë fillim legjislature parlamentare.

Vakanca tremujore pas zgjedhjeve të verës kaloi mes vapës së tmerrshme dhe zjarreve të kudondodhura, pa harruar gossip-in e plazheve dhe batutat e rrjeteve sociale. Ishte një periudhë e përshtatshme reflektimi edhe për opozitën. Për të zgjedhur kryetarin e ri, formuluar platformën dhe mprehur strategjinë për katër vitet e ardhshme. Nuk ndodhi asgjë e tillë. Çfarë pamë në vend të kësaj liste? Heshtje dhe ikje nga përgjegjësia! Rizgjedhje formale e Bashës, flegmatizëm i plotë përballë pozitës së gjithëfuqishme dhe rënie spektakolare e besimit të zgjedhësve dhe përkrahësve. Ka qenë e pashmangshme që ky qëndrim i Lulzim Bashës në verë, të mos pasqyrohej me apati, improvizim dhe mungesë totale aftësish orientuese, tani në sezonin e ri politik.

Ilariteti dhe përqeshja që maxhoranca e ngeshme i bëri deputetit të ri demokrat nga Vlora, nuk ishin vetëm një akt arrogance apo mendjemadhësie i Edi Ramës. Edhe i tillë ishte. Por ishte njëherësh e mbi të gjitha, edhe një provë se standardi është ulur përtej të imagjinueshmes në listat e Republikës së Re të Bashës. Po aq sa ç'ishte edhe prova se opozita e ka nisur jetën e saj "të dytë" me këmbën e keqe.

Opozita e sotme është më shumë se e hutuar, më shumë se e paorientuar, e pamotivuar dhe e drejtuar keq. Po natyrisht që ajo i ka të gjitha këto diagnoza në epikrizën e saj politike.

Lulzim Basha ka mundur të ndryshojë ADN-në më të vjetër të PD, e cila qëndronte tek sharmi dhe aftësia për të reaguar në çdo rrethanë, e që përputhej me temperamentin dhe karakterin e kreut historik Berisha. Me spostimin spektakolar nga një parti mitingjesh, në një parti valiumi, PD ka kryer një cikël të plotë mutacioni drejt një partie me numrin më të vogël historik të votave, që nga dita e krijimit. Kjo bjerrje shumëplanëshe, e ka kthyer atë sot në një rivale të padenjë të socialistëve dhe në një shportë votash për parti të tipit LSI. Askush nuk e di sot se cila është platforma e opozitës për temat madhore që shqetësojnë vendin. Kushtet e vëna për reformën zgjedhore vetëm sa e forcojnë përshtypjen e mosdijes që kemi sot për linjën  politike të zotit Basha.

Nëse marrëveshja e 18 majit "u asgjësua nga Rama", siç thotë kreu i opozitës, cili është qëndrimi i tij për integrimin, luftën kundër korrupsionit, vijimin e reformës në drejtësi, rikthimin e besimit tek votuesit e djathtë, pozicionimi ndaj aleatëve dhe LSI, politika e jashtme etj. etj.

Basha refuzon të flasë. Heshtja e tij po bëhet marka e tij dalluese si lider politik, e kjo është thjesht dëshpëruese. Një opozitë e munguar, është edhe një qeverisje e keqe. Kësaj aksiome nuk i shpëtojnë dot as shqiptarët.

Berisha u mundua t'i hedhë se fundi një kamerdare shpëtimit Lulzim Bashës, teksa deklaroi se ai kishte pasur "këshilltarë mizerabël". Një lëvizje e dobët, e vonuar dhe me gjasë e pasinqertë. A ka njeri të besojë se PD humbi në 25 qershor për shkak të "Eno Bozdos" së radhës?!

Pozicionimi ambig i Berishës në këtë krizë të madhe identiteti, njerëzish dhe idesh, na tregon së largu se kriza brenda Partisë Demokratike është e destinuar të zgjasë. Edhe pse grupimi i kundërshtarëve të Bashës vijojnë përpjekjet e ndrojtura për të krijuar si punë fraksioni. Por çështja është se ku do e krijojnë një të tillë, për sa kohë që kryetari i ka nxjerrë thuajse nga të gjitha forumet përfaqësuese të partisë.

Kriza e PD ka dalë nga hija e pushimeve verore, në sytë e publikut shqiptar. Tashmë ajo është e shtrirë sa gjatë-gjerë, në pjesën e sallës së Kuvendit që i kanë dhënë votat e 25 qershorit.

Se kur dhe se kush do t’i japë fund kësaj letargjie politike, kjo mbetet enigmë. Sepse formalisht partia vendosi të vijojë me kryetarin që e çoi në humbje dhe kjo i vë një kapak të shëmtuar teneqeje gropës së madhe që sa vjen e zgjerohet në oborrin e ish-Shtëpisë së Oficerëve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: