OPOZITARIZËM PËR SELFIE- OPINION NGA PLATOR NESTURI

OPOZITARIZËM PËR SELFIE- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të kopjosh a të marrësh të gatshme arritjet e të tjerëve, në botën e sotme, nuk përbën ndonjë turp, as shkel parimet e moralit. Në këtë kuptim, demokracisë së re shqiptare i mbetej veç të ecte në rrugën e të tjerëve, për reformat që duheshin ndërmarrë dhe për fuqizimin e institucioneve të saj. Por ajo çka bien në një mendje të gjithë, deri dhe politikanë të të dyja kaheve (pra, ata që janë dhe protagonistë të reformave gjysmake), është se parimet e zhvillimit të botës demokratike, janë ndërfutur të deformuara, duke u shndërruar në një hibrid me shumë fytyra. Kjo jo vetëm në mënyrën e ndërtimit të shtetit, por dhe në atë të të bërit opozitë. Në kohë të ndryshme, janë marrë si shembuj lëvizje të suksesshme, duke nisur nga gandizmi, revolucioni i kadifenjtë apo lëvizja portokalli, por gjithsesi, në rrugëtim e sipër, ato janë transformuar nga lëvizje të gjera masash, duke përfunduar në shtigje buzë honesh, plot pusí ballkanike.

Tashmë, prej muajsh që vijon përplasja politike për çështjen e reformës, për mënyrën e votimit apo dhe për akuzat për manipulimin e zgjedhjeve nga paratë e krimit, lëvizja opozitare po e ndien se duhet të gjejë të tjera opsione për të mbajtur gjallë frymën e protestës. Pavarësisht kauzës, strategjia e dikurshme e bojkotit parlamentar, nuk dha rezultate të frytshme. Gjithashtu, edhe prania joefektive në Kuvend, duke u shmangur nga seanca të veçanta, nuk ka qenë fort e kuptueshme, si për qytetarët ashtu dhe për ndërkombëtarët. Futja e elementëve të krizës ekonomike dhe të varfërisë me të cilën ndeshen shqiptarët në jetën e përditshme, si shkak për protesta, i jep një frymëmarrje lëvizjes opozitare, por gjithsesi kjo mbetet vetëm në kuadrin e denoncimit, përderisa elektorati nuk e ndien të bindshëm e të motivuar këtë lloj opozite.

Sidoqoftë, pavarësisht luhatjeve dhe strategjisë së paqartë, problem që vendit i mungon një opozitë, duket dhe në faktin se, partitë në pakicë nuk duket se arrijnë të prodhojnë një nismë apo aksion politik. Ideja e hedhur për ndryshimet në kodin zgjedhor, në fakt, nuk mund të quhet nismë, përderisa ishte një detyrë e lënë përgjysmë, qysh në mandatin e kaluar.

Këtë tregoi dhe seanca e djeshme parlamentare. Pavarësisht toneve të ashpra dhe debatit në dukje të ndezur, në realitet nuk kishte asgjë të re. Tema kryesore e diskutimit, ishte krimi, droga dhe fokusimi u përqendrua në Elbasan. Por harrohet fakti se dhe episodi ku policia shfaqej e plogët, para arrogancës së të fortëve të qytetit, ishte një material i servirur nga media. Jo një produkt i opozitës. Dhe kjo është të ecësh pas berihajit , duke kapur tema që rastësisht të dalin rrugës dhe jo një strategji e mirëfilltë e një opozite moderne, që nëpërmjet denoncimit të abuzivizmit, bëhet avokate e të dobëtit e të abuzuarit. Kështu mund të rikrijojë besimin e humbur dhe të behët eficiente, duke rritur tërheqjen në elektorat.

Për këtë, opozitës do t’i duhet të ngrejë një strategji dhe të ndjekë një model të të bërit opozitë, dhe gjetja e tyre duhet të jetë e shpejtë, edhe për faktin se ndërkombëtarët kanë vënë shumë pikëpyetje nga piruetat politike të lidershipit të PD-së, përpara se të vendosej futja në zgjedhje. Por ngutja jo gjithmonë të çon në rrugën e duhur.

Ajo çfarë bie në sy në seancat parlamentare, është një agravim dhe tension që, më së shumti, duket i sforcuar. Trashja e zërit nuk është gjithmonë ajo çfarë kërkohet, e aq më shumë të kërkohet prej qytetarëve të thjeshtë, për të dyja palët. Në vetvete përbën një kakofoni akuzash të ngjashme që, të dyja krahët, ia hedhin si topa balte njëri-tjetrit, por që asgjë nuk zgjidhet. Nëse sot, flasim për krimin, bandat, drogën apo dhe korrupsionin, për qytetarin është e qartë se fajtorë është e gjithë klasa politike, me lidhjet apo lëshimet që kanë bërë ndaj këtyre fenomeneve. I besueshëm do të jetë ai që do të pranojë i pari pjesën e vetë të fajit, përpara se t’ia postojë si të keqe ekskluzive vetëm kundërshtarit. Në të kundërt, çdo seancë parlamentare do të vijojë të jetë një show si në telenovelat turke, ku gjithçka rrotullohet e asnjëherë nuk mbaron, ku politikanët vijnë veç për të bërë selfie-n e radhës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: