PËRBALLË NUK KA NJERI...- OPINION NGA FRROK ÇUPI

PËRBALLË NUK KA NJERI...- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

A është gati politika e Shqipërisë, të mbartë pesha perëndimore të ndryshimeve? Kjo është pyetja. Ose më direkt: A ka ndonjë shans që e djathta të bëjë “fole” këtu, për të djathtën europiane, apo hiç?...

Po ndryshojnë konfigurimet politike kudo rreth nesh, si në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Po ndryshojnë ashtu si ngadalë dhe pa vënë re.

Si pa vënë re po bie e majta dhe po ngrihet e djathta, në vendet e Europës. Kur kam konstatuar këtë fakt, sigurisht, për lexuesit e gjuhës shqipe, më janë sulur qindra lexues në shqip. “Çfarë thua ti, more, me ata nazistët qenke?!”

Por jo vetëm nga kjo përvojë. Në përgjithësi, e majta europiane ka nisur rënien e sigurt pas qershorit të vitit 2016, me referendumin e Britanisë mbi Brexit. Tani kemi ardhur në këtë moment: Angela Merkel gjermane, konservatore e djathtë, që u anua shpesh herë, ka mbetur pa miqtë e saj; ata kanë rënë rrugës dhe nuk dihet ku prehen. Presidenti i Francës, Holande, ra në një mënyrë si hizër, pa u vënë re. Ai u largua gati fshehtas, sepse erdhi një pikë që i vinte turp edhe të dilte para popullit, për të thënë: “Po shkoj”. Asnjëherë në Francë nuk ka pasur president me popullaritet aq të ulët. Por edhe partia e tij e majtë, ra në 6.3 për qind të votave, njësoj si të kishte kandiduar në Paris, PDIU-ja e Shqipërisë.

Matteo Renzi i Italisë, majtist i flaktë, ra në një referendum ku ndjehej i sigurt.

Zonja Merkel mbeti pa dy krahët e saj të sigurt, edhe pse majtistë. Majtistët ranë, një nga një, si pa vënë re. Laburistët e Anglisë që ngritën një stuhi të tërë kundër Brexit-it dhe u garantuan për fitore në zgjedhjet e qershorit, shënuan humbjen tjetër.

Në Holandë, në zgjedhjet e prillit të këtij viti, u konfirmua se majtistët e Partisë së Punës, që ishin betuar se do ta shkrijnë të djathtën e e Geert Vilders, por në fakt pësoi rënien deri afër zhdukjes: Nga 24, 8 për qind që kishte, në 5.7 për qind.

Në Spanjë, Partia Socialiste i është kthyer moralit të poezive të komunistit Majakovsi: “As drurin, thjesht pesë pëllëmbë, s’e ngre dot”.

Më në fund, në oborrin e zonjës Merkel, ra socialdemokrati Martin Schulz. Mori vetëm 20 për qind - rezultatin më të dobët në histori.

Edhe vetë shpresa europiane e Merkel, zoti Emmanuel Macron që fitoi bujshëm, pak nga pak, po bie. I ka rënë përkrahja popullore, i kanë nisur konfliktet dhe i janë ndaluar reformat alias Marshim i Republikës.

Konservatorja Merkel po qëndron më këmbë e vetme, por shumë e lëkundur. Kjo i vjen, me siguri, për shkak të flirteve me të majtën.

Atëherë, kthehemi këtu në vendin dhe vëmendjen tonë:

A është gati politika e Shqipërisë, të mbartë pesha perëndimore të ndryshimeve? Kjo është pyetja, ose më direkt: A ka ndonjë shans që e djathta të bëjë “fole” këtu, për të djathtën europiane, apo hiç?...

Ka ndodhur një gjë paradoksale: Ndërsa e djathta vjen furishëm nga Europa, në Shqipëri e djathta qullet, ose vetëeliminohet. PD-ja që kishte marrë kryesimin e partive të djathta, sado të vogla, ka rënë. Mund të krahasohet veç me rëniet më spektakolare alias Holande, ose alias Patia e Punës në Holandë, që shkuan afër zeros. Për nga numrat, e djathta në vendin tonë nuk është 5 ose 6 për qind, por për nga besimi, është vërtet afër zeros.

Ndërsa në Europë bien të majtat, këtu bie e djathta. E djathta e Perëndimit nuk ka aleat në vendin tonë. Ndodh njësoj si me miqtë kur kërkojnë një mik në një vend tjetër, dhe nuk e gjejnë. Të djathtët e Europës dhe Amerikës janë lënë pa çerdhe në këtë vend. Kjo është hera e parë në histori. Madje edhe në vitet e pas Luftës së Dytë, Kominterni Komunist i kishte disa baza. Ose edhe Partia Fashiste e Italisë, i kishte disa militantë fashistë në Shqipëri.

Kësaj here, këtu nuk ka aleatë dhe as shëmbëlltyra të Trump, as të Brexit, as të Merkel, as të Orban dhe Kazinsky...

Çfarë po ndodh?

E djathta e kryesuar nga Partia Demokratike, vjen nga një politikë e vjetër, demagogjike dhe pa risi në idetë e saj. Të gjithë kryesuesit e PD-së janë ose ish-ministra, ose militantë të organizatës ultramajtiste të Soros-it. Vetë kryetari Basha ka një jetë në pushtet.

E djathta këtu përbëhet me materialin që nuk i nevojitet të majtës, jo pse janë djathtistë. Grupi i deputetëve të zgjedhur kësaj here, kryesisht, janë të lidhur me administratën ose idetë e majta.

E djathta është shpallur si ndihmëse e të majtës, sidomos me marrëveshjet e fshehta të paszgjedhjeve të fundit.

E djathta praktikisht, nuk është. Ta zëmë se nesër, të djathtët e Europës, do të kërkojnë aleanca me të djathtët, të jeni të sigurt se askush nuk përgjigjet. Përballë tyre nuk ka njeri.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: