Përpjekje e re për të minuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi?

Përpjekje e re për të minuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi?
Absurdi, një deklaratë e MPJ grek Kotzias për Turqinë, komentohet si qëndrim ndaj Shqipërisë. Vihet në lëvizje diplomacia e Tiranës dhe Athinës, MPJ shqiptare pohon: Në shtypin shqiptar është keqkuptuar komenti për fqinjin turk të Greqisë

Në Talin të Estonisë u zhvillua ditët e fundit, një samit me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe kandidate në BE. Sikurse shpjegoi MPJ shqiptar Ditmir Bushati, ky ishte “një format periodik shkëmbimi pikëpamjesh mbi mjedisin e sigurisë, procesin e reformave modernizuese dhe përgjigjet e përbashkëta për sfidat e përbashkëta”.

Në kuadrin e këtij samiti, nga Talini, foli për mediat edhe MPJ grek, Nikos Kotzias. Ai u pyet nga gazetarët mbi të rejat nga ky takim. Kotzias tha se në samit u fol për çështjen e Sirisë dhe nevojën për të ndihmuar paqen në Lindjen e Mesme dhe zgjidhjen përmes variantit të dy shteteve, Palestinë dhe Izrael. Kotzias tha se u fol edhe për Korenë e Veriut dhe programin e saj bërthamor, duke u dënuar veprimet e Phenianit.

MPJ Kotzias foli dhe për zhvillimet e fundit në disa vende të Lindjes dhe Ballkanit. “Unë po ashtu theksova se çështjet e të drejtave të njeriut nuk duhen prekur në mënyrë selektive. Paraqita një sërë çështjesh të mëparshme ku pasqyrohen abuzime. Në fund mbajtëm diskutime me vendet e Lindjes, me katër vendet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidate për anëtarësim në BE dhe po ashtu dhe me Turqinë, dhe shkëmbyem pikëpamjet tona për avancimin e kësaj çështjeje. Unë po ashtu diskutova me një numër ministrash dhe Komisionerësh dhe i bëra shumë të qarta kushtet e negocimit që disa nga këto vende kandidate duhet të përmbushin për të hapur negociatat”.

Në fund të deklaratës, z. Kotzias iu përgjigj dhe një pyetjeje “Ministër, ka shumë zëra që bëjnë thirrje për të ndalur procesin e integrimit të Turqisë”.

Përgjigjja e Kotzias ishte: “Është e vërtetë që ka zëra që flasin për një pezullim, ka zëra që bëjnë thirrje për një shtyrje, por mendoj se të gjithë biem dakord se duhet ta shohim më me seriozitet çështjen e Bashkimit Doganor”.

MPJ greke me zbardhjen e plotë të deklaratës ka qartësuar se nuk ka asnjë qëndrim të tillë për Shqipërinë.

Pikërisht ky koment i Kotzias mbi Turqinë, është komentuar në rrjetet sociale në Shqipëri, si qëndrim për Shqipërinë. Në rrjet vërshuan komente të tipit “Greqia i vë veton integrimit të Shqipërisë në BE” dhe këto u kthyen në lajme të portaleve, duke pasuar edhe me deklaratën të hënën të kryeministrit Edi Rama mbi raportet shqiptaro-greke. Ndërsa z.Rama foli gjatë mbi rëndësinë e lidhjeve mes dy vendeve dhe qartësoi se “duam miqësi reciproke, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim strategjik”, deklarata e mëpasme u komentua sërish në rrjet si “kundërpërgjigje” ndaj Kotzias. “Shqipëria, pavarësisht halleve dhe nevojave të saj, nuk do të mbyllë asnjëherë as sytë, as gojën, në mbrojtje të të vërtetave dhe të drejtave të veta”, - u shpreh Rama, duke u pasur nga komente urrejtjenxitëse në rrjet, komente të cilat kontribuojnë fatkeqësisht për dëmtimin e lidhjeve mes dyvendeve. E për më tepër, edhe në mediat greke, ndodhi e njëjta gjë, u keqkuptua dhe deklarata e z.Rama. Të gjitha këto, rrodhën nga komente më së paku të papërgjegjshme në rrjet, e pse jo tendencioze për të dëmtuar lidhjet mes dy vendeve, në kushtet kur diplomacia e Tiranës dhe Athinës, po përpiqet prej kohësh të neutralizojë problemet e akumuluara. Ato janë shumë për tiu shtuar edhe të tjera, thjesht dhe vetëm nga papërgjegjshmëria e disa njerëzve me zellin për të minuar fqinjësinë e vendeve tona.

Ky zhvillim, siç mësoi “Albanian Free Press” ka shqetësuar diplomacinë e dy vendeve. Gazeta mësoi nga burime diplomatike se të hënën ka pasur kontakte mes MPJ shqiptare dhe asaj greke, ku pala jonë ka pohuar se në shtypin shqiptar ka pasur një keqkuptim të deklaratës së z.Kotzias.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: