PSE KAQ EGËR?!- OPINION NGA FRROK ÇUPI

PSE KAQ EGËR?!- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Socialistët e rinj postkomunistë, po luftojnë egër? Pse? Nuk ka asnjë arsye. Socialistët e tanishëm, janë në kushte më komode se komunistët e vitit 1945. Ata nuk ishin kaq të lirë, madje as kishin fituar kaq shumë pushtet sa kanë fituar socialistët sot. Partia Socialiste e Shqipërisë ka fituar pushtet të pakontrollueshëm, me shumicë parlamentare, madje edhe me shumicë morale dhe politike. Sado që njerëzit të jenë të pakënaqur më qeverinë e majtë postkomuniste, ata këtu do të rrinë, sepse përballë nuk ka opozitë.

Atëherë, pse luftojnë kaq egër?

Kjo është pyetja. Ku është egërsia?

A nuk u emërua Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pikërisht në 26-vjetorin e masakrës së Shkodrës që dokumentohet si vepër e Gramoz Ruçit? Atëherë, zoti Ruçi ishte ministër i Brendshëm, d.m.th., ministër i organeve të dhunës së pushtetit. Sot, është kryetar i shtetit të demokracisë. Po, pse vallë, ish-komunistët (sot socialistë), duhet të luajnë kaq egër kundër viktimave të tyre, që bënë sikur ndërtuan demokraci?

Partia Demokratike e cila mbajti pishtarin e lirisë dhe demokracisë për tre dekada, tanimë, e ka lëshuar edhe pishtarin edhe flamurin. Kryetari i tanishëm i PD-së, i ka falur të gjitha. Disa njerëz thonë se i ka shitur. Po pse duhet t'i shesë? Ose më mirë, le të themi kush do ta blejë Partinë e tij Demokratike? Tani, ajo nuk ka asnjë vlerë, përderisa kryesia e partisë  e bëri leckë partinë e vet. Partia Demokratike as është e lirisë, as e demokracisë, as e Azem Hajdarit, as e studentëve, as e Gramoz Pashkos, as e viktimave të komunizmit.

Atëherë, pse vallë duhet që Partia Socialiste të ndezë motorë kaq të fuqishëm, saqë të zgjedhë ministrin e diktaturës në krye të Kuvendit. PS-ja mund të zgjidhte edhe dordolecin e fshatit në krye të Kuvendit dhe njerëzit do ta shikonin si hero komunist. Por edhe demokratët antikomunistë nuk do të ndjeheshin, sepse u zgjodh një dordolec. Por që të zgjedhësh Gramoz Ruçin ministër, i cili urdhëroi fuqinë ushtarake të qëllojë që nga lartësitë, kundër grumbullimeve antikomuniste, edhe kjo është shumë e tepërt.

Pse vallë, duhen irrituar njerëzit, qoftë demokratë?

Në vendin tonë, po thuhet se antikomunistët janë në numër më të pakët se komunistët, gjë që nuk mund të vërtetohet. Por edhe sikur 1% e popullsisë të jetë antikomuniste, pse vallë u dashkan irrituar këta njerëz, duke zgjedhur në krye të shtetit një xhelat të periudhës së komunizmit?!

Partia Socialiste po luan egër. Pa u mbushur ende tri dekada nga përmbysja e baballarëve komunistë, PS-ja guxon më shumë se komunistët e parë. Në qeverinë “Rama 2”, janë instaluar disa ministra me origjinë nga diktatura, madje vetëm me atributin ish-komunist. Një nga ministret. është bija e Llambi Gegpriftit, - kandidat i Byrosë Politike në atë kohë. Ministri i jashtëm u zgjodh përsëri Ditmir Bushati - biri i nënkryetarit të Persekutimeve dhe Dëbimeve. Në krye, dihet, është biri i Kristaq Ramës, anëtar i përjetshëm i Byrosë Politike. Më në krye, ndodhet Gramoz Ruçi, ministër i dhunës në diktaturë...

Por pyetja bëhet: Pse, vallë, PS-ja luan kaq egër, duke përdorur karta komuniste në qeveri? Nuk ka asnjë nevojë. Përballë ka një opozitë po aq të majtë dhe servile të komunizmit, sa ç'është vet. Opozita e PD-së është krijesë e laboratorëve të majtistëve të George Soros, në të njëjtën tepsi, me lidershipin e PS-së. Lideri i PD-së ka ndërtuar një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin postkomunist, që lejon eliminimin e gjithë forcave demokratike antikomunistë në Shqipëri.

Qeveria me rrënjë në komunizmin e Hoxhës, sot nuk ka opozitë.

Atëherë, mund të shtrohet pyetja: Po pse kaq egër luftoni ju, vëllezër komunistë!? Nuk është nevoja. Tepsinë tuaj ja, ku ua kanë shtruar edhe “antikomunistët".

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: