Qiraja tendenca e preferuar, por që kushton

Qiraja tendenca e preferuar, por që kushton
Qytetarë, por edhe përfaqësues të agjencive imobiliare  sqarojnë për “Albanian Free Press” situatën aktuale, me trendin në rritje të qiramarrjes në kryeqytet, shoqëruar edhe me çmimet që vërtiten rreth saj

 ***

“Kemi mbi dy muaj, që kërkojmë ta ndërrojmë shtëpinë. Por nuk po gjejmë dot një, të paktën, me çmimin që kemi tani, 25 mijë lekë në muaj qira. Le pastaj më të ulët, as bëhet fjalë!”

Ana dhe Klodi, - dy vajzat që jetojnë prej kohësh me qira në kryeqytet, pranë zonës së Farmacisë 10, - duken mjaft të mërzitura teksa pohojnë një fakt të tillë, ndërsa u duhet patjetër ta ndryshojnë banesën, në një lagje tjetër, për shkak të ndërrimit të vendit të tyre të punës këtë sezon. Sikundër, në të njëjtin stres duket se po paraqiten edhe ata që, tashmë, në përfundim të sezonit veror, po i drejtohen kryeqytetit për të banuar, studentët.

“Nuk po mund të gjej një shtëpi nën 20 mijë lekë në muaj. Me këtë shumë, gjen vetëm garsioner, madje, edhe përreth Qytetit Studenti ku duhej të ishte më lirë. Por më shtrenjtë nuk na leverdis, as mua dhe as vëllait”, - tregon Entela, e cila ka ardhur këto ditë në kryeqytet, për të qenë gati në kohën e nisjes së universitetit. Të gjitha këto, situata të cilat duket se i kanë vënë në vështirësi kërkuesit e një banese me qira në kryeqytet ku, këto të fundit, shfaqen vetëm me trend rritës.

Një fakt të tillë e pohon, posaçërisht, për “Albanian Free Press” edhe përfaqësuesja e agjencisë imobiliare “Elite Proprieties”, Estela Ziu. “Aktualisht, ka shumë kërkesa për qira. Janë shtuar sidomos ato për banim”, - pohon ajo, lidhur me dukurinë në fjalë. Duke shtuar se qiraja si e tillë, vitet e fundit, është kthyer në një tendencë, teksa njerëzit preferojnë që kursimet të mos i ngurtësojnë më në pasuri të paluajtshme, ose, ana tjetër, nuk arrijnë dot t’i bëjnë të gjitha paratë bashkë, për të blerë një të tillë, e kësisoj zgjedhin qiranë si alternativë strehimi. Ndërsa, lidhur me shifrat konkrete të qiradhënies në kryeqytet, ajo referon si nivelin më të lartë, ato në zonën e ish-Bllokut, që vërtiten nga 500 deri në 1000 euro. Kurse më të ulëtat, rezultojnë se janë në zonën e Freskut dhe të Yzberishtit, përkatësisht në nivelet rreth 100-200 euro. Për të vijuar me ato të zonës së Porcelanit që arrijnë deri në 300 euro, e më tej, duke iu afruar Zogut të zi dhe Don Boskos, që një banesë shkon edhe deri në 500 euro qiradhënie mujore. “Mesatarja që kërkohet, është apartamenti 2+1 dhe të mobiluara”, - saktëson ajo më tej. Për të përfunduar, pikërisht, me sqarimin e kësaj të fundit, se tashmë mobilimi i një banese po kthehet në një detyrim për qiradhënësit, ndërsa e ofrojnë një të tillë, kundrejt çmimeve që janë gjithmonë e më të larta, trend ky tashmë i pandalshëm.

 

Ndërtuesit: Shitjet veç në euro, edhe pse ajo ra

Një dukuri që u vu re gjatë këtij viti mes ndërtuesve, ishte pikërisht ajo e vazhdimësisë së shitjes së banesave të ofruara prej tyre sërish në monedhën evropiane, euro, edhe pse kjo e fundit në këtë pjesë të vitit njohu një rënie drastike të saj. Kujtojmë se ajo arriti në kufirin minimal të këmbimit me 131 lekë, por që mesa duket nuk ka ndikuar aspak në ndryshimin e trendit shqiptar të shitjes së banesave të reja me të dhe jo me paranë vendase. Këtë e konfirmojnë posaçërisht për “Albanian Free Press” vetë sipërmarrës të sektorit të ndërtimit, sipas të cilëve, edhe gjatë këtij viti, ata të gjitha shitjet i kanë realizuar në monedhën evropiane. “Edhe nëse ka patur ndonjë të tillë me monedhën vendase që na kanë ofruar blerësit, ajo është bërë kundrejt kursit ditor të këmbimit valutor me monedhën evropiane, euro”, sqarojnë ata lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar nga ana tjetër, se shitjet edhe gjatë këtij viti nuk kanë shënuar ndonjë nivel rritës të tyre, përkundrazi kanë qenë më të ulëta. Dhe një gjë të tillë ata e shpjegojnë me faktin se po bie gjithmonë e më shumë fuqia blerëse e emigrantëve të vijnë. Ndërsa turistët nga ana tjetër, edhe pse po shtohen në numër nga viti në vit, nuk është se po përfaqësojnë një potencial blerës për pasuritë e patundshme, pasi e vizitojnë Shqipërinë për pak ditë.

Çmimet e blerjes/ Shtrenjtohet Unaza e Re, Ish-Blloku mbetet ende “mollë e ndaluar”

Zona e Ish-Bllokut në kryeqytet vazhdon që të mbetet ende “mollë e ndaluar” për shumë qytetarë shqiptarë, sa i përket ëndrrës së blerjes së një shtëpie, pasi çmimet e tyre aty variojnë nga 1500 deri mbi 2 mijë euro/m2. Më tej, agjencitë imobiliare referojnë se në kryeqytet çmimet vijnë duke u ulur deri në nivelin e 800-1000 euro/m2 në banesat rreth zonës së Liqenit Artificial. Sikundër e shtrenjtë mbetet edhe ajo e zonës së qendrës dhe e rrugës “Myslym Shyri”, ku të blesh një shtëpi varion në kufijtë e rreth 1200-1700 euro/m2. Por nuk janë më tashmë edhe aq të lira si dikur banesat në zonën e Zogut të Zi apo ato në Don Bosko, për të cilat agjencitë imobiliare referojnë se blihen kundrejt çmimeve në kufijtë e 800-1100 euro/m2. Sikundër, më të shtrenjta se më parë po rezultojnë kohët e fundit edhe banesat në zonën e Unazës së Re. Konkretisht, aty raportohet se një banesë ka arritur të shitet deri në 600 euro/m2, kurse më parë e gjeje edhe në nivelet prej 400-450 euro/m2.

TRANSAKSIONET

80% e transaksioneve për blerje apartamenti realizohet në kryeqytet. Kjo shifër jepet nga përfaqësuesit e agjencive imobiliare në vend, duke treguar në këtë mënyrë se tregu i shitblerjeve të patundshme në vend është i përqendruar në qendrën më të madhe urbane dhe industriale të vendit. Nga ana tjetër, ata konfirmojnë se kohët e fundit transaksionet më të shumta për shitblerje pasurie të patundshme në kryeqytet, janë bërë pikërisht në zonën e Unazës së Re. Vetë Estela Ziu shpjegon se aty përveçse një oferte të lartë ndërtimesh të reja prej firmave të ndërtimeve, ka nga ana tjetër edhe një kërkesë gjithmonë e në rritje për blerjen e tyre prej qytetarëve që vijnë nga rrethet e tjera në vendit drejt kryeqytetit.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: