“Rama 2”, ekonomia pikë kyçe e programit të ri të qeverisë

“Rama 2”, ekonomia pikë kyçe e programit të ri të qeverisë
Eglantina Nasi

Ekonomia prin programin e ri me të cilin qeveria e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017 do të drejtojë vendin gjatë mandatit të radhës, 2017-2021. Kjo është ajo çka bie në sy në 28 faqet e këtij dokumenti paraprak, i cili iu prezantua sot në mënyrë zyrtare organit të legjislativit.

Duke nisur pikërisht me një objektiv të qartë: Rritje e qëndrueshme gjithëpërfshirëse dhe stabilitet makroekonomik! Që të dy këta, komponentë mjaft të rëndësishëm për të siguruar një mbarëvajtje të qetë të qeverisjes në katër vitet e ardhshme, përtej reformave të tjera imperative për t’u realizuar me çdo kusht, si përshembull ajo për drejtësinë.

Konkretisht, në kapitullin ekonomik të programit qeverisës 2017-2021, një vend kyç e zë paketa “Një miliard”, për të cilën sqarohet sesi do të injektohen më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi. Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% e PBB-së. Jemi të vendosur për të vazhduar përdorimin e instrumenteve financiare, si Partneriteti Publik - Privat, për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi. Me paketën “1 Miliard” do të injektojmë më shumë se 100 miliardë lekë në ekonomi, nëpërmjet angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese , duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike”, sqaron dokumenti në fjalë lidhur me të. Duke shtuar më tej se në mandatin e radhës synohet që të thellohet rritja ekonomike duke arritur në nivelin e parashikuar prej 5.5% -6%. Sikundër, pretendohet edhe një ulje graduale e borxhit publik nën nivelin prej 60%. Nga ana tjetër, qeveritarët e rinj në pjesën që i përket ekonomisë, përmendin edhe detaje të tjera si projektet më prioritare infrastrukturore, të tilla si Korridori Adriatiko-Jonian, ndërtimi i Rrugës së Arbrit, akset Fushë Krujë-Shkodër dhe Thumanë-Kashar, si dhe disa “Bypass”-e. Gjithashtu, turizmi shihet prej tyre si prioritet për katër vitet e ardhshme, ku qeveria synon të konsolidojë pikërisht katër destinacione turistike kombëtare: Alpet shqiptare, Jugun e ri, portet dhe marinat, si edhe Tiranën. “Progresiviteti do të vazhdojë të jetë në qendër të filozofisë sonë fiskale”, është një tjetër fakt që bëhet me dije, në kuadrin e politikës që qeveria e re do të ndjekë me taksat ndaj popullatës për katër vitet e ardhshme.

Për të përfunduar me përmendjen e sektorëve të tjerë mbështetës të ekonomisë si mjedisi etj, për të cilët qeveria paraqet mjaft premtime se do t’i realizojë në mandatin e saj të radhës.

REFORMA

“Rilindja rurale”, koncepti i ri i qeverisë për fshatin në katër vitet e ardhshme

Ndërsa në mandatin e saj pararendës, 2013-2017, qeveria “Rama 1” promovoi të ashtuquajturën “Rilindje Urbane” që kishte të bënte pikërisht me rehabilitimin e qendrave kryesore të qyteteve në rang vendi, këtë herë, në programin e saj qeverisës promovohet nisma “Rilindja Rurale”. “Në këtë mandat “Rilindja rurale” do të jetë programi i integruar i zhvillimit të qendrave të banuara, zonave me interes turistik, apo i zonave rurale në të cilat do të synohet përmirësimi infrastrukturës,vlerësimi i traditave dhe trashëgimisë kulturore të tyre, etj”.

PROCESI

Reforma në drejtësi, një kusht për t’u përmbushur

Reforma në drejtësi, mbetet një kusht për t’u përmbushur nga qeveria “Rama 2” në katër vitet e ardhshme. “Këmbëngulëm dhe arritëm konsensusin e plotë politik për miratimin e Reformës në Drejtësi. Pikërisht, në fushën e drejtësisë, do të fokusohet në këto shtylla kryesore:  Jetësimi i reformës në drejtësi, nëpërmjet ofrimit të gjithëmbështetjes së nevojshme të realizimit të procesit të vetting-ut me sukses, si dhe në procesin e ngritjes së institucioneve të reja qeverisëse dhe drejtuese të gjyqësorit e të prokurorisë, të domosdoshme për zbatimin e reformës në drejtësi”, citon ajo në dokumentin e saj të programit qeverisës 2017-2021. Për të vijuar më tej me faktin se “përmbushja e të gjitha përgjegjësive të qeverisë për marrjen e masave me qëllim pasjen e një sistemi drejtësie të pavarur, efiçent, të pakorruptuar, profesional dhe të aksesueshëm nga qytetarët”.

INTEGRIMI

Konsolidim i pozitave të Shqipërisë jashtë territorit

Konsolidim i pozitave të Shqipërisë jashtë territorit të saj, sidomos në hapësirën euro-atlantike, është një tjetër pikë e rëndësishme e programit të saj në katër vitet e ardhshme, sa i përket politikës së jashtme. “Vizioni ynë për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, si dhe mbi një pozicionim realist dhe dinamik brenda katërkëndëshit strategjik rajonal (Itali - Austri -Greqi - Turqi) ku artikulohen interesat kombëtare të Shqipërisë, si një vend i kyçur në Ballkan dhe i hapur në Mesdhe”, citojnë ekspertët e qeverisë që janë marrë me hartimin e programit të saj. Duke e përmbyllur me imperativin e vazhdimësisë së procesit të integrimit të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian, si i tillë edhe përgjatë vitet e ardhshme, 2017-2021.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: