Revolta dhe pezullimi i kapitenit! Partizani: Nuk ka çështje “Hoxha”

Revolta dhe pezullimi i kapitenit!  Partizani: Nuk ka çështje “Hoxha”
Si të mis mjaftonte humbja 2-0 me Laçin, Partizani njoftoi edhe për pezullimin e portierit, Alban Hoxha.

“Nuk ka çështje Hoxha, por mungesa e tij në fushë ishte një tregues se klubi i mëshon disiplinës. Përsa i takon mosaktivizimit të Bathës, po flasim vetëm për një ndeshje, në të cilën nuk luajtën as Malota e Krasniqi. Te Partizani ka 23 futbollistë, që janë të gjithë të rëndësishëm,” – theksoi Genc Tomorri, pjesë e stafit drejtues të të kuqve, një ditë pas vendimit.

Mësohet se Alban Hoxha ka mbetur i pakënaqur me klubin, mbi të ardhmen e tij në kampionatin shqiptar. Ai synonte të kalonte në një skuadër të huaj. Ishte Kievo që u interesua për portierin e Partizanit, ashtu sikurse pati interesim edhe nga skuadra të tjera të huaja. Nga impenjimet e Partizanit në Europa League, deri te dilema për të shitur kartonin e tij me çmimin e afruar arritën kulmin pas ndeshjeve të kombëtares, teksa Hoxha pas grumbullimit nuk u paraqit në kohë. Ishte mbyllur merkato në Europë dhe për këtë arsye portieri e kapiteni i Partizanit kërkoi të paktën kushte më të mira financiare në kontratë.

Gjithsesi, Tomorri foli më tepër për pasojat e humbjes me Laçi, një javë para se të luhet ndeshja e javës së dytë kundër Kukësit. - “Nuk e nisëm në mënyrën më pozitive kampionatin. Zhgënjyem me rezultat, megjithatë ishte vetëm ndeshja e parë. Humbëm 3 pikë në shtëpi dhe ndjehemi paksa të zhgënjyer pavarësisht se jemi vetëm në fillim të kampionatit.”

“Objektivat nuk ndryshojnë. Partizani synon titullin. Ajo që ndodhi ndaj Laçit ishte thjesht një aksident. Ekipi duhet të bënte më shumë pasi në ndeshjet e para duhen grumbulluar pikë. Kjo është merkato më e mirë që klubi ka bërë krahasuar me vitet e tjera prandaj ishte një ndeshje e cila nuk duhej humbur. Përsa i përket përforcimeve nuk mund të vlerësohen në një ndeshje të vetme, por në vazhdimësi,” – theksoi Tomorri.

Edgar Çani është pjesë e skuadrës dhe pritet të rikthehet një javë më vonë. Megjithatë rikthimi, sipas Genc Tomorrit, do të varet nga gjendja e futbollistit dhe nga stafi teknik. /a.m/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: