SA SHANC KA, TË KAPIM SHANCIN…

SA SHANC KA, TË KAPIM SHANCIN…
 

Nga MERI DISHNICA

 

A e ke parasysh lojën me zare?! Diçka e tillë luhet në jetë, vetëm se zaret përzihen nga duar të sprovuara zotash. E kështu, shanset shpalosen vrullshëm para nesh, si një mozaik me mijëra copëza vegimesh të paqartë dhe të pangjyrë. Ndihemi të plogësht, ndërsa i shohim të na shpërbëhen para syve… e ndihemi të humbur, sepse s’i kemi njohur, e jo më t’i kemi kapur apo shfrytëzuar.

Në fakt, fjala shans vjen nga fjala latine CADERE, që do të thotë “të biesh”. E ndërsa bie, ndërlikohet edhe më shumë procesi i llogaritjes dhe përzgjedhjes, njohjes dhe identifikimit të shansit.

E ashtu gjërat ndërlikohen në jetë, sikur të ishe në  rënie të lirë. Sepse shanset për të marrë maksimumin, ndërsa je duke rënë,  janë të komprometuara në emër të një rregulli abstrakt.

Madje, edhe mundësitë që na shfaqen në jetë, janë “të maskuara” me parandjenja të çuditshme ngatërruese, aq sa duken të lehta dhe komplet ajrore, si një  tullumbace me hidrogjen.

E ndërsa nuk mund të merremi me fatin e zareve, hedhur nga duart e sprovuara të zotave, çfarë duhet të bëjmë NE, është të merremi me këto që kemi ndërkohë në dorë (sepse ndonjëherë të bien zaret, ndonjëherë “punon” me to).

 

Njohja e probabilitetit për X rrjedhë veprimi

Ne e përdorim probabilitetin subjektiv në jetën tonë, për të marrë vendime edhe pse nuk e dimë 100%, cilat do të jenë pasojat, por dimë një rrjedhë të supozuar ngjarjesh. E përdorim probabilitetin për të përcaktuar kursin më të mirë të ngjarjeve dhe për të reduktuar mundësitë e dështimeve. Gjithashtu, probabiliteti përdoret gjatë parashikimit të motit, në  strategjitë e lojës në sporte të ndryshme, në kompanitë e sigurimit apo në plane biznesesh, në lojërat elektronike etj.

 

Praktika, si një udhëzuese e mirë

Në fakt, praktika na mëson me anë të një rregulli përjashtues të pësimeve që kemi përjetuar. Në këtë mënyrë, ne mësojmë të mos bëjmë të njëjtin gabim dy herë. Duke përmirësuar/ndryshuar sjelljen tonë, në kuadër të marrjes së X pasojave të ndryshme më të mira, se më parë.

-    Planifikimi dhe organizimi

Planifikimi të ndihmon në mbarëvajtjen e përgjithshme dhe të shkurton kohën e kryerjes se X pune. Të kesh gjërat të organizuara, të duket sikur ke gjithçka në kontroll, e menaxhon më mirë kohën dhe je më produktiv.

 

Dhe pasi t’i kemi përmbushur këto që përmendëm, duhet të sigurohemi që, kur shansi të na kaloje pranë, ta njohim dhe ta shfrytëzojmë. Ta njohim shansin në mijëra shfaqjet e tij të ngatërruara si dreqi, është një nga sfidat më të mëdha të jetës. Disa njerëz i kalojnë gjithë kohës pranë dhe s’e kapin dot; të tjerë e kapin edhe pse nuk duan aq shumë “ta kapin”. Ndërsa disa të tjerë e kapin dhe e keqpërdorin, të tjerë thjesht flenë...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: