Shqipëri-Itali, në Shkodër vjen lamtumira zyrtare e Lorik Canës

Shqipëri-Itali, në Shkodër vjen lamtumira zyrtare e Lorik Canës
Ish-kapiteni i ekipit kombëtar të futbollit Lorik Cana do të mbyllë zyrtarisht karrierën e tij më 9 tetor përpara ndeshjes së fundit zyrtare eleminatore të Kupës së Botës, Shqipëri-Itali.

FSHF njoftoi zyrtarisht se do të organizojë ceremoninë e posaçme për mbylljen e karrierës të kapitenit të saj ndër vite.

Lorik Cana numëron edhe rekordin e pjesëmarrjes me fanellën kuqezi të përfaqësueses, duke luajtur plot 93 ndeshje. Ai udhëhoqi kuqezinjtë si kapiten në arritjen historike të kualifikimit në finalet e Euro 2016.

Përpara nisjes së takimit Shqipëri-Itali në “Loro Boriçi”, ndeshje që mbyll fushatën e kualifikuesve të botërorit, një ceremoni speciale do të realizohet në vlerësim dhe mirënjohje për ish-kapitenin Lorik Cana.

Ish-kapiteni i mirënjohur i kombëtares sonë, nuk luan më futboll prej një viti, por mësohet se ai ka zgjedhur vetë që ta mbyllë karrierën në këtë ndeshje speciale, që pritet të tërheqë vëmendje të gjerë të tifozëve shqiptarë.

Në karrierën e tij si futbollist Lorik Cana ka luajtur me ekipe si PSG, Olimpik Marsejë, Sunderland, Gallatasarai, Lazio e Nantë, dhe ka mbrojtur për më shumë se një dekadë ngjyrat kuqezi, duke mbajtur gjatë viteve të fundit edhe shiritin e kapitenit. Në mbyllje të Euro 2016, Lorik Cana vendosi të tërhiqej nga Kombëtarja Shqiptare e Futbollit.    /a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: