SHQIPËRI- KOSOVË, PËRTEJ NJË PROTOKOLLI- OPINION NGA ALFRED PEZA

SHQIPËRI- KOSOVË, PËRTEJ NJË PROTOKOLLI- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Tiranë, është pjesë e një rituali të ditur tashmë, sa herë që në Prishtinë kemi një qeveri të re. Dhe e anasjellta është gjithashtu e vërtetë: Kryeministrat e Shqipërisë, pas marrjes së detyrës, vizitat e para zyrtare, pothuajse i kanë programuar gjithmonë, fillimisht në Republikën e Kosovës. E njëjta gjë është edhe në nivelet e tjera të protokollit shtetëror, si andej dhe këndej kufirit: Presidentët e dy vendeve, kryetarët e Kuvendit, ministrat dhe më poshtë në të dyja piramidat, kanë të njëjtin prioritet në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mediat tona e marrin këtë si diçka të mirëqenë dhe të kuptueshme, për shkak të raportit specifik historik. Ndaj gati, thuajse, nuk prodhojnë më nga këto takime, ndonjë lajm kushedi çfarë. Veç njoftimeve që, me shumë sforco, shpërndajnë zyrat e shtypit të këtyre institucioneve, apo transmetimit të pamjeve që, më shumë duket sikur kanë vlera arkivore për të ardhmen, sesa vlerë informuese për të sotmen. Pasi edhe marrëveshjet që nënshkruhen apo të rejat që deklarohen nga goja e protagonistëve, edhe nëse janë të reja vërtetë dhe teorikisht me interes, janë të kuptuara. E për rrjedhojë, ato më shumë shihen si detyra shtëpie për t’u bërë nga Tirana dhe Prishtina; pra, si një rutinë e domosdoshme, sesa si informacione të vlefshme me interes të gjerë publik.

I vetmi lajm që do të prodhohej e do të kishte vlerën e diçkaje me interes të jashtëzakonshëm, si për mediat ashtu edhe për opinionin publik mbarëshqiptar dhe ndërkombëtar, do të ishte e kundërta. Vetëm nëse ky rregull, për të zhvilluar vizitat e para reciproke në dy anët shqiptare të kufirit, nuk do të zbatohej qoftë edhe në një rast, do të kishim jo lajm, por një scoop të vërtetë. Gjë që as ka ndodhur dhe as besoj se do të ndodhë ndonjëherë.

Kryeministri Haradinaj u prit dje në Tiranë, në nivelin më të lartë të ceremonialit shtetëror, që parashikon protokolli i shtetit shqiptar: Me ceremoni ushtarake mirëseardhje, në mjediset e Pallatit të Brigadave. Më pas, takimet vijonin me homologun e tij në Tiranë, Edi Rama, me Presidentin, Ilir Meta, me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, me liderin e opozitës, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrin Berisha dhe pretendentin për fronin mbretëror, Princin Leka II, etj.

Deri këtu, duket sikur nuk ka, vërtetë, asgjë as për të thënë e as për të shtuar, ndaj edhe këto radhë duken gati si të kota. Ajo që do të doja të komentoja, ka lidhje me një detaj shumë të rëndësishëm që vura re, gjatë kohës që po ndiqja tri aktivitetet e para të z. Haradinaj. E para, takimin e dy kryeministrave, së bashku me delegacionet e zgjeruara të të dyja vendeve. Së dyti, takimin inaugurues të Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit. Së treti, konferencën e përbashkët për shtyp të të dy kryeministrave, përpara mediave, në orën 11:30.

Në të trija këto takime, vura re që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kishte të parapërgatitur fjalën, tezat e bisedimeve dhe shtjellimin e ideve, çështjeve dhe temave të takimeve të kësaj vizite. Ai u kujdes, në të trija rastet, që të fliste me letër, jo vetëm si Kryeministër i Shqipërisë, por edhe si përfaqësuesi i shtetit amë dhe mikpritësi nr. 1 i Tiranës, kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, dhe shefi i qeverisë që e ka edhe për detyrim kushtetues të kujdeset për qytetarët shqiptarë, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në Ballkan, por kudo që ata jetojnë e punojnë sot, nëpër botë.

E kundërta ndodhi me Kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Ajo që ra lehtësisht në sy, në të trija këto aktivitete, ishte fakti se ai veç improvizoi në këto takime, duke folur çfarë atij dukej se i vinte në mendje, në atë momente. Pa qenë i përgatitur më parë me shkrim, apo në formë tezash, pikash, piketash, çështjes, ose "topics" siç njihet në politikën anglo-sanksone dhe atë ndërkombëtare. Një detyrë kjo, sigurisht, jo vetëm e atij personalisht, por edhe e institucioneve përkatëse, duke filluar nga stafi i tij i ngushtë, ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë apo edhe të tjerave instanca e institucione të qeverisë dhe shtetit të Kosovës.

Sigurisht që z. Haradinaj, tashmë, prej shumë e shumë vitesh, pasi hoqi uniformën e komandantit të UÇK-së dhe krijimit të Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kryetar i së cilës është, është marrë me politikë. Ka një përvojë shumë të gjatë tashmë, si ligjvënës, në Kuvendin e Kosovës, siç ka përvojë edhe në drejtimin e punëve të një qeverie, pot ë kemi parasysh se ka qenë edhe një herë tjetër, më parë, (pavarësisht se vetëm 100 ditë) kryeministër i vendit të tij.

Kjo e bën një politikan të tillë, të sigurt dhe i jep mundësinë edhe të improvizojë. Të flasë "me duar në xhepa", si i thonë. Pa kartë apo pa letër. Pa fjalime, pa çështje të shkruara e të përgatitura me parë, jo vetëm si të dakordësuara, të menduara, të studiuara, por edhe të shtjelluara me një gjuhë dhe duke prodhuar një dokument, që do t’i mbetet arkivave, historisë së marrëdhënieve mes nesh, por edhe historisë së tij si kryeministër, apo qeverisë së tij.

Këtu, kemi të bëjmë më shumë se me një çështje thjesht formale apo protokollare. Kemi të bëjmë më shumë se me një problem etik apo të formës së komunikimit publik, për të rritur seriozitetin, përpara opinionit dhe për rrjedhojë edhe besueshmërinë, siç edhe ia kemi mësuar studentëve të shkencave politike apo të komunikimit. Kemi të bëjmë më shumë sesa me një aspekt thjeshtë dhe vetëm të gjuhës, të stilit apo edhe të mënyrës së aktrimit të pozicionit të kryeministrit të një shteti. Këtu, del në pah një problem akoma edhe më i madh, madje, edhe sesa thjesht një çështje stereotipi në sjelljen apo aktrimin e detyrës së kryeministrit nga Rama apo nga Haradinaj.

Sepse kemi të bëjmë, me sa duket në realitet, me koshiencën që duhet të ketë një kryeministër, për të investuar në kulturën e planifikimit dhe jo në atë të improvizimit. Duken si dy gjëra krejt pa rëndësi, e pa ndonjë ndryshim të madh në dukje, nga njëri tjetri. Por, në realitet, përbëjnë edhe thelbin e gjithçkaje, për të kuptuar se përse një shtet e një popull ndryshon nga një tjetër, duke qenë më i zhvilluar historikisht në çdo aspekt, sesa një tjetër. Duke qenë jo vetëm më serioz në formë, por edhe më i zhvilluar në aspektin social-ekonomik, politik e të sigurisë, gjë që reflektohet, në fund të fundit, nga standardi i jetesës dhe perspektiva e qytetarëve të vet.

Kultura e planifikimit dhe e improvizimit, janë thelbi që dallon qytetërimet. Që dallon kombet dhe shtetet nga njëri- tjetri. Për rrjedhojë, edhe qeveritë dhe kryeministrat e tyre. Nuk është ndonjë e re të thuhet se është e vërtetuar, që perëndimi është më i zhvilluar që herët për të arritur kulmin në epokën moderne, jo rastësisht, por përveç të shumë aspekteve dhe rrethanave të tjera, edhe për shkak se shoqëritë e tyre e kanë, tashmë, mënyrë jetese kulturën e planifikimit, kurdo dhe në çdo gjë. Duke mos i lënë asgjë rastësisë dhe duke e përgatitur që shumë më parë, suksesin që edhe kanë.

Përkujdesjen e Kryeministrit, Edi Rama, të paktën që nga 2013 kur u bë kryeministër,  deri më sot, për tu përgatitur që më parë e për t’i mbajtur fjalimet apo deklaratat të shkruara, e shoh, përveç të tjerash, edhe si një përpjekje për ta larguar Shqipërinë nga kultura e improvizimit, e për ta futur, të paktën në këtë pikë, drejt rrjedhave të reja të kulturës së planifikimit. Kosova, si shteti më i ri në Europë, mund të ketë shumë gjëra për të mësuar ende nga Shqipëria, e cila, më 28 nëntor, feston 105-vjetorin e pavarësisë. Por nëse do ta fillonte nga ky aspekt, nuk do të duheshin shumë investime, thjeshtë pak më shumë kulturë planifikimi. Kaq do të mjaftonte, për të hedhur edhe një hap drejt familjes europiane, ku të dyja vendet po përpiqen aq shumë, - të paktën me deklaratat e liderëve dhe klasës politike,- për t’u integruar sa më parë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: