SHTETI MBLEDHUR NË NJË GJOKS- OPINION NGA SONILA MEÇO

SHTETI MBLEDHUR NË NJË GJOKS- OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Si për t’i paraprirë çdo raporti që verifikon ecurinë e punës së qeverisë, nga institucione kombëtare, shumica kujdeset, gjithnjë e më shpesh, të na kujtojë se në 27 vjet, shteti është shkatërruar, se do të bëjmë shtet më në fund, se shteti po nis nga ground zero. Kjo do të lehtësonte çdo pretendim mbi vullnetin e mirë, por të keqkuptuar të atyre që kanë marrë përsipër të bëjnë shtet. Por, sado romantike, e ndjerë, por edhe e vërtetë të ngjajë përpjekja e qeverisë për të nisur reformën më të madhe shtetërore, shteti ka ende në këmbë mekanizmat që e mbajnë gjallë, kushtetutën, ligjet, institucionet..., të cilat nuk mund të zerohen sërish me rënien e gjoksit, si çekiçi i verdiktit të padiskutueshëm

Pak kohë më parë, kryeministri njoftoi se plani për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, është pjesë e Projektit 1 Miliard Euro. Pas analizës së mësipërme, shumë dyshimeve, edhe vetë FMN-ja qe kundër mënyrës së financimit të tij. Qeveria ra fillimisht dakord me kompaninë kineze, China State Construction, kompania e ndërtimit e treta më e madhe në botë, me financim të qeverisë kineze. Por kompania kineze u tërhoq, pasi nuk ra dakord me kushtet e imponuara nga qeveria shqiptare. Tashmë, nën një marrëdhënie të re PPP, është një kompani shqiptare që ofrohet, ku projekti është më i shtrenjtë se ai i firmës kineze dhe shteti shton financim. Pse? Me një fjali se “nisim në shtator Rrugën e Arbrit dhe i japim fund kësaj historie”, a jemi të sigurt se marrim rrugën më cilësore, me koston e duhur, pa rënduar xhepat? Kush mund ta thotë? Për momentin, një kërcitje e thatë në gjoksin bërë copë nga përbetimet! Shteti është mbledhur në një kraharor!

SHTETI MBLEDHUR NË NJË GJOKS

Sa herë qeverisë i duhet të dëshmojë se po punon seriozisht, thërret në ndihmë koncesionet dhe PPP-të, - Partneritetin Publik Privat. Sa herë publiku duhet të kujtojë, se çfarë është në gjendje të bëjë korrupsioni në këtë vend, thërret në kujtesë koncesionet dhe PPP-të. Deri këtu, jemi në legjendë urbane. Dikush, me të drejtë, mund të akuzojë për një mani të theksuar drejt kritikës ndaj gjithçkaje të mirë, çdo përpjekjeje për të sjellë një frymë të re në qeverisje, një formë të re angazhimi në modernizimin e vendit. Por, si gazetare, parimin kryesor nuk e ndryshoj nga artikulli në artikull, mbetet i njëjti, kërkimi i së vërtetës, nëpërmjet mbledhjes së fakteve për t’i shërbyer çështjeve në interes publik. Me këtë analizë do të merrem, për të lidhur këtë mani PPP-sh të qeverisjes, me interesin publik.

Çfarë i shërben interesit publik, është përgjigjja ndaj disa pyetjeve:

Cili është përfitimi publik, në zgjedhjen e koncesioneve në sektorët publikë?

Mbi ç’studim kosto/përfitime/shërbime efektive, janë dhënë ekzistueset?

Sa cilësore kanë rezultuar?

Sa përfitime të qëndrueshme financiare kanë siguruar?

Cilët kanë qenë përfituesit?

Në një nga intervistat më të vështira për kryeministrin shqiptar, i pyetur mbi këto çështje, pa iu përgjigjur asnjërës në veçanti, por duke garantuar, në vetën e parë, se është bërë më e mira, kreu i ekzekutivit dorëzuar mungesës së argumentit, kaloi në planin emotiv, duke deklaruar, më shumë se një herë, se koncesionet, si politikë e përfshirjes së kapitalit privat në investime publike, janë krenaria e tij, duke rrahur gjoksin.

Por shteti nuk e njeh rrahjen e gjoksit si instancë, i referohet ligjeve, rregullave të shkruara dhe institucioneve. Që nga muaji shkurt, kur në një editorial bëra pyetjen se “çfarë nuk po na thotë qeveria për projektin 1 miliard?”, kanë ndodhur disa ngjarje. Në shëndetësi, thuajse, të gjitha shërbimet janë dhënë me koncesion. Një sërë projektesh publike, gjithashtu, i janë nënshtruar procedurave nën logon PPP (partneritet publik privat). E, ndërkohë, kryeministri hyri në zgjedhje pa program të qartë ekonomik, vijoi të anashkalojë shqetësimin publik mbi mënyrën si po vihej në zbatim projekti 1 miliard dhe akuzat mbi abuzimet me koncesionet e mëhershme. Publiku e shihte nga larg, si një kacafytje militantësh, këtë qëndrim në istikame të qeverisë, nga njëra anë, e kritikëve të mënyrës si po procedohej me PPP-të.

Si për t’i paraprirë çdo raporti që verifikon ecurinë e punës së qeverisë, nga institucione kombëtare, shumica kujdeset, gjithnjë e më shpesh, të na kujtojë se në 27 vjet, shteti është shkatërruar, se do të bëjmë shtet më në fund, se shteti po nis nga ground zero. Kjo do të lehtësonte çdo pretendim mbi vullnetin e mirë, por të keqkuptuar të atyre që kanë marrë përsipër të bëjnë shtet.

Por, sado romantike, e ndjerë, por edhe e vërtetë të ngjajë përpjekja e qeverisë për të nisur reformën më të madhe shtetërore, shteti ka ende në këmbë mekanizmat që e mbajnë gjallë, kushtetutën, ligjet, institucionet..., të cilat nuk mund të zerohen sërish me rënien e gjoksit, si çekiçi i verdiktit të padiskutueshëm.

Për këtë herë, në analizë na vjen në ndihmë Kontrolli i Lartë i Shtetit, - institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar, - që ka për detyrë informimin e publikut dhe Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë nga pushteti qendror dhe lokal, nxitjen e përgjegjshmërisë në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së, për një qeverisje më të mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit. Ky institucion, pak kohë më parë, ka hartuar një raport mbi kontrollin në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), për zbatimin e ligjshmërisë në evidentimin e koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat (lajmi u bë publik nga portali Hashtag). Pra, sa të rregullta kanë qenë procedurat e ndjekura për dhënien dhe zbatimin e koncesioneve? Në parantezë, me qindra milionë llogariten koncesionet e dhëna në katër vitet e fundit, nga qeveria. Por le t’i kthehemi raportit dhe të shohim sa është zbatuar ligji, sa është konsideruar interesi publik, sa janë studiuar sektorët prioritarë dhe sa ka përfituar shoqëria prej tyre? Raporti evidenton:

Nga auditimi në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve(ATRAKO), për zbatimin e ligjshmërisë në evidentimin e koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, konstatohet se, deri më tani, nga Këshilli i Ministrave nuk është hartuar e miratuar një dokument strategjik politikash, për përcaktimin e sektorëve parësorë për investime, të bazuara te partneriteti publik privat, të formave të preferuara të partneritetit publik privat dhe çështje të tjera që lidhen me kuadrin e përgjithshëm të politikave për koncesionet. Gjithashtu, konstatohet se edhe ministria përgjegjëse për ekonominë (MZHETTS), nuk ka një studim të mirëfilltë të tregut dhe propozime prej saj, edhe pse duhet të orientojë dhe harmonizojë veprimtaritë për zhvillimin e koncesioneve/ppp. Qeveria shqiptare, me eksperiencën e deritanishme në këtë fushë (tepër të debatuar), duhet të kishte tashmë një strategji të detajuar politikash në fushën e koncesioneve/ppp.

Këtu problemet rëndojnë vetëm qytetarin e thjeshtë. P.sh.: Qeveria premtoi programin e shëndetësisë falas, të cilin, edhe gjatë prezantimit të programit të ri, e pranoi si të parealizuar. Pavarësisht çdo reforme të ndërmarrë në këtë sektor, koncesioneve të dhëna. Banka Botërore vëren se, shpenzimet nga xhepi i shqiptarëve në shëndetësi, janë më të lartat në Europë, edhe më të larta se Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi. Në këtë situatë, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren mungesë strategjie konkrete në politikat koncesionare, qeveria vijon e sigurt në program, duke bërë me dije se projektet e investimeve në shëndetësi do të zgjerohen me vepra të reja infrastrukturore spitalore, duke shfrytëzuar financimet publike dhe PPP-të. Brenda vitit 2021, do të ndërtohen 8 qendra të reja shëndetësore.

Po në të njëjtën periudhë, një tjetër raport mbështet auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Komisioni i Prokurimit Publik vë re se, përgjatë vitit 2016, janë regjistruar dhe marrë në shqyrtim 1,393 ankesa në total, për prokurimet publike, koncesionet, lejet minerare dhe ankandet. 20% më shumë se një vit më parë. Kryesisht, janë vërejtur paligjshmëri në veprimet apo mosveprimet e autoriteteve kontraktuese, shkelje të procedurave ligjore, shkelje të konstatuara në vlerësim dhe në procedurë, kritere diskriminuese dhe të pambështetura ligjërisht. Raporti jep të detajuara sektorët, përqindjet përkatëse, duke dhënë një ide të qartë si është proceduar me koncesionet dhe PPP-të në mijëra ankesat e regjistruara. Pra, ky proces që bart krenarinë e kryeministrit (megjithëse institucionet audituese konfirmojnë problematikën ligjore dhe nivelet e korrupsionit), tashmë pa e kursyer sërish dorën në zemër dhe kërcitjen e gjoksit prej goditjes garantuese të qeverisë, po bëhet gati të përthithë 1 miliard euro (që në thelb është para publike), pa një strategji, pa respektim kuadri legjislativ, pa analiza krahasimore kosto/përfitim, në një terren pjellor korrupsioni. Pra, interesi publik as konsiderohet, as llogaritet e, mbi të gjitha, troç, popullit i thuhet: Meqë t’i mban, apo derisa të mbash, do durosh ca zgjedhje tonat se, në fund të fundit, as na kërkove llogari e as në dënove për të parat!

Por t’i rikthehemi Bankës Botërore. Çfarë vlerëson ajo si risk, të vendeve që i nënshtrohen zhvillimit të ofertave të vazhdueshme për projektet PPP, janë: shpenzimet e prokurimit rriten ndjeshëm; për këtë arsye, qeveria duhet të përcaktojë, nëse kostot e përfshira në këto investime, janë të justifikuara. Madje, vëren Banka, njësitë e zbatimit të PPP-ve, në mbarë botën, kanë zhvilluar metoda për të analizuar këto kosto. Ku janë tek ne? Sapo na u pohua se edhe strategjia mungon.

E, megjithatë, 1 miliard do të investohen në tre vjet, në projekte infrastrukturore, thotë qeveria. Nëpërmjet PPP-ve (partneritetit publik-privat). Qeveria fton agjenci private, kompani të ndryshme, të ofrojnë kapital dhe asete për të realizuar projekte infrastrukturore. Pra, në një kontratë mes qeverisë dhe kompanive private, vendoset që, këto të fundit, të financojnë, ndërtojnë dhe operojnë elemente të shërbimeve publike. Ato paguhen mbrapsht më pas, për shumë vjet, nëpërmjet tarifave që u ngarkohen përdoruesve ose nga autoriteti publik.

PPP-të kanë rastet e tyre të suksesit e dështimit dhe, duke i krahasuar me gjetjet e auditit të KLSH-së, secili prej nesh mund të kuptojë qartë ku po na shpie qeveria me këtë plan pa strategji.

Sukses PPP-të kanë patur në ato raste kur:

Sektori publik shfaqet me kapacitet të fortë (ku dëshmohet ky fakt?);

Planifikimi është realizuar i saktë, i konsultuar dhe krahasimor me analizën kosto-përfitim, nëse i njëjti investim do të kryhej nga fondet publike (sipas KLSH-së nuk është realizuar);

Prokurimi realizohet transparent, konkurrues dhe gjithëpërfshirës (sipas KLSH-së dhe Komisionit të Prokurimit Publik, ankesat janë shtuar dhe shkeljet bashkë me to);

Kryhet monitorim për reagim të shpejtë ndaj ngjarjeve të paparashikueshme, përfshi kriza financiare (nuk gjendet asnjë informacion zyrtar);

Korrupsioni luftohet fort dhe rekordet janë tejet të ulëta (pa koment...);

Për më tepër, nga do dalin këto fonde private, kur vetë qeveria sapo krijoi ministrinë e Sipërmarrjes, sepse biznesi është në situatë tejet të vështirë. Në auditimin e KLSH-së rezulton se nuk ka një studim të qartë të sektorëve prioritarë, asnjë analizë. Pra, qeveria e ka të lehtë, dëgjon një nga klientët që, me rrjedhjen e informacionit, i pohon se cili sektor është më fitimprurës, vendos rregullat për të lehtësuar përmbushjen e kritereve nga ky pëshpëritës entuziast dhe ja ku del se nuk është sektori më nevojtar që përfiton, por klienti që gjen atë më fitimprurës.

Pak kohë më parë, kryeministri njoftoi se plani për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, është pjesë e Projektit 1 Miliard Euro. Pas analizës së mësipërme, shumë dyshimeve, edhe vetë FMN-ja qe kundër mënyrës së financimit të tij. Qeveria ra fillimisht dakord me kompaninë kineze, China State Construction, kompania e ndërtimit e treta më e madhe në botë, me financim të qeverisë kineze. Por kompania kineze u tërhoq, pasi nuk ra dakord me kushtet e imponuara nga qeveria shqiptare. Tashmë, nën një marrëdhënie të re PPP, është një kompani shqiptare që ofrohet, ku projekti është më i shtrenjtë se ai i firmës kineze dhe shteti shton financim. Pse? Me një fjali se “nisim në shtator Rrugën e Arbrit dhe i japim fund kësaj historie”, a jemi të sigurt se marrim rrugën më cilësore, me koston e duhur, pa rënduar xhepat? Kush mund ta thotë? Për momentin, një kërcitje e thatë në gjoksin bërë copë nga përbetimet! Shteti është mbledhur në një kraharor!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: