Si ka qenë Lushnja më parë dhe si është sot?!

Si ka qenë Lushnja më parë dhe si është sot?!
Gjatë periudhës komuniste në Lushnjë u ndërtua një stadium, që sot mban ermin “Roza Haxhiu”. Në atë kohë stadiumi kishte standarde të pranueshme.

Sot stadiumi ka ndryshuar shumë pak. Është pak a shumë i njëjti.

Lushnja, sot, një nga 10 ekipet e Kategorisë Superiore i ka nisur ndeshjet e para të këtij sezoni jashtë fushës së saj, pasi stadiumi nuk i plotësonte standardet e kërkuara nga FSHF.

Janë kryer disa investime, për të kthyer atë në një gjendje të pranueshme, por sërish, nëse ka pretendime se po rritet dhe po zhvillohet niveli i futbollit në Shqipëri, mjafton gjendja ku është katandisur stadiumi i Lushnjës për ta rrëzuar këtë pretendim.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Artan Bano stërvitet para ndeshjeve, në një mini-fushë prapa portave të stadiumit të këtij qyteti.

Fusha në aneksin e stadiumit “Roza Haxhiu” është në një gjendje edhe më të mjeruar.

Lushnja si ekip administrohet nga Bashkia, e cila, nga kufizimet financiare duket se është penguar në tërë këto vite të kryejë investimet e nevojshme.

Lushnja është një qytet me tradita në futbollin shqiptar dhe bashkë me rrethinat një ndër rrethet me popullsi të konsiderueshme në vend.

Deri tani Lushnja, një ndër ekipet me më shumë tifozë në Shqipëri, ka siguruar një pikë në tre ndeshjet e para. Skuadra pret të kthehet shpejt në shtëpi, në stadiumin që pritet të jetë gati.

Por a mjafton?! Janë të shumtë ata që thonë se kërkohen strategji e ide për ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, në vendin tonë.

Mungesa e një vizioni të qartë për ta zhvilluar sportin, ose të paktën për ta rikthyer atë në shkëlqimin e dikurshëm, të para viteve 90’, mbetet arsyeja kryesore e kësaj katandisje.

Kush mendon se masivizimi dhe zhvillimi i sportit është koncept komunist, ai me siguri nuk ka asnjë lidhje me botën e zhvilluar perëndimore. Mjafton pak vëmendje sesi funksionojnë ligat e kategorisë së katërt në Angli e Gjermani, apo ligat kryesore në vendet tona fqinje. /a.muraçi/         

Shpërndajeni me miqtë tuaj: