Takimi Basha-Fleckenstein, diskutime mbi situatën e drogës dhe reformën zgjedhore

Takimi Basha-Fleckenstein, diskutime mbi situatën e drogës dhe reformën zgjedhore
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka raportuar lidhur me takimin e zhvilluar mes tij dhe eurodeputetit Knut Flekenstein. Basha përmes një statusi në profilin e tij në Facebook informon se ndau shqetësimet me Flekenstein lidhur me situatën politike dhe atë post-zgjedhore. Por nga ana tjetër Basha shprehet se situata e kanabisit nuk do të ishte e tillë nëse do të kishte pasur më shumë vëmendje nga ndërkombëtarët.

“Me Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eurodeputetin Knut Flekenstein, ndava shqetësimet e aktualitetit politik dhe te situatës post-zgjedhore në Shqipëri.

Këto zgjedhje, treguan se kauzat tona për dekriminalizimin, kundër drogës, dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike sot për vendin.

Vura në dukje faktin se tashmë janë edhe shtetet anëtare te BE, institucionet e BE, por edhe Europoli, që po evidentojnë me forcë problemin e kultivimit dhe trafiqeve të drogës në Shqipëri dhe rritjen e krimit të organizuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ne vende te BE.

PD ka bërë një luftë të hapur ndaj kanabizimit të Shqipërisë për katër vitet e fundit, dhe situata nuk do të ishte e tillë sot, nëse do të kishte pasur më shumë vëmendje dhe qëndrime të qarta nga institucionet ndërkombëtare. Fatkeqësisht sot, raporte të tilla kanë nxitur diskutimin e regjimit të vizave për shqiptarët.

Angazhimi nga ana e qeverisë e eksponentëve të krimit të organizuar, mbështetja e tyre për t’u përfshirë në politikë dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal si trafikun e drogave, e ka lidhur fatin e qeverisë dhe mazhorancës me këta faktorë dhe jo me fatin e qytetarëve.

Zgjedhjet e fundit e provuan përsëri këtë gjë, ku përfshirja e krimit të organizuar dhe parave të drogës, prodhoi një mazhorancë fiktive që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Reforma zgjedhore është hapi i parë për adresimin e disa prej këtyre problemeve, në vecanti përmes votimit dhe numërimit elektronik dhe identifikimit biometrik të zgjedhësve. Këto ndryshime janë thelbësore për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe minimizimin e fenomenit të shitblerjes së votës.

Po kështu, duhet reformë e sistemit politik në Shqipëri, për të kufizuar dhe kontrolluar pushtetin, duke nisur me një parlament që nuk është thjesht vegël e qeverise, por mbikëqyrës dhe kontrollues i saj.

Vetëm zgjedhjet e lira mund të rikthejnë besimin dhe shpresën dhe të ndalin eksodin e shqiptarëve që largohen drejt Bashkimit Evropian, sepse u mohohet e drejta për ndryshim përmes votës në vendin e tyre" shkruan Basha.

Foto: Lulzim Basha@facebook

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: