Të ndërtosh bëhet më e shtrenjtë, por t’i blesh banesat, është më lirë

Të ndërtosh bëhet më e shtrenjtë, por t’i blesh banesat, është më lirë
Të ndërtosh në Shqipëri, po bëhet një aktivitet gjithmonë dhe më i shtrenjtë. Nga ana tjetër, t’i blesh banesat duket se është më lirë se më parë. Situatë në dukje paradoksale, që po ndodh me sektorin e ndërtimit në vendin tonë, por që reflektohet në përballjen e statistikave që jepen për dy polet e kundërta të saj. Kështu, nga njëra anë kemi Institutin e Statistikave i cili raporton zyrtarisht për rritje të kostove të ndërtimit dhe, nga ana tjetër, qëndron Banka e Shqipërisë e cila flet, në fakt, për një rënie të dukshme të çmimit të blerjes së banesave të reja. Të paktën për zonën e Tiranës, aty ku gjendet edhe pjesa më e madhe e tyre në fakt, të ndërtuara vitet e fundit, dhe ku ka një kërkesë më të lartë për blerjen e tyre. Konkretisht, INSTAT pohon se ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim, për tremujorin e dytë të këtij viti, ka qenë në nivelin rritës prej + 0.8%. Në një kohë kur, po sipas tij, kostoja e ndërtimit si e tillë ka shënuar rritje edhe po ta krahasojmë me atë të një tremujori më parë, respektivisht në nivelin prej +0.1%. Duke treguar, në këtë mënyrë, se për sipërmarrësit e sektorit të ndërtimit, aktiviteti i tyre i përditshëm po u kushton gjithmonë e më shumë, nisur nga rritja e çmimit të shpenzimeve materiale, deri edhe tek pagat e punonjësve. Sipas një logjike të thjeshtë, i bie që kostoja e shtuar e ndërtimit, të reflektohej edhe tek çmimet e banesave, por, sipas bankës qendrore, një gjë e tillë nuk ka ndodhur aspak. Siç pohon ajo në raportin e fundit të politikës monetare, rezulton, madje, se këto çmime kanë pësuar ulje të ndjeshme, deri në nivelin prej -11%. “Indeksi i çmimit të banesave regjistroi rënie gjatë dy tremujorëve të parë. Në tremujorin e dytë, ndryshimi vjetor real i tij ishte në nivelin prej -11.5%”, - pohojnë saktësisht ekspertët e Bankës së Shqipërisë, lidhur me një fakt të tillë.

Cilat zëra e rritën konkretisht koston e sektorit të ndërtimit?

Që sektori i ndërtimit pati një rritje të kostos, sipas ekspertëve të Institutit të Statistikave, këtu pati ndikim shtrenjtimi i grupit “shpenzime materiale”, me nivelin deri + 1.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke shtuar më tej, se kjo u shkaktua edhe nga rritja e grupit “shpenzime për paga”, me një nivel i cili arriti deri në 2.5%.

Madje, për këto dy zëra, ekspertët e INSTAT-it pohojnë se rritja e çmimeve të tyre është konstatuar edhe nga njëri tremujor në tjetrin. “Në tremujorin e dytë 2017, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017, rritje kanë shënuar grupet “shpenzime për paga” me nivelin prej 1.1%, “shpenzime materiale” me 1.0%”, - citojnë ata. Duke shtuar, nga ana tjetër, faktin se grupet “shpenzime transporti” dhe “shpenzime për energji” nuk i kanë ndryshuar çmimet e tyre krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Kurse grupi për të cilën raportohet se pati ulje të çmimeve gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ka qenë pikërisht ai që ka të bëjë me shpenzimet e transportit, por edhe ato të energjisë, për të cilat ata pohojnë se nuk kanë ndryshuar, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

BSH: Qiratë, “në epërsi” kundrejt blerjeve

Të marrësh një banesë me qira sot, kushton më shumë se më parë. Një situatë krejt e ndryshme, në fakt, po ta krahasojmë me blerjen e një të tille e cila, sipas Bankës së Shqipërisë,  këtë viti ka pësuar një rënie negative, deri në nivelin prej -11%. “Indekset e çmimit të shitjes dhe të qirasë së banesave, kanë shënuar zhvillime me kahe të ndryshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017”, - argumentojnë ekspertët e bankës qendrore, lidhur me ecurinë e çmimeve në tregun e banesave. Duke saktësuar më tej, faktin sesi teksa “indeksi i çmimit të banesave regjistroi rënie gjatë dy tremujorëve të parë, ku në tremujorin e dytë, ndryshimi vjetor real i tij ishte -11.5%; në të kundërt, indeksi i qirasë vijoi trendin rritës, të nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2016”. Dhe pikërisht si pasojë e një situate të tillë të krijuar, sipas tyre, raporti çmim/qira regjistroi nivelin më të ulët që nga tremujori i parë i vitit 2015.

Ekspertët e tregut imobiliar: Rënia e çmimeve, nga oferta e madhe e banesave

Oferta e madhe e banesave kundrejt qytetarëve, të paktën në zonën e kryeqytetit, rezulton të jetë arsyeja kryesore e rënies së çmimit për blerjen e tyre. Këtë thonë të paktën ekspertët e tregut imobiliar në vendin tonë, sipas të cilëve, ndërtimi i blloqeve të reja të banimit në kryeqytet po bën që të krijohen stoqe të reja apartamentesh ende të pa shitura. Duke bërë kësisoj që qytetarët të kenë më shumë mundësi blerjeje, si rrjedhojë, edhe të pretendojnë ulje të çmimit të banesave të reja. Sidomos, një gjë e tillë kërkohet prej tyre, kur operojnë për banesa ende të papërfunduara, ose siç i njohim rëndom “që në truall”. Në këtë mënyrë, në tregun imobiliar është krijuar një rënie e dukshme e çmimeve  të blerjes së banesave, ndryshe nga disa kohë më parë kur u vu re sërish një shtrenjtim i tyre.

“Boom” lejesh ndërtimi të miratuara, më shumë banesa edhe ulje çmimesh

Lejet e ndërtimit, të miratuara nga institucionet përkatëse për qëllime banimi kanë ardhur gjithmonë e në rritje, sidomos gjatë këtij viti. Duke bërë kështu që ato të ndikojnë në një rritje të ofertës së ndërtimeve të reja, shoqëruar rrjedhimisht edhe me një ulje të çmimeve të tyre. Kjo rezulton të paktën nga të dhënat statistikore, sipas të cilave, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, figurojnë 11.058.422 leje ndërtimi të dhëna, kundrejt 8.815.920 të tillave në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 2016. Ku vetëm ato të dhëna për qëllim banese rezultojnë se janë dyfishuar. Konkretisht, referuar INSTAT-it, rezulton se në tremujorin e parë të këtij viti ato kanë qenë 8.861.840, kundrejt 4.358.701 tremujorin e fundit, 2016.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: