Turizmi, ende pa “pasaportë” gjithëvjetore

Turizmi, ende pa “pasaportë” gjithëvjetore
Në Shqipëri, nuk është konsoliduar, ende plotësisht, një industri 365-ditëshe e turizmit si e tillë. Megjithëse, duhet thënë se ka një zgjatje të sezonit veror turistik, duke përfshirë brenda tij edhe tetorin. Por, gjithsesi, turizmit shqiptar i mungon ende një “pasaportë” gjithëvjetore ...

Eglantina Nasi

Verës i erdhi fundi... të paktën zyrtarisht. Duke i shoqëruar tashmë ditët në vijim, me më pak çadra të hapura përgjatë rivierës shqiptare dhe në pritje të publikimit të shifrave të radhës, të atij që institucionet shqiptare, rëndom, quajnë sezon turistik, por përkon, në fakt vetëm me sezonin veror, hapat e parë të të cilit nisin në muajin maj, për të përfunduar në ditët e para të muajit shtator. Teksa industria turistike si e tillë, në fakt, është konceptuar të operojë në 365 ditët e vitit. A ndodh kështu në Shqipëri?

***

Plot 140 netë ... Ky është sezoni i zgjatur veror që, tashmë, turistët polakë po kalojnë pranë saj. Konkretisht, në bregdetin e Durrësit, vijnë me charter përmes operatorit turistik polak, “Noua Itaka", i cili ka lidhur kontrata me hotelet shqiptare, për qëndrimin e turistëve nga data 23 maj-9 tetor. Kjo e fundit duket për ta datë e pëlqyeshme, ndërsa i kanë humbur plazhistët vendas. “Në Rinas, operojnë me avionë charter disa kompani të tjera polake. Charter ka edhe nga disa vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, si: Çekia, Ukraina, Bjellorusia, Sllovakia, - duke e çuar numrin e fluturimeve në 17 avionë në javë. Për vitin e ardhshëm 2018, kërkesa është dyfishuar dhe, veç fluturimeve nga vendet e sipërcituara, do të fillojnë edhe fluturimet nga Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda, të cilët do të vijnë për pushime në bregdetin tonë, duke bërë të mundur fillimin e sezonit turistik veror, nga data 15 maj - 15 tetor”, - bën me dije Unioni Turistik Shqiptar, rreth një dukurie të tillë. Duke konfirmuar, në këtë mënyrë, veç shtimit të numrit të turistëve, edhe dukurinë e zgjatjes së sezonit turistik si të tillë, në vendin tonë. Por që, ende, duhet thënë se është larg arritjes së qëllimit të tij në vetvete, për t’u kthyer në një turizëm gjithëvjetor. Teksa turistët që mbërrijnë përtej sezonit veror, janë të paktë dhe, në të njëjtën kohë, strukturat që u ofrohen, të pamjaftueshme. Gjithmonë sipas Unionit Turistik Shqiptar, kur themi turizëm dimëror nuk ka kuptim të mos kesh resorte për ski, apo impiante të tilla me standarde ndërkombëtare. Shqipëria, për fat të keq, nuk ka asnjë të tillë. Prandaj thithja e turistëve të huaj, edhe gjatë sezonit dimëror, mbetet ende sfidë e vështirë, vlerësojnë operatorët, anëtarë të këtij organizmi turistik.

Turizmi dimëror, shqiptarët preferojnë t’i kalojnë pushimet në vendet fqinje

“Çdo dimër, preferoj të shkoj në Kolashin! Është mrekulli! Jo për gjë, por, në Shqipëri, nuk ke ku të shkosh për pushime dimërore. Është ndryshe në verë kur ke detin”. Entela, 30-vjeçare nga Tirana, duket se e ka zgjedhur pikën e njohur turistike të Malit të Zi, ndër vendet e preferuara për sezonin dimëror. Sipas saj, gjatë këtij të fundit, nuk ke ndonjë ofertë në Shqipëri. Sipas ekspertëve të turizmit, këtu ka një të vërtetë, pasi Mali i Zi ka resorte dimërore, sikundër edhe Maqedonia, kurse vendi ynë është, ende, larg tyre. E kjo, mesa duket, është një nga arsyet e mosrealizimit të të ashtuquajturit, “turizëm gjithëvjetor”. Edhe pse rrugëve të Shqipërisë, mund të gjesh, tek-tuk, turistë edhe në dimër. Nga ana tjetër, fakti që Mavrova dhe Kolashini mbushen me shqiptarë në dimër, tregon se, prej tyre, ka dëshirë edhe për turizëm dimëror të mirëfilltë, porse ende, në vend, nuk ekzistojnë strukturat e duhura për ta realizuar atë.

Autoritetet: Synojmë turizëm në gjithë vitin

“Ne synojmë të zhvillojmë turizmin gjithëvjetor. Vendi ynë ofron të gjitha kushtet për zhvillimin e infrastrukturës turistike, sa i takon turizmit nautik, marinës, turizmit malor dhe kulturor”. Kështu është shprehur ministrja e Turizmit, Milva Ekonomi, ndërsa, gjatë muajve të fundit, ka zhvilluar, vazhdimisht, takime me përfaqësues të shoqatave të ndryshme të turizmit që operojnë në vend, pikërisht, në funksion të përmirësimit të shërbimeve turistike dhe zgjatjes së sezonit, duke synuar, mbi të gjitha, tërheqjen e sa më shumë turistëve drejt vendit tonë. Fakt të cilin e ka bërë me dije, vazhdimisht, edhe vetë kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, në kuadrin e promovimit të Shqipërisë turistike nëpër aktivitete ndërkombëtare. “Ne po synojmë gjithëpërfshirje, - siç është dhe slogani aktual që po mban Organizata Botërore e Turizmit; pra, të kemi turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. Është një gjë të cilën qeveria aktuale e ka futur edhe në programin e saj”, - kujtojmë të ketë thënë ai, posaçërisht, për “Albanian Free Press”, gjatë një interviste lidhur me turizmin, zhvilluar pak kohë më parë.

PROBLEMET

Sipas operatorëve turistikë në vendin tonë, zgjatja e sezonit turistik ka hasur në dy problem kryesore. I pari ka të bëjë me reduktimin e shërbimeve publike, si transporti urban etj. Por, në të njëjtën kohë, edhe me zvogëlimin e orareve të institucioneve publike, muzeve etj. Këto dukuri nisin e bëhen të pranishme me mbarimin e muajit gusht në vendin tonë. Për ta bërë kësisoj, më të vështirë se gjatë verës, qëndrimin e një turisti në vend, por, në të njëjtën kohë, edhe përkushtimin e autoriteteve ndaj tij, sikundër edhe përfitimet dhe kënaqësitë që turisti mund të ketë përgjatë tij. Nga ky këndvështrim, Unioni Turistik Shqiptar shprehet se zgjatja e sezonit turistik duhet shoqëruar edhe me plotësimin e kushteve të nevojshme që i duhen atij për të qenë i tillë.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: