“Vaga”: Sot ka shumë “fake music”, po bëhen hapa pas në origjinalitet

“Vaga”: Sot ka shumë “fake music”, po bëhen hapa pas në origjinalitet
 Arsen Shahini, - por që njihet vetëm me emrin “Vagabondi” e tashmë “Vaga”, - është nga figurat e parë të muzikës hip-hop, që shumëkush mban mend. Dhe flasim për atë hip-hop të vërtetë të rrugës, i ruajtur prej tij me shumë rigorozitet, brenda asaj çka ka dashur të tregojë dhe përçojë kjo muzikë. “Vaga”, djali durrsak, nuk i ka kursyer vitet dhe ka hedhur në letër qindra vargje që kanë përshkuar mjaft tema delikate të shoqërisë shqiptare dhe, në këtë pikë, është i vetmi. Shumë vite të jetuara në SHBA, kanë ndikuar në stilin e tij të jetesës, por edhe dashurinë për muzikën. Në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, na tregon mbi jetën, mendimin për muzikën e sotme, bashkëpunimet e deri te pasionet jashtë muzikës.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Mbi të gjitha, më shuani kuriozitetin, si erdhi pseudonimi “Vagabondi”?

Pseudonim që nuk më pëlqen fare, me sinqeritet, fare, fare!

Megjithatë, zanafilla është diku nga mosha 8-9-vjeçare kur, shpesh-herë, vizitoja punën e tim ati, sepse porti i Durrësit ishte vendi që më pëlqente më shumë në botë!

Duke qenë natyrë e hedhur dhe çapkëne, disa nga shokët e mrekullueshëm të babait, më thërrisnin “vagabondi i Zonit” (Babai im quhej Ramazan Shahini; sot, nuk jeton më). Megjithatë, ata më thërrisnin “vagabond” me shumë dashuri dhe në mënyrën më të pafajshme të mundshme. Por unë përsëri nuk do të doja ta kisha si nofkë, pasi nga gjithë njerëzit që kam njohur në jetë, jam më larg se të gjithë nga vagabondi i vërtetë.

Do t’më pëlqente dhe vërtet do lutesha të më thërrisnin, thjesht, “Vaga”!

Jeni nga artistët më të hershëm të hip-hop në Shqipëri. Nga lindi pasioni për këtë rrymë?

Në fakt, unë jam ndër të parët që kam pasur fatin të isha në Amerikë, përpara se demokracia të vinte në Shqipëri.

U arratisa, bashkë me një grup shokësh, në 6 janar të vitit 1988; në fund të po atij viti, isha në Detroit Miçigan, në SHBA.

Aty e gjeta hip-hop-in, jo vetëm thjesht si zhanër muzikor, por si stil jetese.

Nuk kaloi shumë kohë dhe, duke qenë tifoz i çmendur i Rock n`Rooll-it, i ndoqa live grupet e mia të preferuara, si “Iron Maiden, “AC/DC”, “Scorpions”, “Guns N `Roses”, “Metalica” e mjaft të tjerë. Por përqafova hip-hop-in, për mua ishte dashuri me shikim të parë.

Adhuroj “Eazy”, “Cypreess Hill”, “DR DRE”, “Snoop Doggy Dogg”, “Scarface”, “Public Enemy”, “Run DMC”, “BIG” e mjaft të tjerë, deri te Tupac Shakur.

Pavarësisht se stili im është stili im, përsëri përfshij aty pak nga të gjithë ata që përmenda më lart, e shumë të tjerë që nuk përmenda.

Hip-hop është muzikë revolte disi, protestë ndaj padrejtësive, por e drejtpërdrejtë edhe në lirika. Por muzika jonë e kohëve të fundit, ka pak këngë të tilla. Cili është mendimi juaj?

Është fatkeqësi, për dy arsye: Nuk prezanton atë që në të vërtetë duhej, dhe fatkeqësia më e madhe, është i gjithi fals, - duke filluar nga fabulat e këngëve, deri te blerja e “views”. Është “fake hip-hop”.

I njihja këngët tuaja, madje, balada “Nënat shqiptare” më ka emocionuar gjithmonë. Keni mjaft hit-e. Si keni mundur të jeni kaq gjatë në skenë?

Ju falënderoj dhe e vlerësoj që ju pëlqen kënga “Nënat Shqiptare”! Do të doja shumë fare që, ne si shoqëri, të ishim rritur aq sa duhet dhe, shumica prej nesh, mos të bëjë “gangsterin” me mamin, siç shkruaj në tekstin e këngës!

Pjesa e dytë e pyetjes tuaj, ka një përgjigje të vetme: Dashuria për hip-pop-in dhe fansat e mi.

Ajo që ju dallon në këngët tuaja, janë tekstet, - janë poezi dhe tepër të goditura. Kur shkruani një tekst, nga niseni, si frymëzoheni?

Të jesh rreper i mirë, mendoj, në radhë të parë, duhet të jesh një “good storyteller” (tregimtar i mirë). Por, të bësh më të mirën e mundshme, kur vjen puna te tekstet, duhet të bësh detyrat e shtëpisë (you must do your homework). Frymëzimi është i paparashikueshëm, por vjen si rrjedhojë e sfidës time personale dhe detyrimi që kam për fansat.

Keni pasur disa bashkëpunime me artistë të tjerë të njohur. Mes tyre Hysni Zela, Ylli Baka, Gjergj Jorgaqi, Erion Korini etj. Si kanë lindur këto bashkëpunime?

Pothuajse të gjitha kanë qenë të mirëmenduara dhe asgjë sporadike. Kanë qenë përzgjedhjet e mia dhe u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve të cilët, me shumë dashamirësi, mirëpritën ftesën time!

Bëj habi, një djalë Durrësi që këndon “Tirona osht nona”. Po nga Durrësi, çfarë keni në krijimet tuaja?

Jam çun nga Durrësi dhe e dashuroj Durrësin tim, sidomos Lagjen numër 1 tek Vollga, më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë! Por, në të njëjtën kohë, e dashuroj pa fund Tironën, me plot kuptimin e fjalës, krahasuar me të gjitha trevat e tjera shqiptare, “Tirona o Nona”.

“Goca si ti, Durrësi ka plot”... Vazhdojmë ta dëgjojmë këtë këngë kur mblidhemi mes miqsh. Këto krijime të vjetra, a do t’i riktheni më modern?

Për momentin që flasim, po merrem me pjesën "moderne" të këngës “Goca si ty, Durrësi ka plot”, është ideja e producentit tim, "ZODIAC", të risjellim disa nga hit-et e mia të vjetra.

Hit-i “Kuq e zi”, me këngëtarin Ylli Baka, është tashmë një himn i dytë për kombëtaren. Si u bë ky projekt i suksesshëm?

Gjithmonë i kisha thënë mikut tim, Ylli Baka, se do të vinte koha të bënim një bashkëpunim. Isha optimist se do të ishte një ndërthurje bombastike dhe disi e re.

Duke u frymëzuar nga pjesëmarrja e kombëtares tonë në kampionatin evropian, iu futa punës me vëllanë dhe mikun tim, kompozitorin Don Kozeli dhe, kur menduam se kishim bërë diçka të mirë, e ftova Yllin për ta dëgjuar.

Për Yllin ishte dashuri me dëgjimin e parë. Pa nguruar u përfshi me tekstin dhe financimin e klipit. Suksesi erdhi si rezultat i një pune non-stop, për ta servirur këngën në mënyrën më profesionale dhe më të drejtpërdrejtë.

Falënderoj përkushtimin e Don Kozelit, Ylli Bakës dhe De Vox! Mendoj se ia vlejti!

Në këngët dhe tekstet tuaja bëni ironi mbi dukuri sociale dhe kritika të dukshme dhe të padukshme. Sot, si ju duket muzika shqiptare?

Në këngë reflektohet mënyra ime e të qenit i drejtpërdrejtë. Pa dyshim, diku ka pak ironi apo kritikë; diku dhe pak sarkazëm; diku edhe shumë revoltë. Përmbledhja ka qenë mënyra më origjinale se si i shoh gjërat, si e shoh sot, muzikën shqiptare. Nga ana profesionale, po bëhen hapa përpara dhe me ritme të shpejta.

Kur vjen puna tek origjinaliteti, mendimi im është se po bëjmë hapa mbrapa me ritme të shpejta. Ka shumë “fake music”.

Keni bërë hip-hop të pastër. Por, së fundmi, keni përfshirë edhe ritme e stil më modern…po shkoni edhe ju drejt komerciales?

Trendi sot, sa i takon muzikës moderne, është pothuajse i gjithi komercial. Jam munduar t’i rri pak larg, por më ka kushtuar financiarisht, sepse të qenit origjinal sot, konsiderohet “demode”.

Më tregoni diçka më shumë rreth jetës tuaj të përditshme… si e kaloni ditën…

Në përgjithësi, jeta ime e përditshme është sport, studio, gatime, kohë cilësore me Anën, partneren time, gjithashtu dhe me miqtë që i kam për zemër. Por, gjatë gjithë kohës, mendjen e kam po te muzika.

Sa ka ndikuar tek ju, jeta në SHBA dhe a do të largoheshit përsëri nga Shqipëria?

Jeta në SHBA ka ndikuar, në të gjitha aspektet, në stilit tim të jetesës. Amerikën e dashuroj si Shqipërinë; gjuhën angleze e flas si shqipen, por, sa i takon  largimit tim nga Shqipëria, do të largohesha vetëm për punë dhe pushime.

Si po ju shkon kënga e fundit? E ka arritur pritshmërinë tuaj?

Kënga ime e fundit, "RAP God", po shkon mjaft mirë dhe pa dyshim, brenda pritshmërive. Personalisht, “I love that song”!

Në videoklipet e fundit, ka vetëm femra të zhveshura. Këngët tuaja ende i rezistojnë kësaj dukurie, edhe sa për sa kohë?

Këngët e mia do të doja të ishin artistike, me humor dhe mesazh! Unë do t’i rri larg fenomenit “porno” në videoklipe!

Keni në duar një projekt të ri?

Kam disa projekte që do të vijnë së shpejti, edhe me videoklipe. Deri atëherë, ju bekoftë Zoti të gjithëve! Wish you all peace and love!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: