Vani Gjuzi: Pëlqehem se këndoj me hare, sjell harmoni tek publiku

Vani Gjuzi: Pëlqehem se këndoj me hare, sjell harmoni tek publiku
 

Prej mbi 15 vitesh, Vani Gjuzi, përfaqëson brezin më të ri të muzikës së Shqipërisë së Mesme e nuk mungon me këngë e hite në atë që quhet “Sofra Tironse”. Ai është vetëm 33 vjeçar por që në moshën 18 vjeçare u afrua me këngën popullore e nuk u nda më. Të arrije ta takoje në këto ditë vere të nxehtë ishte gati e pamundur, sepse nuk ishte e mundur që djaloshi i Tironës të kishte asnjë ditë të lirë, mes koncerteve e dasmave. Po fundja ky është pasioni i tij më i madh. “Te quiero”, “Duhet të isha unë”, “Piciruke”, “Të dua, të dua”, “Si melodi”, “Myslym Peza”etj janë pak nga këngët e tironcit me zë brilant por shpesh zëri i Vani Gjuzit ka qenë “shpatull suksesi” për hit-e të njohura të këngëtarëve të muzikës shqiptare, kështu radiot, televizionet e klubet kanë transmetuar pa fund “Sonte me dhemb zemra” me Ciljetën, “Aromë Indie” me këngëtaren Amarda, “Emanuela” me këngëtarin Sergio, “Elegante” bashkëpunim me 2 Step ose “Nomin bojna” me këngëtaren Lori. Flasim këtu për miliona e miliona klikime në You Tube për hite të cilat vijnë vit pas viti. Por përkundrejt kësaj, Vani Gjuzi, është mjaft i rezervuar për jetën e tij. Vjen në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Free Press, tironci që dashuron tabanin por nuk lë pas dore edhe muzikën komerciale, por duke e sjellë atë në mënyrën e tij.

 

Shumë njerëz njohin këngët tuaja por pak nga historia juaj. Si dhe kur doli në pah talenti juaj i të kënduarit?

 

Në fakt talenti im si këngëtar ka dalë në pah në moshë të re, kur isha vetëm 18 vjeç. Ishin kohët kur shkoja në një studio muzikore dhe kur këndova për herë të parë.

 

Jeni një djalë Tirane dhe këndoni kryesisht këngë të Shqipërisë së Mesme. Në familjen tuaj ju kanë përkrahur në këtë pasion?

 

Sigurisht që familjen e kam pasur mbështetjen kryesore, ata më kanë përkrahur dhe më janë gjendur pranë në çdo hap që kam hedhur, në jetë dhe në muzikë.

Keni dalë me albumin tuaj të parë e më pas erdhën hitet. Si e keni përjetuar suksesin kaq i ri?

 

Suksesi nuk vjen asnjëherë nga asgjëja. Suksesi vjen pas një pune goxha të lodhshme e shumë sakrificave, kjo është e vërteta, por normalisht gëzimi është shumë i madh kur merr frytet e punës që ke bërë.

 

Është e ashpër konkurrenca në artin shqiptar?

 

Konkurrenca është e ashpër, e vërtetë, duke qenë se ka plot këngëtarë të mirë e të suksesshëm, që kush më shumë e kush më pak, përpiqen të bëjnë muzikë të vërtetë.

 

Por një gjë që është për të ardhur keq është fakti se dhe muzika komerciale, që prodhohet dhe qarkullon në tregun muzikor shqiptar, pëlqehet në masë nga publiku.

Keni kënduar dhe disa duete të suksesshme. Çfarë sjellin më shumë duetet në muzikë?

 

Personalisht i pëlqej shumë duetet, më pëlqen të bashkëpunoj me kolege e kolegë këngëtarë. Mendimi im është që duetet të plotësojnë më shumë si këngëtar dhe pëlqehen shumë edhe nga publiku.

 

Jeni shumë i pëlqyer në festa e gëzime familjare. Pse?

 

Dhe për këtyë fakt unë i jam shumë mirënjohës publikut që më vlerëson. Është e vërtetë, por kjo ndoshta për faktin se muzika që unë kam zgjedhur të këndoj është e gëzueshme, është “alegro”, ajo sjell hare e harmoni tëk njerëzit dhe përshtatet më shumë me gëzimet dhe festat e tyre familjare.

 

Në cilat zona të vendit ju ftojnë më shumë?

 

Përgjithësisht zona që unë këndoj më shumë dhe nga ku më ftojnë më së tepërmi është ajo e Shqipërisë së Mesme.

I këndoni dashurisë, ndarjes, bukurisë. Sa mendoni se ju ka ndihmuar pamja e jashtme?

 

Pamja e jashtme, në kohët e sotme, është një faktor shumë i rëndësishëm dhe që të ndihmon në karrierë, le të tregohemi të sinqertë hahahaha.

 

Shpenzoni shumë për karrierën?

 

Po. E vërteta është që për të promovuar veten dhe për ta mbajtur dhe ruajtur audiencën, shpesh duhet të sjellësh këngë të reja, videoklipe të reja që, për të thënë të vërtetën, kushtojnë gjithmonë e më shtrenjtë.

 

Keni miq në art?

 

Po, sigurisht. Kam miq në mesin e artistëve, madje kolegë me të cilët  mbaj miqësi të afërt .

 

Po kaloni një verë me punë e ngarkesë. Ju vetë pushuat?

 

Pothuajse çdo vit vera më ikën pa pushuar fare sepse është periudha e tillë që ka shumë punë për në këngëtarët, por këtë vit gjeta pak kohë për veten, në fillim të muajit qershor, pasi më vonë e dija që ishte e pamundur.

 

Keni ju vetë ndonjë këngëtare ose këngëtar të preferuar?

 

Sigurisht që është diva Aurela Gaçe, të cilën  dëgjoj e vlerësoj shumë, po ashtu dhe kantautori dhe producenti Flori Mumajesi.

 

Po në makinë çfarë muzike dëgjoni?

 

Duke qenë një artist por edhe një djalë i ri që e do dhe e çmon muzikën e mirë, unë në makinën time dëgjoj pothuajse të gjitha rrymat apo më saktë stilet e muzikës.

 

Jashtë muzikës cilat janë pasionet tuaja?

 

Pasion tjetër i madh për mua, përveç muzikës, është noti.

 

Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

 

Në vazhdim, sapo lançova një këngë të Shqipërisë së Mesme, të cilës, ne tironcit e hershëm i themi “sofër tironce”. Po ashtu kam në duar edhe një këngë moderne, komerciale, bashkangjitur me një videoklip, e cila lançohet brenda kësaj jave. Gjithashtu do të vazhdojnë bashkëpunimet me kolegë e kolege.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: