VERA KALOI ME “MOT” E ME “MORT”- OPINION NGA FRROK ÇUPI

VERA KALOI ME “MOT” E ME “MORT”- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e këtij viti kishte vetëm dy lloj lajmesh: 'Moti' dhe 'morti'. Një herë në tre ditë mediat, sidomos online, plasën duke thërritur: "Për ju që keni vendosur të shkoni në plazh, kemi lajm të keq". Te nesërmen e kishin 'të mirë'. Pastaj as 'mirë' as 'keq' por lajm për motin... ndërsa dukej se mediat prisnin 'në radhë' për vdekjen. Gruaja e fundit që u vra nga burri i saj është kthyer në një histori 'rozë'. Për fat të keq. Ka tre ditë që mediat nuk pushojnë të 'tregojnë' rreth vrasjes, rreth gruas dhe rreth miqve... Por në fakt nuk tregojnë asgjë. Asgjë të re, përveç asaj që ndodhi tragjikisht. Kjo, me sa  duket, do të vazhdojë deri në një vrasje të re...

Kështu kaloi vera...

VERA KALOI ME “MOT” E ME “MORT”

Kam qeshur pa të drejtë; veç për arsye se ngjarjen e tregoi miku im Dylgjeri. Ky edhe kur tregon 'mortjen' të duket se është për të qeshur, derisa ta mbledhësh veten. Tregoi bash për pushimet e verës. "Ika nga një copë ranishte ku kishte njerëz të marrë... Mos qesh- tha- Ishin vërtet një grup nga shkolla e të marrëve... U ktheva në një kthinë tjetër të detit. Një turist polak kishte pirë alkool pa fund dhe ishte shtrirë përdhe. Po vdiste. Njoftuam ambulancën... Erdhi ambulanca. Por ambulanca tha se 'duhet të jetë policia', ndryshe nuk e marr të sëmurin... Kur erdhi policia nuk gjeti ambulancën. Polaku vdiq mu para syve tanë... Disa të huaj kanë vdekur kështu këtë verë, të paktën në plazhin e Vlorës"- tregonte Dylgjeri...

Pastaj tha se ka vendosur që për vitet që vijnë pushimet do t'i bëjë 'para pallatit'.

... Vera e këtij viti kishte vetëm dy lloj lajmesh: 'Moti' dhe 'morti'. Një herë në tre ditë mediat, sidomos online, plasën duke thërritur: "Për ju që keni vendosur të shkoni në plazh, kemi lajm të keq". Te nesërmen e kishin 'të mirë'. Pastaj as 'mirë' as 'keq' por lajm për motin... ndërsa dukej se mediat prisnin 'në radhë' për vdekjen. Gruaja e fundit që u vra nga burri i saj është kthyer në një histori 'rozë'. Për fat të keq. Ka tre ditë që mediat nuk pushojnë të 'tregojnë' rreth vrasjes, rreth gruas dhe rreth miqve... Por në fakt nuk tregojnë asgjë. Asgjë të re, përveç asaj që ndodhi tragjikisht. Kjo, me sa  duket, do të vazhdojë deri në një vrasje të re...

Kështu kaloi vera...

Jam i sigurt se plot njerëz janë ndalur dhe kanë pyetur veten 'po ç'është kjo punë?, veç kësoj ngjarjesh ndodhin mes nesh? A ka kaq shumë kotësi mes nesh?...

Kur nuk ka vanitet, atëherë ne e kërkojmë. Nuk besoj se jeta e njerëzve ka qenë kaq shumë e kotë, por kotësia është "e ëmbël". I keni parë njerëzit që sulen drejt ngjarjeve të pavërteta dhe të pangjashme me ta?! Kujt i duhet nëse një show-woman gjatë ditëve me diell, ka dalë pa rrobe në plazh?! Ose "autori i njohur i humorit largohet nga teatri i tij"...Por nuk mbeti bari dhe karrocier pa klikuar në mediat që publikojnë fotot 'naked'.  Të nesërmen, e njëjta media është e detyruar të përgënjeshtrojë shkrimin se ka zbuluar fëmijën e panjohur të një artisteje: "Jo, nuk ishte ajo që thamë". Edhe kur përgënjeshtron lajme 'koti' media klikohet nga njerëz të panumërt që nuk kanë lidhje me këtë shije. Nuk ka pikë problemi nëse lajmi është i vërtetë apo i sajuar, askujt nuk i intereson kjo... Në këtë rast, si media edhe 'populli' është në kërkim të vanitetit. Sepse vaniteti është i ëmbël. Në artin perëndimor vaniteti ishte pikturuar si një pallua; shpendi i çuditshëm kënaqet me vete natë e ditë. Gjatë periudhës së Rilindjes, arti e ka simbolizuar vanitetin si një grua që i kalon orët pa fund me një krehër para pasqyrës...

Realisht, njeriu, edhe në një shoqëri dembele, nuk është në atë stad sa të jetojë në boshllëk. Tjetër gjë është e vërteta, tjetër gjë është imponimi me një të vërtetë tjetër... Çështja që mbetet për t'u zgjidhur është: Vallë 'populli' ia kërkon medias pasqyrën e kotësisë, apo media e vjel kotësinë aty ku është e ku nuk është...

Çfarë fshehu kotësia gjatë gjithë kësaj stine?

1.

Fshehu atë që do të shpërthejë pas gjashtë ditësh; ose para gjashtë ditësh. Më datë 9 shtator do të mblidhet Kuvendi në seancën e parë të legjislaturës. Do të krijohet qeveria e re. Do të zbulohen aleancat e fshehta dhe falsiteti i akuzave... Do të zbulohet kotësia e një pjese të madhe të të zgjedhurve në Kuvend... Këta nuk vijnë nga qielli. Që ditën kur u zgjodh Kuvendi, në fund të qershorit - asnjë lajm e asnjë fjalë për atë krijesë gjigante që i kushtoi popullit mendjen e kokës dhe paratë e xhepit. Atë ditë që do të fillonte gjëja reale, atë ditë mbaroi 'lajmi' dhe fjala. Por e vërteta ishte aty, reale, jo kotësi. Sa do të kushtojë tani, le të shikojmë.

2.

Kotësinë e mbuluan politikanët mbi mendjen e njerëzve, jo vetëm media. Politika është njësoj si Ariu Polar; kur do që të bjerë në gjumë - bie në gjumë me gjithçka. Politika në shoqëritë e dobëta imponon edhe gjumin polar kur i nevojitet vetë politikës. Nëse kërkojmë kotësi këtu, atëherë gabohemi; nën borën e trashë të jetës së vështirë fle politika që imponon kotësinë. Prej tre dekadash po themi se 'kemi fjalën e lirë', por në fakt nuk dimë si të flasim. Në kotësinë e imponuar secili ka të drejtë të flasë, por për kotësinë.

3.

A kishte rënë gjumi i kotësisë edhe rreth nesh?...

Në Korenë e Veriut po rrezikohet paqja botërore. Brenda ditëve të stinës së 'kotësisë' shteti komunist 'sekret' kreu gjashtë prova bërthamore edhe të raketave me rreze të gjatë; dje u krye e gjashta. Askush nuk ka marrë vesh nga mediat për këtë që 'nuk fle' rreth nesh dhe rreth aktorit të humorit që u nxeh dhe doli nga grupi... Në Kosovë- farë afër nesh- dje u dhanë shenjat se mund të ndërtohet qeveria e re; ajo kishte nisur para tre muajsh dhe 'punoi gjithë verën... Këtu te ne- mu në sheshin 'Skënderbej', disa persona mbuluan monumentin e Heroit Kombëtar, sepse thanë se 'Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është mercenar'...

Këtu dhe atje rreth mesh paska jetë... Por ne e kërkuam kotësinë si gruaja e Rilindjes krehrin para pasqyrës që mbante djalli.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: