VITI I SKËNDERBEUT PËR POPULLIN E TELENOVELAVE TURKE- OPINION NGA SONILA MEÇO

VITI I SKËNDERBEUT PËR POPULLIN E TELENOVELAVE TURKE- OPINION NGA SONILA MEÇO
Shqipëria renditet në fund mes vendeve me shtet dhe demokraci të pasigurt, për nivelin e arsimit që ofron. Çfarë siguron ky program qeverisës, në kuadër të një strategjie që përmirëson cilësisht edukimin dhe arsimimin? Në kohën kur edhe reforma për arsimin profesional nuk dha rezultate, kur ministria që e mbulonte u shkri? Në një kohë që Ligji për Arsimin e Lartë akuzohet për klientelizëm e varrosje përfundimtare të kërkimit shkencor? Kur arsimi bëhet, një e mirë për të gjithë, por diploma nuk të garanton punë?

Sot, qeveria nuk ka program, është monopartiake dhe me një lider me pushtet të fortë. Për këtë nuk i duhet popull, e mu për këtë, e ka të lehtë të na pohojë se do të bashkëqeverisë me të për një Shqipëri që hyn në vitin e Skënderbeut. Të gjithë kemi një zë, por askush nuk na dëgjon, veç monumentit të tij, i cili përgjon të gjitha të vërtetat e atyre që lagin këmbët në shatërvanin e sheshit me emrin e tij!

 

VITI I SKËNDERBEUT PËR POPULLIN E TELENOVELAVE TURKE

Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në sfond dëgjohet zëri i kryeministrit të rikonfirmuar socialist i cili, me një konstante decibeli, bën adetin e radhës në Kuvend, - shpalosjen e programit qeveritar.

Me një bezdisje prej leximit të 28 faqeve, - të cilat nuk i ka qëndisur vetë, ku mungon sarkazma, metafora dhe batuta (mjeshtëria e tij), - kushedi çfarë mendon teksa i lexon. Dhe kushedi se ç’mendon çdo shqiptar, teksa ka zëvendësuar orarin e ritransmetimit të telenovelave turke, me një lëçitje monotone të një programi si sqarimet e zakonshme të stjuardesave, mbi masat mbrojtëse në rast rreziku.

Se mos do të ndryshojë gjë edhe ai dëgjim. Sa fuqi do të kem unë, - pyet shqiptari i thjeshtë, - të shpëtoj kokën, po ra avioni? Se mos jam unë piloti e se mos e zgjedh unë lartësinë nga do bie. Për të qenë të sinqertë e për të mos e bërë monoton si fjalimi i kryeministrit këtë shkrim, ja një metaforë: Ne jemi në një avion ku nuk ka asnjë kontroll mbi parametrat teknikë, ku s’ka bashkëpilot. Ai që piloton i vetëm, ka vënë një tabelë: “Mos më fol!”, kur stuhia duket afër, kur turbulencat ia kanë sjellë zorrët në fyt pasagjerëve dhe ku stjuardesat shërbejnë telenovela në ekranet e kabinës dhe paçe me analistë në tryezat e ulëseve.

Çfarë kuptova unë, duke dëgjuar programin, i cili duhej të qe mbështetje konkrete e premtimeve në manifestin e Partisë Socialiste para zgjedhjeve, premtimeve elektorale të saj. Meqë nuk kishte asgjë për t’u shënuar, në përsëritjen e paragrafëve pa asnjë premtim konkret, nuk prisja mbështetje konkrete për diçka që nuk ekziston as në teori. As data konkrete, as burime financimesh për përmbushjen e premtimeve, as një faturë financiare, në kohën kur një ristrukturim i plotë i ministrive dhe agjencive shtetërore ka ndodhur pa u prezantuar askund më herët, pa e ditur me kë u konsultua, - pavarësisht dëshirës së mirë, për ta parë të vogël një qeveri, me sa më pak shpenzime. Po nuk ia jap dot benefitin e dyshimit për këtë qëllim të mirë, sepse mësuar me katërvjeçarin e parë, shumë përqendrim pushteti në një dorë, kjo lëvizje i shkon për shtat kësaj logjike. Ndaj, nuk di kujt t’i trembem më shumë, - një qeverie të fryrë, apo një pushteti të përqendruar në një dorë, sidomos kur kjo varet nga cilësia dhe qëllimet e dorës. Mandati i parë dëshmoi shumëçka për to.

E para, kë e çfarë duhet të besojmë në një program ku nuk pasqyrohet përgjegjësia e dështimeve të mandatit të kaluar. Përpos disa reflektimeve pa adresë, mbi një pranim të vonuar të fenomeneve të dekriminalizimit e kanabisit, asgjë më shumë. Madje, si për ta gëlltitur edhe lugën e fundit të turpit, u kumtua se zgjedhjet e 25 qershorit, i fituan ata që nuk i frynë zjarrit të konfliktit (cilit, atij që donte luftën pa kompromis ndaj të dy fenomeneve, apo atij që i hyri opozitës për të mos parë zullumet e shumicës?). Po dështimet thelbësore, ato që rrezikojnë seriozisht zjarrin në lëmin tonë? Nga rritja e punësimit me 300.000 vende tek emigracioni i shtuar shqiptar, nga të ardhurat që duhet të shtoheshin në buxhet, prej formalizmit tek kultivimi i kanabisit, nga deficiti dhe borxhi i ulur tek eksportet e pamundura karshi importeve jo cilësorë, nga shëndetësia falas tek mjekët e kurseve të përshpejtuara të gjermanishtes, për të ikur sa më parë, nga rritja ekonomike për mirëqenie tek investimet e huaja të munguara si asnjëherë më parë. Nga reforma zgjedhore dhe ajo institucionale tek shpërfillja e opozitës e institucioneve, blerja e votës, nga vota për emigrantët tek diaspora si sfond tubimesh elektorale, nga taksa progresive në ndihmë të masës tek ajo e koncesioneve për të kamur pakicën, nga programi i drejtimit të duhur tek ai me një drejtim drejt oligarkëve. Pra, që të besojmë, na jep mundësinë të kuptojmë se nusërimin e dytë, e ke seriozisht.

E dyta, që patriotizmi të zëvendësojë përpjekjen për të bërë ekonomi, nuk e ka kërkuar asnjë shqiptar. Askush nuk ka kërkuar të bashkojmë trojet ku korrupsioni i administratës, paraja e pistë në qarkullim, vjedhja masive e pasurive publike të bëhet nga ata që nuk i luftuan dot, përkundrazi. Askush nuk ka kërkuar të shpallim vite Skënderbeu, kur Sheshin me emrin e tij e kemi shtruar me procedura të dyshimta, ku historinë e tij nuk ia kemi lënë në dorë studimeve të thella akademike, por ia kemi lënë stërhollimit deri në vulg politik, identitar e fetar nga çdo kontribuues rrjetesh sociale. Askush nuk kërkon shtet në letër kur në praktikë shpërfillen institucionet, duke prodhuar kriza zinxhir në hapësirat ku flitet shqip. Ndaj, servirja e patriotizmit ngjan si ftesë për t’u ushqyer me erëza që rriten vetë, në mungesë të ushqimit të gatuar.

E treta, kjo qeverisje me popullin, a do marrë shpjegim se si do ndodhë? Duke shmangur institucione, duke iu përvjedhur kushtetutës, duke sublimuar marrëzi kolektive, apo gjueti shtrigash? Si do të bëhet, kaq befas, ky transferim ndërgjegjësimi, nëpërmjet zërit të popullit, kur nuk është shndërruar në normë dëgjesa me publikun në vendimmarrje, referendumi popullor, zgjedhja e përfaqësuesve të kuvendit prej tij, zbatimi i një programi të majtë në favor të tij? Çfarë është kjo ngasje çudibërëse që, krejt papritur, na lëshon në një Republikë Popullore ku institucionet nuk i përfill kush dhe lideri di gjithçka?

E katërta, nga do të sigurohen këto burime të buxhetit të shtetit, për të financuar investime publike në rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto? A mund ta dimë si parashikohet ky efikasitet i shtuar në mbledhjen e të ardhurave, kur njëkohshëm po ndodh edhe njehsimi i Tatimeve me Doganat në një zyrë? Nga do të sigurohen këto të ardhura, kur biznesi ankohet prej sakrificës së mbijetesës e kur nuk e dëgjoj të përmendur, një herë të vetme, në program? Tashmë që është vendosur edhe ulja graduale e borxhit publik, në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto?

Së pesti, si u shndërrua në melhem për ekonominë, paketa ‘1 miliard’ e kritikuar fort nga specialistë të financave dhe ekonomisë, si një përpjekje e dështuar në vendet me korrupsion të lartë dhe ku rekordet e koncesioneve të mandatit të kaluar, janë blozë? Pse mashtrohet ende me “angazhimin e kapitaleve private”, kur as bankat nuk mbështesin sipërmarrjen? Ku do gjenden këto kapitale? A e di publiku se e ka në shpinë koston e këtyre projekteve? Jo vetëm sepse kjo është huamarrje si çdo tjetër, por sepse punimet mund të mbeten në mes të rrugës (përvojë që e shohim çdo ditë me sy me koncesionet e dhëna), dhe faturën e paguan publiku, sepse vetëm paratë publike mund të shpëtojnë koncesionarët? Pse nuk i thuhet publikut se kostot për vendin nuk ulen, thjeshtë shpërndahen në të ardhmen, siç ndodh me çdo huamarrje?

Së gjashti, rritja e pagave të mjekëve jashtë Tirane, sa ato të homologëve italianë, nga do dalin? Se me alarmin e universiteteve dhe drejtuesve të shërbimeve, nuk ka mjaftueshëm as mjekë. Pra, që të arrish aty, të duhet i gjithë sistemi i reformuar. Për cilën reformë në shëndetësi po flasim? A mund ta dimë? Atë të arsimit, që garanton mjekët e kualifikuar? Të funksionimit të spitaleve ku privati është bërë biznes që sheh pacientin si konsumator? Atë të shëndetësisë falas ku ata që kanë më shumë nevojë për mjekim, nuk e blejnë dot? A ka një afat, faturë e strategji për këtë? Konkrete them.

Së shtati, që të rrisësh bashkëpunimin rajonal në kuadër të procesit të Berlinit, a ke sqaruar se Shqipëria nuk mori asnjë financim, këtë vit, përkundrejt fqinjëve? A doli ndonjë përgjegjësi për projektet e munguara? Kush i dështoi? Dhe nëse po, si do t’ia rrëmbesh Serbisë, Malit të Zi e Bosnje-Hercegovinës? Me fjalime plot batuta? Apo pyetje ndjellëse mbi lidershipin e supozuar rajonal të Shqipërisë, në konferenca shtypi me televizione të cilat jetojnë edhe nga paraja publike që iu vë në dispozicion?

Së teti, pse premton integrimin, kur lan duart nga ajo ç’ka varet prej Shqipërisë? Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet, BE-ja po vetë konsumohet në kriza e po ndërton një diskurs antishqiptar të padrejtë. Asnjë përpjekje për të adresuar 5+2 kriteret e vijimit të procesit integrues të cituara në çdo raport ndërkombëtar e, së fundmi, edhe nga Përfaqësuesja e BE-së në Shqipëri?

Së nënti, Shqipëria renditet në fund mes vendeve me shtet dhe demokraci të pasigurt, për nivelin e arsimit që ofron. Çfarë siguron ky program qeverisës, në kuadër të një strategjie që përmirëson cilësisht edukimin dhe arsimimin? Në kohën kur edhe reforma për arsimin profesional nuk dha rezultate, kur ministria që e mbulonte u shkri? Në një kohë që Ligji për Arsimin e Lartë akuzohet për klientelizëm e varrosje përfundimtare të kërkimit shkencor? Kur arsimi bëhet, një e mirë për të gjithë, por diploma nuk të garanton punë?

Së dhjeti, a ka ndërmend Rilindja të shpjegojë se u nis si projekt i majtë, por dënoi saktësisht shtresat për të cilat kumtoi se do të kujdesej? Barra fiskale rëndoi më të varfrit, si dhe ata me paga më të ulëta. U tkurr skema e mbështetjes sociale. U rrit varfëria dhe pabarazia. U rrit çmimi i energjisë elektrike. U rritën taksa mbi konsumin dhe u penalizuan të pamundurit. Në programin e ri qeverisës, asnjë shenjë nuk dëshmon më për një qeveri të majtë, përpos nostalgjisë për të shkuarën e kuqe, nga ku u huazuan edhe drejtues të rëndësishëm institucionesh e dikasteresh.

Që të jemi të saktë, pas përzënies së disa investitorëve të mëdhenj, largimit vullnetar të disa të tjerëve dhe mosafrimit të asnjë investimi serioz (pranuar edhe nga vetë kreu i qeverisë në takimin me ambasadorët shqiptarë në botë), investimet e huaja direkte në Shqipëri, kanë shënuar rënie në gjysmën e parë të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, duke qenë larg niveleve të regjistruara në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, kur ato u nxitën nga gazsjellësi TAP. Rënia është rreth 7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e investimeve të huaja ishte e paralajmëruar, sepse nivelin e tyre e ruanin punimet për ndërtimin e projektit TAP dhe HEC-it të Devollit. Sipas raportit të Komisionit Europian, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para, mund të përbëjnë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune. Por asnjë ide, strategji, apo plan nuk u prezantua në suazën e këtij sugjerimi. Që është një alarm. Madje vështirë të gjeje politika, edhe në mbështetje të tyre, në 28 faqet e katër kapitujve të programit qeveritar. Pa llogaritur këtu faturat e jashtëzakonshme të gjyqeve në arbitrazh ndërkombëtar, që shteti shqiptar duhet të përballojë përgjatë këtij mandate (prit se nuk keni parë gjë akoma!).

Po nuk dimë ende si do të bëhet konkurrente, kjo ekonomia jonë e drobitur, ku importi i merr frymën; nuk dimë ku do të gjenden vendet e reja të punës, në cilin sektor a projekt strategjik; nuk dimë si do të ndalet fluksi i emigrantëve që na merr edhe lëndë nga materia gri që duhet të projektojë këtë vend; nuk dimë si do t’ia dalin pensionistët, të rinjtë e pashpresë; si do të ndalim plakjen e popullsisë me një çek bebesh si ide e vjedhur dhe nga ku nuk dihet si do dalin fondet; nuk dimë ku do të mësojmë të vërtetat, pasi vetë kreu i qeverisë na i quan kazan mediat, e ku, këto të fundit, bëjnë vetë sondazhe të paguara prej tyre, mbi shikueshmërinë e tyre për programe që shqiptarët i hutojnë mbi të vërtetat e jetës së tyre.

Dhe si për faj a jo të kësaj shumice, opozita është në ditët e veta më të vështira. E kur artikulimi për një opozitë të fortë ka habitatin e vet më pjellor të mundshëm.

Ndaj jo 28, por edhe 128 faqe të kishte programi qeverisës, të lexohej më me pasion nga kreu i qeverisë, të na ngjethte mishin e të na sublimonte zëvendësimin e orarit të telenovelave turke me të, nëse ai nuk ka përmbajtje, do ta tresë dalëngadalë vendin për të cilin duhej të mendonte.

Sot, qeveria nuk ka program, është monopartiake dhe me një lider me pushtet të fortë. Për këtë nuk i duhet popull, e mu për këtë, e ka të lehtë të na pohojë se do të bashkëqeverisë me të për një Shqipëri që hyn në vitin e Skënderbeut. Të gjithë kemi një zë, por askush nuk na dëgjon, veç monumentit të tij, i cili përgjon të gjitha të vërtetat e atyre që lagin këmbët në shatërvanin e sheshit me emrin e tij!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: