Zgjedhjet, më shumë para’ në qarkullim, por dhe nëpër banka

Zgjedhjet, më shumë para’ në  qarkullim, por dhe nëpër banka
Më shumë para’ në qarkullim  të gjerë, por nga ana tjetër edhe më shumë të tilla që u depozituan në kanalet bankare. Kjo ishte situata e vërtetë financiare që shoqëroi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017 në Shqipëri, konfirmuar nga shifrat më të fundit që ka referuar vetë banka qendrore. Përmes të cilave, është pranuar në të njëjtën kohë edhe dukuria se gjatë zgjedhjeve pati një ofertë të shtuar në tregun vendas të valutës së huaj, sidomos monedhës evropiane, euro, për të cilën raporti i finalizuar para pak ditësh nga ministrat teknikë të qeverisë “Rama” kërkoi edhe ndërmarrjen e një hetimi të posaçëm. Një situatë kjo, e cila pranon tashmë edhe përmes shifrave ekzistencën e dukurisë së një lëvizjeje të shtuar të parave sa herë që në vend një proces zgjedhor. Konkretisht, sipas Bankës së Shqipërisë, paraja në qarkullim si e tillë, pati një shtim të saj pikërisht 2-3 muaj para zgjedhjeve të 25- qershorit, kundrejt një moslëvizje të saj në muajt e parë të vitit. Në shifra, rezulton se nga 254 miliardë lekë që qarkullonin në muajt shkurt-mars 2017, ato u rritën respektivisht në 256 miliardë në muajin prill, 257 miliardë në muajin maj, për të arritur deri në nivelin prej 261 miliardë lekësh në muajin e zgjedhjeve, pra në qershor. Kurse sa u përket depozitave, ato kanë rezultuar të kenë më të larta në monedhën evropiane, euro gjatë muajve të zgjedhjeve.

“Stoku i depozitave në sistemin bankar u rrit me 4.5% në terma mesatarë vjetorë gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, duke ruajtur normë të njëjtë rritjeje me tremujorin e kaluar”, citojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar se zgjerimi i qëndrueshëm i depozitave vijon të mbështetet nga rritja më e shpejtë e depozitave në valutë, në nivelin prej +6.3%, krahasuar me atë të depozitave në lekë, +2.7%. “Në fund të muajit qershor, stoku total i depozitave në sistemin bankar vlerësohet të jetë rreth 71% ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto”, citojnë gjithashtu ekspertët. Duke konfirmuar kështu trendin e të paturit më shumë para’ gjatë zgjedhjeve në duart e shqiptarëve, sidomos euro, saqë iu janë drejtuar bankave për t’i depozituar ato. Kujtojmë sakaq, se ka qenë vetë Banka e Shqipërisë, e cila në një analizë të saj lidhur me mbiçmimin e monedhës vendase, lekut, gjatë periudhës së muajve maj-qershor 2016, pra, ajo e zgjedhjeve të përgjithshme, e ka lidhur këtë dukuri, pikërisht me një ofertë të shtuar të monedhës evropiane, euro, në tregun e brendshëm të këmbimit valutor.

 

Në muajin qershor 2017, depozitat u vunë pa afat

Ajo që bie në sy në lidhje me depozitat e krijuara pikërisht në periudhën e parazgjedhjeve të 25 qershorit 2017, përveçse ishin në monedhën evropiane, euro, ishte edhe fakti tjetër që ato u vendosën kryesisht pa një afat të caktuar. Kjo konfirmohet nga vetë ekspertët bankarë, sipas të cilave, të tilla depozita zënë nivelin më të lartë ndër të tjerat, që kanë afate të caktuara maturimi. “Në fund të muajit qershor, depozitat pa afat përbëjnë rreth 40.3% të stokut total të depozitave në sistemin bankar”, saktësojnë lidhur me një dukuri të tillë, ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare. Duke pranuar më tej, se “struktura kohore e depozitave ka vijuar të zhvendoset drejt depozitave pa afat”. E duke treguar në këtë mënyrë sesi paratë e shtuara, në duart e qytetarëve, pikërisht në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit u vendosën menjëherë në banka, por pa qenë “të vendosur” se me çfarë afati t’i ruanin ato, si në pritje të dëshirës për t’i tërhequr sërish.

 

DALLIMI

Nga ana tjetër, raporti i fundit i bankës qendrore citon se “ecuria sipas agjentëve ekonomikë evidenton rritje të depozitave të biznesit, e cila tregon për shtim të likuiditetit të tyre si pasojë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik”. Nga ana tjetër, sipas tyre, depozitat e individëve shënojnë ritme më të përmbajtura rritjeje në terma vjetorë. “Depozitat mbi dy vjet kanë shënuar gjithashtu rritje gjatë kësaj periudhe. Raporti i tyre ndaj depozitave totale të sistemit arriti në 8.1%, duke mbështetur zgjatjen e maturitetit mesatar të fondeve të bankave të disponueshme për ndërmjetësim”, shton BSH-ja.

Investimet/ Shpenzimet kapitale, 9.2 miliardë lekë më shumë se viti 2016

Çdo vit që korrespondon me zgjedhjet parlamentare,  investimet elektorale janë ato që diskutohen më tepër nga opinion publik. Por duke  parë  statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave, vihet re se për periudhën 7-mujore realizimi i këtyre investimeve është në nivele jo të larta, me konkretisht në afro 40% e planifikimit vjetor. Ndërsa duke parë trendin e viteve të fundit, shifrat e shpenzimeve kapitale në vite, vihet re se këtë fillim vit ka pasur një rritje të investimeve publike.

Kështu, referuar të dhënave të treguesve fiskalë për këtë periudhë, shpenzimet kapitale paraqesin një realizim në masën rreth 29.1 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është rreth 9.2 miliardë lekë më shumë. Po sipas këtyre të dhënave, realizimi me financim te brendshëm  është në  vlerën e 19.1 miliardë lekëve, ndërsa investimet me financim të huaj për këtë periudhë arrijnë në 10 miliardë lekë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: