ZGJEDHJET NË GJERMANI DHE SHQIPËRIA- OPINION NGA ALFRED PEZA

ZGJEDHJET NË GJERMANI DHE SHQIPËRIA- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Parë nga optika shqiptare, zgjedhjet e djeshme parlamentare në Gjermani, kanë krijuar një tablo sa interesante për sytë e elitës politike të Tiranës, aq edhe një lloj tifozllëku krejt të vakët të qytetarëve, ndikuar dukshëm nga indiferentizmi i pakuptimtë i mediave tona. Nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet presidenciale në SHBA, çuditërisht, qasja do të ishte tërësisht tjetër, në raport me atë që iu rezervua zgjedhjeve për kancelarin/en e "amerikës europiane". E diela që sapo kaloi, ishte tjetër shans i humbur për mediat tona, me sa duket, për të dalë nga kurthi lokalist dhe provincial ku është vetëfutur, prej kohësh, me dëshirë.

Tabloja e djeshme është parë me penelata të ndryshme në Kosovë, kryesisht, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi e Serbinë Jugore. Nuk do të ndalem tek pjesa përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë, për shkak se raportet në aspektin e emigrimit të qytetarëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë, ndihmuar nga historia, janë shumë më të hershme dhe krejt të ndryshme nga jona, kur Enver Hoxhës "edhe i dhimbte edhe i digjte", për të rivendosur marrëdhëniet me Gjermaninë e Helmut Kohl-it.

Pavarësisht se ka kaluar më shumë se çerekshekulli dhe post komunizmi ka sjellë realitete të reja gjeopolitike, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për shqiptarët në Ballkan, përsëri fijet e të shkuarës nuk janë këputur plotësisht. Ndaj, raportet e vjetra, duket se ende ndikojnë dhe diktojnë, deri diku, qasjen e ndryshme të mediave, opinionit shqiptar, por edhe të raporteve jo plotësisht të unifikuara përballë Berlinit, të lidershipit politik në Tiranë e Prishtinë kryesisht, e më pak, sigurisht, në Tetovë, Ulqin e Bujanovc.

Çfarë pret politika e Tiranës?

Nisur nga kandidatët kryesorë në garë, profilet, karriera dhe mundësitë e tyre për të fituar apo humbur shansin për ta qeverisur Gjermaninë, në katër vitet e ardhshme, ka pritshmëri të ndryshme nga liderët kryesorë të politikës në Shqipëri. Angela Merkel e CDU-së, që pritet të marrë një mandat të katërt si Kancelare, por edhe Martin Schulz i SPD-së që është sfidanti për një mandat të parë, për shkak të karrierës së gjatë dhe peshës e rolit në Europë, nuk janë të panjohur për Edi Ramën, Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe për Ilir Metën. Për rrjedhojë, me siguri që secili prej tyre ka parapëlqimin e vet, në interes të së ardhmes së raporteve personale, politike dhe institucionale me numrin 1 të shtetit më të fuqishëm të Europës, e për rrjedhojë edhe të NATO-s e BE-së.

Rama

Për kryeministrin Edi Rama, këto zgjedhje në Gjermani, duhet të jenë një "win win story", po të kemi parasysh raportet e tij si me Kancelaren Merkel ashtu edhe me ish -Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz. Këtu nuk është fjala thjesht dhe vetëm për raporte personale si mes dy politikanësh, por për një histori të gjatë institucionale dhe qëndrimesh për vendime, çështje dhe qëndrime zyrtare ose publike në vijimësi. Me Kancelaren aktuale, vijimësia nuk do të kishte enigma, sidomos në lidhje me vendimin e madh që Shqipëria pret të marrë datën dhe të hapë negociatat për anëtarësim në BE, përpara mesit të vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, po të kemi parasysh se Martin Schulz është kryetari i partisë Social Demokrate të Gjermanisë, anëtare me peshë e Internacionales Socialiste dhe e partive të majta europiane ku bën pjesë edhe PS-ja, sigurisht kuptohet që e ardhmja pa enigma e raporteve, është e garantuar.

Basha

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pritshmërinë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili duket se përjeton një situatë "lose lose story" mes dy kandidatëve kryesorë në lojë, duke qenë gati në pozitë të kundërt me atë të Edi Ramës. Pasi për të dhe PD-në, duket se keq është të rikonfirmohet përsëri Merkel, e keq po të fitojë edhe Schulz, po të kemi parasysh raportet e viteve, por sidomos muajve të fundit. Pavarësisht se PD-ja e Shqipërisë është dukshëm më pranë CDU-së së Merkel, për shkak se janë pjesë e unionit të partive të djathta europiane, as kjo nuk e favorizon. Mjafton të risjellim në vëmendje, periudhën para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri, kur opozita hyri në çadër, e ku mbështetja zyrtare e aleatëve të djathtë gjermanë u mungoi plotësisht. Madje, e kundërta ishte e vërtetë. Të mos harrojmë kundërshtimet publike dhe jo publike që iu bënë Bashës nga Berlini dhe Bruskeli, për t’i dhënë fund bojkotit e për tu futur në negociata me kryeministrin Rama për një zgjidhje kompromisi, siç edhe ndodhi në fakt. Sa i takon raporteve të Bashës me Martin Schulz, është dukshëm e kuptueshme se ajo më shumë favorizon PS-në dhe Ramën sesa atë vetë dhe PD-në.

Meta

Sa i takon Ilir Metës, nisur nga raportet e derisotme të tij me Merkel e CDU-në dhe Schulz e SPD-në, mendoj se ndodhet në një pozitë të ndryshme nga Rama, por edhe nga Basha në këtë histori. Këtu analiza po bëhet në linjën e Ilir Metës si ish-kreu i LSI-së, më shumë sesa si president mbi palët sot, sipas përcaktimit tonë kushtetues. Parapëlqimi i tij, por edhe i LSI-së në këtë rast, duhet të anojë dukshëm nga fitorja e Schulz, pavarësisht se sondazhet deri mbrëmë, i kanë dhënë më pak shanse se Merkel, për t’u bërë Kancelari i 9-të i Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo, përveç të tjerash, edhe për shkak të një historie më të gjatë të marrëdhënies politike mes një personazhi shumë të rëndësishëm të së majtës europiane e botërore siç është Schulz dhe ish-liderit të një partie të majtë në Shqipëri.

Merkel

Gruaja e hekurt, e udhëheq Gjermaninë nga 22 nëntori i vitit 2005 (atëherë kur edhe Berisha, sapo kishte fituar ndaj Nanos dhe ishte rikthyer në pushtet si kryeministër), për tri mandate katërvjeçare me radhë, duke synuar një mandat të katërt. Sondazhet e nxirrnin favorite dhe kjo do ta çonte atë në barazimin e një rekordi historik për vendin e saj, ndër 8 udhëheqësit që e ringritën Gjermaninë e pas Hitlerit.

I pari ka qenë Kancelari "i pajtimit" (CDU), Konrad Adenauer, që e udhëhoqi vendin pas Luftës për 14 vjet, i pasuar nga kancelari "i bumit ekonomik" (CDU), Ludwig Erhard, që qeverisi veç tre vjet. I treti ishte Georg Kiesinger po i CDU-së, që konsiderohet si kancelari i afrimit me Lindjen komuniste dhe që qeverisi të parin kabinet me koalicion të gjerë partish. I katërti ka qenë nobelisti i paqes, Willi Brandt ,që u bë edhe kancelari i parë nga SPD-ja, nën slloganin liberal "më shumë demokraci", i cili dha një kontribut të çmuar për pajtimin mes Lindjes e Perëndimit. Më pas, vjen Helmut Schmidt i SPD-së përsëri, që udhëhoqi për dy mandate e cilësohet si kancelari "i çtensionimit". Kancelari më jetëgjatë, deri më sot, është ai "i bashkimit" Helmut Kohl i CDU-së, që qëndroi 4 mandate, plot 16 vjet në pushtet, e që pati meritën e bashkimit të dy gjermanive, ndarë pas Luftës, duke u bërë edhe "babai" i monedhës së përbashkët euro dhe i zgjerimit të unionit. I pasuar nga Gerhard Schroder që cilësohet si kancelari "i reformave".

Merkel është e teta në radhë, pas Schroder-it, duke ardhur nga fusha e fizikës si profesore, për tu bërë e para grua dhe e para qytetare e lindjes, e cila qeveris Gjermaninë e bashkuar pas luftës. Nën qeverisjen e saj, vendi është eksportuesi më i rëndësishëm i botës dhe me nivelin më të ulët të papunësisë, qysh nga epoka e rrëzimit të Murit të Berlinit.

Edhe nëse fituesi i zgjedhjeve të djeshme, është konfirmuar edhe zyrtarisht tani, krijimi i qeverisë së re, me siguri, do të kërkojë të paktën disa muaj kohë në Gjermani, për arsye se si CDU-së dhe SPD-së do t’i duhet ndoshta një koalicion me partinë që do të renditet e treta. Kjo konsiderohet si një garë më vete, po aq interesante sa edhe gara e madhe. Për shkak se partia që do renditet e treta, me siguri që do të jetë pjesë e qeverisë së re, ndërsa partia e dytë do të mbetet edhe për 4 vjet të tjera në opozitë. Në garë për vendin e tretë, janë si rrallëherë të Gjelbrit, Liberalët, të Majtët por edhe Partia Populiste, AfD.

Mes 61 milionë gjermanëve që u thirrën për të votuar për Bundestagun e 19-të në histori, ka edhe qytetarë shqiptarë me të drejtë vote tashmë, si edhe shumë emigrantë me origjinë nga shtete të tjera. Nëse vota e tyre mund të jetë përcaktuese për fituesin, mosha e tyre e re kryesisht, nuk e kanë ndihmuar gjithsesi Gjermaninë, në një aspekt tjetër ku ajo po e humb bastin me të ardhmen. Mosha mesatare e votuesve gjermanë ishte 52 vjeç, me e lartë se kurrë më parë. Gati më shumë se një e treta e tyre, ishin madje edhe më të moshuar, mbi 60 vjeç.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: