Votimi elektronik, gjithë “grackat” ku mund të ngecë procesi

Votimi elektronik, gjithë “grackat” ku mund të ngecë procesi
INTERVISTË / Zëvendësdekani i Fakultetit të Teknologjisë dhe Informacionit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Eris Zeqo, shpjegon gjithë detajet teknike të votimit elektronik. Si kanë rezultuar testimet në vende të ndryshme dhe problematikat e hasura në vendet që e aplikojnë. Si mund të ndodhemi përpara sulmeve në sistem për të manipuluar rezultatin dhe sa e besueshme është makineria

Votimi elektronik është një ndër temat më të diskutuara. Opozita e ka vendosur si kusht për reformën zgjedhore që po përgatitet. Debatet opozitë-mazhorancë pritet të zbardhin edhe propozime të ndryshme që do të çojnë në zgjidhjen e dilemës: Cilin lloj të votimit elektronik do të zgjedhim?

Eksperti i teknologjisë së informacionit, Eris Zeqo, tregon për “Albanian Free Press” se me çfarë brisqesh do të përballemi në procesin e votimit elektronik. Që nga marzhi i gabimit të vetë makinerisë, deri tek mundësia e sulmeve nga jashtë me qëllim manipulimin e rezultatit. “Softueri është i rrezikuar nga gabime ose nga objektiva dëmtimi të qëllimshme të makinerisë, ndërkohë që hardueri është i rrezikuar nga ndërhyrje të jashtme të makinerisë, përveç anës teknike dhe gabimeve njerëzore”, shpjegon pedagogu i informatikës.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Z. Zeqo, çfarë do të thotë “votim elektronik”, sipas manualeve të teknologjisë së informacionit?

Votimi i plotë elektronik përfshin që çdo gjë të bëhet në mënyrë elektronike gjatë procesit zgjedhor, që nga identifikimi, votimi dhe numërimi. Kjo gjë eviton barrierat fizike, pjesën e distancës. Çdo votues ka të drejtë të votojë nga çdo vend ku ka akses interneti, nga pajisje private, nga ambiente private brenda dhe jashtë shtetit ku ndodhet. Ky është një avantazh kryesor në qoftë se do të përfshihet pjesa e votimit të emigrantëve.

Çdo person që ka kompiuter të thjeshtë ka kredencialet e veta personale të cilat janë unike dhe i ka vetëm ai person. Me anë të këtyre kredencialeve mund të hyjë ditën e votimeve dhe të zgjedhë alternativat e tij, që mendon më të arsyeshme për ditën e votimit. Ky do të ishte votimi i mirëfilltë elektronik ose votimi me internet. Për arsye problematikash të tjera, për arsye sigurie, për arsye mosbesimi, për arsye teknike, ky votim kufizohet dhe vende të ndryshme  ofrojnë pjesë të këtij votimi elektronik.

Për çfarë kufizimesh bëhet fjalë?

Kufizimet janë në disa aspekte. Kufizim i parë është aspekti fizik. Pra, përcaktohet nëse votimi elektronik do të bëhet ku të dëshirojë votuesi apo do të bëhet në qendra të paracaktuara nga ana  e organizatorëve të votimit, të qeverisë apo të komisionit zgjedhor.

Ky kufizim bëhet zakonisht për të zgjidhur dy problematika:

E para, evitohet ndërhyrja e faktorëve të jashtëm, sepse në të kundërt do të duhej një faqe interneti e sigurt, e cila mbulon pjesën e votimit ku do logojnë votuesit dhe votojnë. E dyta, sigurohet që votuesi të mos ketë presione të jashtme në ditën e votimit.

Votimi i pandikuar a mund të sigurohet edhe duke votuar nga shtëpia? Kemi patur raste të fotografimit të votës edhe brenda dhomës së fshehtë, mund të imagjinohet çfarë ndodh nëse votohet nga shtëpia...

Estonia është i vetmi vend në botë që ka votim të plotë elektronik. Për të evituar problematika si ato që ju pyesni, në këtë vend lejohet që votuesi të ketë të drejtën të ndryshojë mendimin e tij gjatë ditës së votimeve për votën që ai jep, që do të thotë në qoftë se në mëngjes ai voton për partinë e parë dhe ndërron mendje gjatë ditës, në vazhdimësi ai mund të votojë për partinë e dytë. Kjo do ta bënte të pabesueshme edhe fotografimin e votës, qoftë për personin që e bën, qoftë për personin që e kërkon një fotografim të tillë. Që do të thotë që edhe në qoftë se kjo fotografi realizohet, nuk do të thotë që kjo është vota përfundimtare e këtij personi.

Pikërisht për këtë arsye, kjo barrierë garantohet edhe nga identifikimi i votuesve nga një komision në qendrën e votimit dhe jo me vetëidentifikim nga ambiente personale. Pra, evitohet edhe votimi familjar që, në rast të votimit elektronik të plotë, është një rrezik i madh.

Barriera e tretë, është pjesa e kufizimit e pajisjeve që do të përdoren për pjesën e procesit të votimit. Ndryshe nga votimi i plotë elektronik ku secili mund të përdorë çfarëdolloj pajisje fizike, procesi i kontrolluar elektronik në qendrat e votimit ka pajisje të certifikuara nga kompani ndërkombëtare të cilat janë certifikuar për këtë problem, të besueshme, asnjanëse. Do me thënë kriteri që duhet plotësuar dhe që është një tjetër problematikë e vështirë për t’u arriturështë se sa do të jenë ofruesit e këtyre makinerive, të këtij shërbimi të besueshëm për të gjitha palët në Shqipëri ose e njohur nga të gjitha palët në Shqipëri.

Këto kompani ofrojnë softuerin apo harduerin?

Në përgjithësi, kompanitë që ofrojnë votimin elektronik, i përfshijnë të dyja në formë pakete, së bashku. Makineri të caktuara punojnë me softuerin e bërë për këto makineri dhe anasjelltas.

Cilat janë problematikat kryesore që mund të shfaqen në softuerë apo harduerë?

Problemet kryesore në softuer janë problemet e ndikimit të qëllimshëm ose gabimeve të qëllimshme dhe të paqëllimshme në kodim. Që do të thotë: Gabimet e qëllimshme janë që softueri të bëhet në mënyrë të tillë për qëllimin e manipulimit të zgjedhjeve. Duke qenë se softueret në përgjithësi nuk bëhen publikë dhe nuk janë publikë, edhe auditimi i këtyre softuerëve, është i vështirë ose gati i pamundur për sa kohë kompania që e ofron, nuk e bën publike kodimin e softuerit.  Kjo do të thotë që duhet të jesh me mirëbesim të plotë në këtë ndërmjetës ose në këtë ofrues shërbimi.

Nuk ka mënyrë kontrolli të procesit nga palët pjesëmarrëse?

Vetëm në rast se ofruesi i shërbimit pranon ta bëjë publik kodin e tij dhe komplet pjesën e softuerit, që ky softuer të jetë publik për të gjithë profesionistët e fushës, qoftë të politikës, qoftë dhe jashtë politikës, për të parë apo për të siguruar cilësinë apo saktësinë e këtij sistemi.

Por kjo është thikë me dy presa. Në momentin që ky softuer bëhet publik, bëhet më i lehtë për t’u sulmuar nga persona që kanë si qëllim ta sulmojnë këtë softuer. Për sa kohë ti i ke dhënë kodin një personi, që ka synim dëmtimin e një softueri të caktuar ose hakerimin e këtij softueri, ke bërë gjysmën e punës për pjesën e hakerimit. Transparenca dhe siguria në këtë rast janë në përpjestim të zhdrejtë.

Po përsa i përket infrastrukturës, a ka problematika të tjera?

Problemet fizike janë problemet kryesore përsa i përket implementimit të këtij sistemi. Ka vështirësi infrastrukture, pasi ky implementim fizik duhet bërë në të gjithë Republikën e Shqipërisë, në zona të thella të vështira, rurale etj. por dhe probleme të ndërhyrjes ndaj këtyre makinerive. Makineritë kanë edhe probleme teknike që janë fizikisht për arsye tensioni, energjie, por edhe dëmtimi të qëllimshëm apo të paqëllimshëm të këtyre makinerive. Sigurisht, ka edhe probleme sulmesh hakimesh ndaj këtyre makinerive fizike. Janë të dokumentuara që këto gjëra kanë ndodhur. Ka disa testime që janë bërë për pjesë fizike. Shembull i hakimit është një testim që ka bërë një universitet në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2010. Ky testim ka vërtetuar se këto makineri janë të hakueshme. Studentët e këtij universiteti, brenda 36 orëve, arritën të hakonin makineritë dhe të ndryshonin komplet votat e regjistruara në këtë makineri, duke vendosur votat sipas preferencës së tyre. Kemi dhe shembull në testimet që i janë bërë makinerive gjatë votimeve në Holandë, ku u vërtetua se, në qoftë se një pajisje e caktuar afrohej në një distancë prej 40 metrash nga pajisjet e votimit, atëherë kjo pajisje mund të përgjonte votimin që bëhej sikurse përgjohet një telefon me antenë ambientale. Përgjuesi kishte mundësi jo vetëm të mësonte si ishte rezultati deri në atë moment, por edhe të gjente se për cilin kandidat apo parti politike votonte gjithsecili, mjafton që pajisja të ishte brenda rrezes prej 40 metrash.

Gjatë këtij testimi mund të ndërhyhej në rezultatin që regjistronte makina?

Për ndërhyrjet në rezultat janë pajisje të tjera. Janë dy testime të ndryshme. Njëra që bën ndërhyrjen në rezultat dhe tjetra që bën përgjimin e mënyrës së funksionimit të makinerive. Janë dy probleme që ndodhin për anën teknike. Por, në qoftë se persona të cilët kanë aftësi dhe anë teknike të specializuar në këtë fushë kanë për qëllim të modifikojnë rezultatin e zgjedhjeve, atëherë ata mund edhe të ndërhyjnë, duke përdorur të tjera pajisje, ashtu sikurse arrijnë të përgjojnë rezultatin.

Këto pajisje funksionojnë në pjesën e transmetimit të të dhënave on line apo veprojnë pavarësisht lidhjes në internet?

Veprojnë pavarësisht nëse pajisja është e lidhur në internet, sepse këto janë pajisje që funksionojnë  në distancë, duke vendosur lidhjen midis pajisjes dhe përdoruesit ose përgjuesit. Për sa kohë i afrohet në një distancë të caktuar kësaj makinerie, krijon interferencë ose krijon bashkëpunim me këto makineri

Pra, ju thoni se është i rrezikuar si softueri edhe hardueri?

Është i rrezikuar në dy këndvështrime të ndryshme, në dy profile të ndryshme. Softueri është i rrezikuar nga gabime ose nga objektiva dëmtimi të qëllimshme të makinerisë, ndërkohë që hardueri është i rrezikuar nga ndërhyrje të jashtme të makinerisë, përveç anës teknike dhe gabimeve njerëzore. Çdo makineri dhe çdo softuer në fushën e teknologjisë dhe informacionit, ka dhe marzhin e gabimit brenda, sikurse ka edhe gabimin njerëzor, të paqëllimshëm, që ndodh për arsye të ndryshme ose në situata të ndryshme.

Sa është marzhi i gabimit që llogaritet i zakonshëm për këto makineri, duke përjashtuar gabimet njerëzore?

Marzhi i gabimit, në testimet që janë bërë, mund të arrijë edhe në 2% të votuesve apo dhe më tepër. Këto janë marzhe gabimi të testuara nga vende të ndryshme si Australia, India, Britania e Madhe, Holanda e me radhë. Marzhi i gabimit është i tillë i cili mund të ndikojë jo vetëm në rezultatin e zgjedhjeve, por edhe ne pjesën e ecurisë, të sigurisë së zhvillimit të procesit zgjedhor, sepse në qoftë se defektet ndodhin gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor, atëherë procesi ndërpritet dhe bëhet i pamundur për të vazhduar më tej.

Në rast të ndërprerjes së përkohshme të procesit, a ruhen të dhënat e votimit të deriatëhershëm?

Varet se çfarë lloj votimi elektronik do implementohet: Votim elektronik i cili do të jetë i shkëputur totalisht nga pjesa fizike e ruajtjes së dokumentacionit apo votim elektronik që do të jetë i shoqëruar ose i bashkërenduar me printimin e një flete votimi që pasqyron rezultatin e votuesit në ato momente. Në rast se do të jetë kjo e dyta, atëherë do të thotë që çdo rezultat i deriatëhershëm do të ruhet në një hardkopi që do të jetë i ngjashëm me votimin aktual që bëhet në Shqipëri. Ky është i ngjashëm me votimin fizik. Dallimi është se fleta e votimit nuk shkruhet personalisht nga personi, por do printohet nga një printer apo nga makineria që do të përdoret. Do të jetë në një kuti votimi, siç është në një votim normal. Dhe në këtë rast, nuk do të jetë logjika e votimit elektronik, por do të jetë si numërim elektronik, ku makineria do të ketë vetëm rezultatin e numëruesit dhe jo pjesën e ruajtjes së materialeve zgjedhore.

Në rast se makineria do të jetë pjesë e ruajtjes së materialeve zgjedhore, do të thotë nuk printon dokumente fizike, por çdo gjë është e ruajtur elektronikisht në makineri. Atëherë mund të kemi shkëputje të lehta të makinerisë si shkëputje e energjisë, ristartim të sistemit që nuk e humbasin informacionin, por thjesht do të ndërpresin procesin zgjedhor për një kohë të caktuar. Por mund të kemi dhe dëmtime të rënda të makinerisë pa hyrë në detaje teknike, si djegie të hard diskut, të ram-it e kështu me radhë, të cilat humbasin plotësisht të dhënat të ruajtura në të. Që do të thotë të gjitha votat e numëruara ose të hedhura deri në ato momente do të humbasin njëherë e përgjithmonë e nuk do të rikuperohen më.

Për rastin e Shqipërisë, do të ishte më i përshtatshëm votimi me printim të fletës së votimit. Çfarëdo lloj defekti që t’i ndodhë makinerisë, fleta e votimit ruhet fizikisht.

Po niveli i votuesve në Shqipëri mund të paraqesë probleme, pasi jo kushdo është praktik me teknologjinë...

Niveli i informimit të përdoruesve është një tjetër problematikë. Varet sa i avancuar do të jetë softueri i përdorur për zgjedhje, sa i komplikuar do të jetë për t’u përdorur, sa masa sigurie do të ketë në vetvete. Sa më shumë masa sigurie të ketë softueri, aq më i vështirë bëhet për t’u përdorur.

Është domethënës një rast që ka ndodhur në Finlandë. Në tre qendra votimi dështuan votimet për shkak se votuesit votonin, por nuk prisnin konfirmimin, sepse makineria kërkonte kohën e saj. Në fund të votimit, dilte një tabelë përfundimtare që thoshte: konfirmoni ose jo votën tuaj. Dhe ishin mbi tre mijë vota që kishin humbur për këtë arsye, sepse ishte votuar, por nuk ishte konfirmuar.

Vetë sistemi, gjatë procesit të votimit, mund të ketë hapa të tillë që janë të vështirë për t’u kuptuar ose të paplanifikuar, ose të paparashikuar nga ana e votuesit dhe votuesit. Mangësitë e informacionit ose vetëm përshtatshmërisë së njohjes së tyre me anë të teknologjisë mund të sjellin probleme të theksuara. Kjo do të jetë për moshat e treta, për personat me aftësi të kufizuara, por edhe njerëz të zakonshëm që nuk janë mësuar me përdorimin e teknologjisë me lehtësi. E shikojnë me skepticizëm, e shikojnë si diçka jo familjare nga ana e tyre.

Por edhe personat që kanë vështirësi për të votuar, sikurse ndodh edhe në rastin e votimit manual, do të jenë të shumtë në numër. Numri i tyre do të shumëfishohet në krahasim me votimin manual. Kur kemi një person të verbër, kush është personi që e shoqëron në qendrën e votimit? Dhe gjithmonë fillon debati brenda komisionit: ky është personi jot nuk duhet ta shoqërojë, ky është personi im duhet ta shoqërojë, familjari quhet votim familjar. Duhet një person asnjanës ta shoqërojë, por ky është person që në mënyrë indirekte po kryen votimin për të. Dhe numri i këtyre “të verbërve” do të jetë i shumëfishuar në votimin elektronik. Sepse ka persona që, edhe pse janë të aftë fizikisht, kanë nevojë për sqarime logjike gjatë procesit të zhvillimit të votimit. Kjo do të sjellë problematika në lidhje me numrin e madh të personave që do t’i asistojnë për të votuar.

Në dijeninë tuaj, në sa vende përdoret votimi elektronik?

Vetëm Estonia e përdor në mënyrë të plotë. Vende të tjera e përdorin në mënyrë të kufizuar, duke e aplikuar vetëm në qendra votimi, ose e përdorin në zona të caktuara, ose e përdorin njëkohësisht me votimin manual. Aktualisht janë SHBA, Zvicra, India, Brazili dhe ndonjë tjetër.

Ka edhe shumë vende që e kanë testuar votimin elektronik dhe e kanë hedhur poshtë si alternativë për të votuar, ose e kanë përdorur për një proces zgjedhor dhe nuk e kanë ripërsëritur më në procesin pasardhës. Dhe këto nuk janë vende të vogla, por shtete si Britania e Madhe, Gjermania ose edhe Finlanda. Holanda është një nga ato vende ku arsyetimi përfundimtar ka qenë se makineritë e votimit kanë rezultuar nga ana e sigurisë të pasigurta për të siguruar një proces transparent, të ndershëm të votimit elektronik. Në Holandë është testuar ajo që thashë pak më parë për përgjimin e votimit, në Finlandë është testuar në tre qendra bashkish dhe votimi u rikthye për t’u përsëritur manualisht, për shkak se kishte dyshime në ndërhyrjen e votës së këtyre makinerive. Britania të njëjtin arsyetim ka dhënë: Makineritë janë të pasigurta dhe nuk mund t’u zëmë besë për një proces kaq të rëndësishëm një kompjuteri dhe një makinerie. Problematikat dhe kundërshtitë janë hasur si në vende shumë të zhvilluara nga ana teknologjike, si Gjermania, qoftë edhe liberale, si Holanda. Konkluzionet kanë qenë të ngjashme: Për të implementuar një sistem të tillë elektronik duhet një investim i jashtëzakonshëm, qoftë në teknologji, qoftë edhe në siguri. Dhe kjo për vende si Shqipëria është akoma dhe më e vështirë për t’u implementuar për pjesën e sigurisë, sepse të gjesh personat e duhur që të sigurojnë një proces asnjanës dhe transparent nga të dyja palët, është shumë më e vështirë.

Në këto vende ku përdoret votimi elektronik, janë verifikuar raste problematike?

Këto që thashë, janë problematikat e dokumentuara, sepse ka edhe problematika të padokumentuara siç është rasti i zgjedhjeve të fundit në Amerikë që vazhdon, ka hetim dhe janë hedhur dyshime për ndërhyrje nga shtete të huaja në votimin e fundit presidencial. Por këto pretendime janë ende të padokumentuara.

Disa raste problematikash të dokumentuara i përmenda më lart, pra në Finlandë dhe Holandë. Raste të tjera të dokumentuara kemi në Indi në 2017 ka patur qendra votimi ku janë dokumentuar që personat votonin për një kandidat dhe vota numërohej për një kandidat tjetër. Po në Indi, në vitin 2015, janë verifikuar shumë raste kur votohej për një parti dhe vota numërohej për një parti tjetër. Në SHBA ka patur qendra votimi ku defektet me makineritë kanë bërë të pavlefshëm procesin zgjedhor të një dite të caktuar dhe thjesht dyshimi për ndërhyrje në kodet e këtyre makinerive ka bërë që komisione të caktuara të nxjerrin të pavlefshëm votimin e këtyre qendrave dhe përsëritjen e votimit në këto qendra votimi. Këto janë raste të dokumentuara, që do të thotë që janë hartuar, janë konfirmuar dhe janë tentuar ose janë marrë masa ndaj personave përgjegjës.

Në Australi ka qenë votim on line jo në qendra votimi dhe ka pasur hakim në faqen e votimit. Do të thotë që është dyshuar që për 2300 votues të një zone të caktuar ka pasur ndërhyrje nga një faqe e tretë në uebsajt e cila ka ndërhyrë dhe ka hakuar faqen zyrtare të votimit dhe ka tjetërsuar 2300 vota të një province në Australi.

A është e mundur të evitohet totalisht rreziku i hakimeve?

Ashtu siç ka hakim ose ka ndërhyrje në çdo sistem elektronik, bankar, qeveritar, sigurie e me radhë, ashtu mund të ketë ndërhyrje në sistemin e votimit qoftë fizik në qendrën e votimit, qoftë elektronik në faqet, uebsajtet e ndryshme. Pavarësisht masave që duhen marrë, është një rrezik që është i pamundur për t’u evituar. Kur arrijnë të hakojnë edhe institucionet më të rëndësishme, më të ruajtura dhe më të sigurta në botë, absolutisht që mund të hakohet edhe një makineri e thjeshtë votimi apo faqe interneti që do të bëjë këtë votim.

Një nga komponentët kryesorë në votimin elektronik është shoqërimi me identifikimin elektronik dhe me numërimin elektronik. Kjo pjesë mund të sjellë problematika në aspektin teknik?

Databaza e gjendjes civile në Shqipëri është e tillë që ka patur problematika në ruajtjen e të dhënave më parë  dhe problemi kryesor i saj është keqpërdorimi i të dhënave. Në qoftë se të dhënat bien “në duart” e partive, atëherë fillon kjo pjesa e përdorimit të të dhënave personale të personave të cilët mund të mos jenë në Shqipëri, ose personave që nuk votojnë, të abuzohet me këto të dhëna për t’u përdorur këto të dhëna për votime të mëtejshme, ose për shtimin e numrit të votuesve, etj.

Një ndër problematikat e evidentuara nga opozita në zgjedhjet e fundit është fenomeni i shitblerjes së votës. Elektronika e zgjidh këtë problem?

Shitblerja e votës është diçka personale, individuale që nuk ka të bëjë me procesin e votimit në vetvete. Nëse bëhet votimi i plotë elektronik, shitblerja e votës mund të ngrihet më lart. Në fund fare, objektivi ose avantazhi i votimit elektronik është që procesi mbyll pjesën e numërimit në një kohë më të shkurtër. Në realitetin shqiptar, e shikoj të dyshimtë votimin elektronik pa printim të fletës së votimit. Pasi do të kemi të bëjmë me një votim të padokumentuar asgjëkund, gati e pamundur ta audiosh si proces, me një rezultat përfundimtar që duhet të jetë i gjithëpranuar nga palët dhe një proces i pranuar në mirëbesim.

Pikërisht ky mirëbesim mungon në Shqipëri. Kemi letra të shkruara dhe, pavarësisht se është e shkruar në letër dhe e numërojnë dhjetë herë të njëjtën letër, përsëri thonë se është manipuluar letra, jo më në një votim që nuk ekziston asnjë provë fizike e procesit.

Duke llogaritur avantazhet dhe dizavantazhet, jo do ta rekomandonit votimin elektronik?

Votimin elektronik në mënyrë të plotë, pra me internet nga shtëpia, nuk do ta rekomandoja në asnjë nivel. Për votimin në qendra votimi, do të thosha se nuk mundet që në një kohë kaq të shkurtër t’i japësh besim të plotë një sistemi. Por ky është mendim personal. Çfarëdolloj sistemi, duhet të testohet për një periudhë të caktuar, përpara se të futet në përdorim. Dhe testimi nuk bëhet në një zyrë apo me dhjetë persona. Testimi bëhet në terren. Duhet të testohen vetë përdoruesit si do të ndihen me atë sistem, duhet të testohen komisionarët, si do ta menaxhojnë këtë sistem, duhet të testohet vetë KQZ si do ta menaxhojë situatën në mungesë të një dokumentacioni fizik.

Unë do të rekomandoja një testim në disa qendra votimi në tre bashki të ndryshme, në zgjedhjet e ardhshme vendore. Mundësisht, në qendra votimi që do të kishin pak gjasa të ndryshonin rezultatin final, me qëllim që, edhe nëse do të dështonte testimi, të mos cenohej rezultati final ose një rivotim manual në këto qendra të mos ndikonte në rezultatin final. Nga rezultatet e këtij testimi mund të shikohej mundësia e implementimit të votimit elektronik në gjithë vendin. Dhe kjo, vetëm në rast se testimi do të rezultonte i suksesshëm. Përsa kohë testimet dështojnë në disa qendra-pilot, nuk mund të mendohet implementimi i sistemit në të gjithë vendin.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: