Alfred Milot Mirashi: Rruga ime e gjatë nga Miloti në galeritë më të mira të artit botëror

Alfred Milot Mirashi: Rruga ime e gjatë nga Miloti në galeritë më të mira të artit botëror
Ka lindur në Milot në një familje kulakësh e si pasojë e politikës së atyre viteve, kulaku Alfred nuk mund të lejohej të vazhdonte shkollën e lartë. Por ai kishte talent dhe nuk u dorëzua. Me sakrifica prindërit e dërguan në shkollën e mesme artistike në Durrës nga ku në mesin i mijërave njerëzve të dëshpëruar, u nis drejt Italisë. Më pas shumë punë, shumë sakrifica por përsëri pasioni nuk e la të dorëzohet. Ai sot është një nga artistët më të njohur e më të vlerësuar me çmime në Itali e tashmë fama e tij është ndërkombëtare dhe ka ekspozuar në shumë galeri të botës. Alfred Milot Mirashi mban emër arti atë të qytetit nga vjen, me krenarinë se e ka nderuar vendin e tij, traditat dhe familjen e madhe që sakrifikoi për të. Vjen në një rrëfim ekskluziv artisti i nderuar me “Medaljen e Artë” në Londër dhe me çmim të parë në Romë.

Prej shumë vitesh tashmë emri juaj është i një artisti me sukses ndërkombëtar, e bashkë me të ju mbani emër arti atë të qytezës nga vini, Milotit. Sa krenar ndiheni për këtë?

Ishte një sfidë e imja personale ta vendosja emrin tim të artit Milot, edhe pse sot jam me nënshtetësi italiane, në periudhën time kur isha student në Brera në Milano, ishin vite ku nëpër gazeta e televizione nuk flitej gjë tjetër veçse gjëra negative për popullin tonë, ndërsa unë sot kudo në botë e prezantoj veten time me këtë emër. Rruga ime e gjatë nga Miloti në galeritë më të mira të artit botëror ka qenë e vështirë, por unë gjithmonë jam krenar për qytetin dhe origjinat e mia.

Cilat ishin arsyet që ju detyruan të largoheshit nga Shqipëria drejt Italisë? Si i kujtoni ato vite?

Arsyet që u largova i dinë të gjithë, për kombin tonë ishte një tragjedi e tmerrshme, po largoheshin në masë njerëz, shpresa e të gjithëve ishte të iknin një orë e më parë. Kur e kujtoj më rrënqethet trupi se si u larguam në atë lloj forme. Unë isha dhe familje kulaku, ne nuk kishim mundësi të ndiqnim shkollën e lartë e shumë gjëra të tjera ishin të pamundura për familjen time.

Nga Napoli ku jetuat disa vite ju u drejtuat në Milano, në Brera, ku vazhduat studimet. Aty nisi karriera juaj?

Në fillim në Brindisi, pastaj në Napoli, e më pas në Brera, ku fillova dhe akademinë e Arteve të Bukura në Milano, ku realizova ëndrrën time të parë për të vazhduar shkollën e lartë, në një ambient artistik fantastik.

Si ishte të ndieje aromën e kulturës dhe borgjezisë italiane? Çfarë morët ju prej saj?

Në Milano me shumë sakrifica, ja arrita dhe përveç se mbarova Akademinë, më pas shkova me programin Erasmus në Angli ku u njoha me shumë artistë dhe kritikë të Artit Italian dhe të cilët më ndihmuan shumë në formimin e ideve të reja artistike kontemporane.

Në CV tuaj nuk mungojnë punët e shumta dhe sakrificat që keni bërë për të arritur ku jeni, shumë artistë të tjerë të emigruar e fshehin këtë fazë të jetës. Ju pse jo? Sa ju ka përkrahur familja juaj në këtë pasion?

Pa sakrifica nuk arrihet asgjë, familjen time e kam pasur përherë afër nga ana morale dhe pozitiviteti, ata nuk i harroj kurrë, nuk harroj kurrë se me çfarë lloj forme sakrifice më çuan në shkollën e mesme Artistike "Mujo Ulqinaku"në Durrës e më pas.

Në eventet e shumta të artit ku keni marrë pjesë, jeni nderuar me shumë çmime, mes tyre dhe me “Medaljen e Artë” në Olimpiadën e Arteve të Bukura në Londër ose me Çmimin e Parë në “Premio Arte Roma 2016”. E kishit menduar që do të arrinit deri në këtë sukses? Na tregoni mbi këto pjesëmarrje dhe emocionet tuaja.

Në Londër ishte dhe ish Ambasadori Mal Berisha, kur më dhanë Medaljen e Artë, ishte diçka historike për mua dhe familjen time, vitin që shkoi në Romë u nderova me çmimin e parë, këto çmime e të tjera vlerësime si këto, duket sikur të bëjnë të harrosh se sa e vështirë është sot të bëhesh Artist në Itali. Këto çmime të japin më shumë energji dhe të bëjnë të shikosh më përpara.

Ju keni ardhur edhe në Shqipëri me punën tuaj. Si jeni pritur dhe cilat janë dallimet dhe të përbashkëtat që gjeni në art?

Në Shqipëri kam ardhur duke qenë Kurator i 2 ekspozitave, njëra ishte Bienalja e Torinos  dhe tjetra ishte nga fotografi i madh kinez Zen Yi. Këto arrita t’i realizoj falë ish drejtorit të Muzeut Kombëtar, Melsi Labi, një njeri shumë pozitiv dhe me vizion që me të vërtetë i mungon shumë institucioneve tona në Shqipëri.

Çelësi është një simbol në shumë qytetërime. Si e zgjodhët atë si motiv në veprat tuaja?

Kjo është skulptura ime e momentit, është një Çelës “INUTILE” të cilin e zgjodha rastësisht, sepse më pëlqen forma magjike e çelësit në vetvete dhe mënyra e formës së prishur e bën diçka unike në botën e artit kontemporan.

Jetoni në Firence, një djep i artit dhe kulturës botërore. Pse vendosët të hidhni rrënjë aty dhe si janë ditët tuaja fiorentine?

Ka më shumë se 10 vite që jetoj në Firence bashkë me familjen time, këtu çdo rrugë, çdo bulevard, është plot me skulptura, “Piazza Signoria” duket sikur është një studio artisti, arkitektura e mahnitshme, këtu jo vetëm arti por i tërë qyteti është i zhvilluar në çdo fushë, letërsi, teatër, shkencë. Më duket e pabesueshme që kam pasur këtë fat të jetoj këtu, në një qytet siç thuhet në italiasht “a misura d'uomo” pra i kapshëm nga njerëzit.

Kur u ke treguar miqve të huaj ose kolegëve mbi jetën tënde dhe qytezën nga vjen, cilat janë përshtypjet?

Nuk besojnë se çfarë vuajtjesh ka hequr familja ime e populli ynë në kohën e komunizmit, shumë vetave iu mbushen sytë me lot kur iu tregoj se çfarë formash mizore përdornin dhe në çfarë mënyre “përdhunoheshin intelektualisht” artistët e poetët e vërtetë nga sistemi mizor komunist.

Sipas mendimit tuaj, cili është çelësi i një arti më të kultivuar dhe i një jete dinjitoze për artistët shqiptarë?

Sipas mendimit tim mendoj që artistët mbas vitit ‘91, sidomos artistët kontemporan shqiptar, e prezantojnë artin shqiptar kudo në botë me shumë dinjitet, përpara ishte arti i realizmit socialist, që prezanton historinë e një periudhe të kaluar historike, por nga ana artistike ndërkombëtare nuk vlen aspak, sepse në shumë vende të Evropës bëhej revolucion në art, ndërsa tek në bëhej arti i Xhaxhit....

Po shteti sa rëndësi ka në ecjen përpara të artit dhe kulturës?

Për cilin shtet e keni fjalën, shteti ynë për artistët nuk ekziston sepse shteti duhet të gjejë forma për të përkrahur artistët e vërtetë por ndihmon disa persona që i përdor për propagandën e tij. Ne duhet të mësojmë nga Franca e Kina, ku aty përkrahet arti bashkëkohor nga shteti, ne kemi më shumë se 25 vjet demokraci dhe nuk është bërë ende një ekspozitë me artistët e këtyre viteve, ndërkohë që artistët shqiptarë, me dinjitet, ekspozojnë nëpër shumë muze të botës dhe janë të ftuar kudo.

Keni hasur ndonjëherë në paragjykime apo dhe racizëm në jetën tuaj në Itali?

Normale, por mua nuk më trembin këto forma paragjykimesh, janë për njerëz të dobët pa diapazon.

A ka bërryla ose konkurrencë të pandershme në mesin e artistëve jashtë kufijve?

Kudo ka konkurrencë, sistemi italian pothuajse i ngjan sistemit tonë, por ama këtu sikur është bota më e madhe dhe gjen porta të hapura, pa Çelës....

Nga se frymëzoheni më së shumti?

Nga jeta e përditshme, ekspozitat që shikoj ose dhe udhëtimet e fundit që kam bërë si p.sh ai në Kinë etj.

Në fillimet tuaja ka pasur edhe bashkëpunim me stilistë të njohur si Laura Biaggiotti. I vazhdoni ende ato?

Në ato vite kam pasur miqësi me drejtoreshën e Laura Biaggiotit në Milano kur isha student në akademinë e Brera, por tani kam angazhimet e mia artistike të cilat më impenjojnë shumë e nuk më lënë shumë kohë për bashkëpunime të tjera.

Me cilat materiale punoni dhe cila teknikë është më e preferuar për ju?

Pothuajse i përdor të gjitha materialet, bëj dhe eksperimente sepse sot ka shumë materiale me të cilat mund të realizosh shumë ide artistike. Unë lëvroj si pikturën edhe skulpturën, si formë për të shprehur artin tim.

Cila është porosia më e çuditshme ose më interesante që ju kanë bërë për një vepër?

Kjo e fundit, do të realizoj për një qytezë që quhet Cervinara një skulpturë, një Çelës 20 metra të larte, do të filloj ta realizoj javën tjetër dhe do të inaugurohet në nëntor të këtij viti.

Kur do t’u rishohim me një ekspozitë në Shqipëri?

Shpresoj me një ekspozitë timen personale .

Cilat janë ekspozitat më të fundit ku keni marrë pjesë?

Në Kinë, në jug të Italisë afër Leçes , Lizzanello dhe në Pietrasanta.

A ka Alfredi një ëndërr në sirtar, një vend ku do të donte të arrinte me veprën e tij?

Ëndrrat për një artist janë të shumta e nuk mungojnë asnjëherë, por mbi të gjitha shpresoj të jem përherë i lumtur familjarisht dhe të jetoj me art.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: