“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Damian Gjiknuri: Kur në Bangladesh kishte trena, ne s'kishim as karroca!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Damian Gjiknuri: Kur në Bangladesh kishte trena, ne s'kishim as karroca!
Satirë

Flet shoku Damian Gjiknuri: Kur në Bangladesh kishte trena, ne s'kishim as karroca!

"Antena Jashtë Familjes", së pari, ju kërkon ndjesë! Teksa bëmë këqyrjen e kësaj jave, vumë re se nuk sollëm asnjë personazh nga Partia Demokratike. Jo se nuk donim, por nuk gjetëm asnjë ngjarje për pasqyrim, për këtë forcë të fuqishme politike. Ju premtojmë se, javën tjetër, do të sjellim, me patjetër. Shqetësimin tonë, ia thamë edhe Bashës, i cili sapo mori vesh hallin që kishim, dje u bë aktor dhe faktor i rëndësishëm në Parlament. Juve mund t'ju duket çudi, që ne shqetësohemi për paanshmërinë në lajm. E po duhet të mësoheni se kjo rubrikë, këtë detyrë i ka vënë vetës. Media e lirë do ndihmojë në ecjen përpara të vendit. Ndryshe do mbetemi të prapambetur.

E meqë ra llafi te prapambetja. Gazeta jonë dje, botoi lajmin që hekurudhat tona janë për nga cilësia, prapa Bangladeshit, Kamerunit e shumë vendeve të tjera. Për të mësuar më shumë rreth gjendjes së hekurudhave, kuptohet të këtyre vendeve, ne folëm me (ndër të tjera) Ministrin e Infrastrukturës, shokun Damian Gjiknuri. Ai, sapo kishte lexuar lajmin, ishte nisur me të shpejtë në ballë të punës. Ja bashkëllafosja e kryer me të.

Antena: Alo, shoku Gjiknuri. "Antena Jashtë Familjes" jemi. Deshëm të dinim për atë raportin ndërkombëtar që ka të bëjë me hekurudhat. Ishim dobët në renditje, me ç'pashë. Besoj se e patë edhe ju.

Shoku Damian: Dobët jemi vërtet, e pashë edhe unë. E lexova teksa po haja ca cironka. Desh më mbetën halat në fyt! Ç'të bëjmë! Hamë cironka, se kaq i kam aftësitë ekonomike. Nejse. Sa mora vesh renditjen, u vesha shpejt e shpejt dhe u nisa. Nuk më rrihej në shtëpi. E si mund të rrija, kur lexova me sytë e mi gjendjen e hekurudhave?

Antena: Ku jeni tani? Në ndonjë hekurudhë besoj, apo po?

Damian  Gjiknuri: Po, po në hekurudhë jam.

Antena: Po dëgjoj disa zëra në gjuhë të çuditshme. Apo më bëjnë veshët...?

Damian Gjiknuri: Hiç nuk gaboheni. Kam ardhur në Bangladesh. Jam këtu me disa drejtues të hekurudhave të këtij vendi. Po këqyr me ta disa stacione.

Antena: Si ju kanë pritur, shoku Gjiknuri? A janë mikpritës, apo jo?

Damian Gjiknuri: Sa morën vesh që vija nga Shqipëria, rreth meje, aty në aeroport, u mblodhën qindra vetë. Zgjasnin duart drejt meje. Donin lëmoshë.

Antena: Po ju, a iu dhatë ndonjë gjë?

Damian Gjiknuri: Ku t'i gjej? Është bërë keq për lekë! I mblodhi Ilir Beqaj, të tëra. Le aman, se s'dua të hapem, se po u hapa vetëm vrer më gjen. Paratë më të mëdha i merrte Iliri. Energjetika ishte kot. Ishallah bëj ndonjë gjë tani, që kam edhe transportet. Nejse, e kisha llafin që m'u hodhën mbi 100 vetë e kërkonin ndonjë dollar nga unë.

Antena: Nga e dinin ata që mund të kishit dollarë ju, shoku Damian? Apo ishit veshur me rroba të shtrenjta?

Damian Gjiknuri: Jo, jo me kostum të lirë, as njëmijë eurosh, isha veshur. Me ç'mora vesh, më kërkuan lëmoshë, se kishin marrë vesh që vija nga Shqipëria.

Antena: Paska njerëz llafazanë edhe aty. Merren me llafe. Kushedi ç'llafe bëjnë për tenderët, kur bëjnë edhe për udhëtimin e njerëzve.

Damian Gjiknuri: Më kishin parë biletën ku shkruhej se vija nga Aeroporti Nënë Tereza. Sa panë emrin e nënë Terezës, kanë menduar se jam bamirës unë. Mezi ua shpjegoi homologu im bangladeshas, që doli më priti në aeroport, se s'jam bamirës.

Antena: E takuat ministrin e Transporteve d.m.th.? Shumë mirë! A biseduat me të?

Damina Gjiknuri: -Po, po e takova. Takova Ministrin e Hekurudhave në fakt, se këta kanë ministri të veçantë për to. Po bredhim së bashku në disa stacione, e po më tregon disa trena. Qëparë pamë shinat.

Antena: Hë, si dukeshin shinat? Si i kishin trasetë? Prej druri, apo prej hekuri?

Damian Gjiknuri: Trasetë i kishin të përziera. Ca ashtu prej druri, e ca ashtu prej hekuri.

Antena: Nuk i kishin shkulur hekurin që t'i shisnin për skrap në Pakistan, siç i shitëm neve këto tonat në Mal të Zi?

Damian Gjiknuri: Kështu i pyeta edhe unë. Jo nuk i kemi shkulur, më thanë,

Antena: E çuditshme! Si nuk i kanë shkulur! Si duket nuk duan t'ua shesin armikut të tyre, Pakistanit.

Damian Gjiknuri: Ashtu ju thashë edhe unë. Nuk ka të bëjë me Pakistanin. Thjesht nuk para e kemi kulturë shkatërrimin, më thanë. Këta këtu në Bangladesh nuk kanë asnjë deputet në Parlament, që ka shkulur trasetë më parë, madje.

Antena: E çuditshme, kjo që po më thoni! Po lokomotivat si janë, shoku Damian?

Damian Gjiknuri: Nuk është se janë shumë moderne. Nuk para ka trena elektrikë. Madje, sa morën vesh që unë isha Ministër i Energjetikës, m'u lutën t'u bëja një projekt për një hekurudhë elektrike.

Antena: Pranuat? Do rrini aty d.m.th.? Keni marrë ndonjë ofertë të mirë ekonomike?

Damian Gjiknuri: Çfarë thua, o ti! Me kë më ngatërron, me ndonjë që është në politikë rishtaz. Sigurisht që do kthehem! Nuk e tradhtoj Edi Ramën dhe partinë, unë.

Antena: Menduam se mos ju kishte ardhur ndonjë ofertë e mirë ekonomike aty, ndaj. Meqë këtu nuk po bëhen investime në hekurudha, mendova...

Damian Gjiknuri: S'bëhen në hekurudha, do bëhen në rrugë. Tani p.sh. do japim rrugën e Arbërit, për ta bërë me koncesion.

Antena: Do fitoni ndonjë gjë nga kjo dhënie, besoj. Si mendoni?

Damian Gjiknuri: Unë personalisht, jo. Me atë rrugë i ka mbyllur muhabetet vetë Edi. Shpresoj me të tjerat të kap ndonjë gjë, se mbeta fukara. Tallet edhe Haxhinasto me mua. "Ho me, - më tha një ditë, - a ke kap noj gjo, apo hiç!" Të drejtë ka Mondi, se kur ishte s'i kërkonte dot llogari Rama, se na ikshin nga koalicioni pastaj.

Antena: Jam kureshtar të di, shoku Damian, vagonët e pasagjerëve, si janë aty në Bangladesh? A kanë dritare p.sh.? A kanë xhama?

Damian Gjiknuri: Vagonët janë më të mirë se tanët, sigurisht. Se kot nuk do ishin në renditje më mirë se hekurudhat tona, këta. Ajo që më bëri përshtypje, është fakti që rrallë, shumë rrallë i qëllojnë me gurë, trenat këtu.

Antena: Pse ndodh kjo gjë? Mos nuk e kanë qejf sportin e qitjes me gurë, bangladeshasit?

Damian Gjiknuri: Pikërisht! Ne shqiptarët jemi të shquar në qitje. Këta jo. Pastaj duhet thënë që edhe pavarësinë Bangladeshi, nuk e fitoi me shumë luftë. Më shumë e fitoi me paqe. Pra, nuk janë popull luftëtar, si ne. Luftëtarizmi neve na ka karakterizuar, ndër vite e vite. Arsyeja tjetër është që këta këtu, iu hipin vagonëve edhe mbi sipër. Kjo bën që mos t'i qëllojnë me gurë njerëzit jashtë trenit, pasi s'duan të dëmtojnë njerëzit që kanë hipur mbi vagonë.

Antena: Po të hipnin edhe këtu njerëzit mbi vagonë, jam i bindur se do qëlloheshin nga fëmijët me gurë.

Damian Gjiknuri: Ne edhe fëmijët i rrisim luftëtarë, ndaj. Pastaj, këta bangladeshasit, trenin e kanë parë 80 vjet përpara nesh. Kur këta kishin trena, ne s'kishim karroca...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: