“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Erion Veliaj: Ja si do ta mbyllim "Tregun e Rrobave të Përdorura"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Erion Veliaj: Ja si do ta mbyllim "Tregun e Rrobave të Përdorura"
Satirë

  1. Flet shoku Erion Veliaj” Ja si do ta mbyllim "Tregun e Rrobave të Përdorura"

"Të gjithë qytetarët të cilët kanë rroba që nuk i përdorim më, apo që dëshirojnë t'i dhurojnë ato për çështje humanitare, tashmë kanë ku të drejtohen. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një nismë, e cila synon t'ju vijë në ndihmë personave në nevojë."

Kështu shkruhej në një shtyllë elektrike, për nismën më të re të bashkisë së Tiranës.

Ne mundëm të kontaktonim me shokun Erion Veliaj, i cili rrëmbimthi në linjë telefonike, na shpjegoi se përse është krijuar, le të themi, ky aksion. Themi rrëmbimthi, pasi vetë shoku Erion ishte jashtë vendit tonë, e ne nuk donim që t'i harxhonim lekë nga telefoni.

I dërguam zile, e ai me mirësjelljen që e ka pjesë të vetën, na mori në telefon, e me të bëmë këtë bashkëbisedë.

Antena: Shoku Erion, morëm vesh nismën tuaj për mbledhjen e rrobave të përdorura. Urime për këtë nismë fisnike! Kujt i shkoi më mendje kjo gjë?!

Erion Veliaj: Për të shkuar më shkoi mua, në fakt. Kemi vendosur të mbyllim, atë që njerëzit e quajnë "Tregun e Gabit" (më falni që po e përmend fjalën "Gabi", pasi ata janë njerëz si çdokush, madje shumë punëtorë, por ja që ai treg me atë emër njihet më shumë, e shoqërisë sonë, për fat shumë të keq, i duhet akoma kohë të mos bëjë dallime). Po e përmend si fjalë, vetëm që njerëzit ta dinë për kë treg bëhet fjalë.

Duke qënë se neve nuk duam të dërgojmë forcat e ta mbyllim me policët tanë, mua më shkoi në mendje ta mbyllim me marifet. Ata që duan të dhurojnë rroba, qoftë edhe të blera më parë te ai treg, mund të na i japim neve në bashki. T'i hedhin në koshat që neve kemi përgatitur enkas për këtë gjë, d.m.th.

Neve do t’i marrim pastaj, e do t’i shpërndajmë falas nëpër institucionet në nevojë, si në shkolla, fakultete, redaksi televizionesh dhe gazetash, apo edhe në jetimore.

Me këtë taktikë, ne konkurrojmë tregun e rrobave të përdorura. Kështu, ata që shesin rroba të vendosura në tokë, do detyrohen ta mbyllin aktivitetin e tyre, pasi njerëzit do i marrin rrobat te ne, e jo te ato tregje.

Në këtë mënyrë, ne pastrojmë qytetin nga një aktivitet, me thënë të drejtën jo higjenik. Pra, në aspektin elektoral, unë fitoj pikë dyfish: Edhe nga qytetarët marr vota, se ju pastroj qytetin; edhe ata që shesin me dengje gjithashtu, nuk i bëj kundërshtarë politike.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: