“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet ariu i vrarë në Kala të Dodës: Ja përse ju haja misrin...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet ariu i vrarë në Kala të Dodës: Ja përse ju haja misrin...!
Satirë

2: Flet ariu i vrarë në Kala të Dodës: Ja përse ju haja misrin...!

Burime nga Kalaja e Dodës bëjnë me dije se në atë vend ka humbur jetën një ari, që për hir të së vërtetës duhet thënë se është vrarë nga banorët e zonës. Përpara se të jepte shpirt, ariu është kapur i gjallë. Gjatë marrjes në pyetje, në gjendje të rënduar për jetën, ariu ka thënë:

"Futesha në koçekët e misrit, pasi nuk kisha ç'të haja. Ju i keni bërë pyjet rrafsh, e nuk ka lënë dru në këmbë. Mungesa e pemëve, e për rrjedhojë, edhe të kafshëve në pyje, më "thau barkun". Po vdisja për ushqim. Kisha kohe pa vëmë mish kafshe pylli në gojë. Ndaj u detyrova të haja ç'të gjeja, qoftë edhe misra. E kuptoj që ju kam rënë në qafë pushuesve nga Kosova dhe tiranasve, që misrat i kanë ushqimin e tyre nga më të preferuarit në bregdet, apo në kryeqytet, por nuk kisha se si të veproja ndryshe. Më mëshironi! Po vuaja, tamam si pensionistët. Vajta kohë pa ndjerë erën e mishit, tamam si ata të gjorët.

Më ka marrë malli të shikoj një lepur, apo kafshë tjetër. Mirë ato, por kam harruar edhe shijen e mjaltit. Nuk ka më trungje pemësh, me zgavra në to.

Le që ç'të ketë zgavra, kur s'ka pemë! I ka prerë Taulanti të tëra..."

Banorët nuk i kanë marrë parasysh fjalët e ariut. Kjo për faktin që ariu është kapur në Kala të Dodës dhe në atë zonë, sëpata e deputet Taulantit nuk vepron. Zona e tij e veprimit është Librazhdi, e jo Kalaja e Dodës, një zonë tashmë e shquar për idetë e saj çamëriste. "Herë tjetër arinjtë e kapur, duhet të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre, e të dinë zonat e veprimit të druprerësve deputetë", theksoi për rubrikën tonë një banor i Kalasë së Dodës.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: