“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet kreu i FSHF -së, shoku Duka: Unë "të bëj golin"!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet kreu i FSHF -së, shoku Duka: Unë "të bëj golin"!
Satirë

Flet kreu i FSHF -së, shoku Armand Duka: Unë "të bëj golin"!

Bashkëllafosjen e sotme e kreva me kreun e Federatës së Futbollist, shokun Armand Duka. Atë e takova pas ndeshjes me Italinë. Sytë i kishte pothuajse me lot, për nder të largimit të futbollistit Lorik Cana, i cili përherë ka dhënë më të mirën në fushë. Madje edhe ndaj humbjeve ndaj Rumanisë, apo Bjellorusisë. Loriku, nuk është se do largohet shumë. Se fundja ai jashtë vendit tonë jetonte, si shumica e (ish) futbollistëve.

Ja bashkëllafosja me shokun Armand Duka:

Antena: Përshëndetje! Fillojmë pa ju humbur kohe: Ç'mendim keni për dy ndeshjet që zhvilloi Kombëtarja jonë këto ditë, shoku Armand?

Armand Duka: Në gjykimin tim prej drejtuesi mbi 15 vite i Federatës, them se unë kam bërë maksimumin në këto dy ndeshje.

Antena: Pse vajtët 15 vite në drejtim juve?! Si ikin vitet! Si lumi.

Armand Duka: Si lumi i Erzenit ikin, vërtet.

Antena: Si i Vjosës madje. Meqë ra llafi te lumi. Mbaj mend që keni ndihmuar, apo siç i themi në gazetari, sponsorizuar, ekipin e Erzenit, në volejboll për meshkuj. A vazhdoni t'i jepni akoma lekë këtij ekipi? Nëse po, sa?

Armand Duka: Kohë të kaluara ato. Atëherë jepja, se më duhej për emër. Tani që kam emrin, s'është e nevojshme të jap. Tani më njohin kudo. E di ç'më ndodhi në Spanjë, p.sh.?

Antena: Jo nuk e di. Ma thoni ju lutem!

Armand Duka: Më njihnin të gjithë ata punonjësit e Federatës së tyre atje. Sa më shikonin, i thoshin njëri-tjetrit: "Ja ky është Presidenti i Futbollit të Shqipërisë. Jo si ky yni që e hoqën". Sa më shikonin, më përshëndesnin me admirim.

Antena: E kishin llafin për ish Presidentin e tyre me një llaf. Ama edhe ai me ç'di unë ndenji mbi dy dekada. Ja u kalon për kohën e qëndrimit në krye.

Armand Duka: Ma kalon për momentin, por mos harro se në muajin mars të vitit tjetër janë zgjedhjet. Nuk besoj se nuk e dini këtë gjë?

Antena: Mendoni që do i fitoni? A do e bëni të mundur deri në muajin mars ngritjen e Ligës Profesioniste, që e keni premtuar në ato katër herë që jeni zgjedhur, që t'ju votojnë?

Armand Duka: A ti je aguridhe! Po ngrita Ligën, mbaroj fare. Kush do më njohë? Vetëm punëtorët e fushave të stërvitjes së Kombëtares...

Antena: Po merruni vetëm me Kombëtaren, shoku Armand! Aq më tepër që ajo ju jep krenari gjithë shqiptarëve. I fortë jeni që, mbani "dy kunguj në një sqetull"

Armand Duka: Pse në një sqetull?! Unë s'jam me një dorë. Në dy sqetulla i mbaj. Një në njërën, e një në tjetrën. Pastaj klloçka mban disa zogj...

Antena: Më pëlqeni! Nuk jeni vetëm një biznesmen i suksesshëm vezësh, por edhe një drejtues i aftë. Dini si të fitoni. Cili është ai sekreti që ju bën të fitoni?

Armand Duka: E thjeshtë fare. Si biznesmen vezësh, i shuaj konfliktet "që në vezë". Pa i lënë të dalin dhe të bëhen gjela.

Antena: Ju kuptova! Le të kthehemi te pyetja që ju bëra në fillim: Te ndeshjet e zhvilluara këto ditë. Si ju duk paraqitja e Kombëtares sonë?

Armand Duka: Në ndeshjen ndaj Spanjës , pjesën e dytë luajtëm mirë. Kjo sigurisht falë meje. Nuk ka gjë të keqe nëse e deklaroj.

Antena: Falë jush?! Si falë jush?! Pak më i qartë shoku Armand! Çfarë bëtë ju që të...?

Armand Duka: Shkova takova më dhomat e zhveshjes trajnerin e Spanjës.

Antena: Nuk besoj se e korruptuat! Jam i bindur për këtë gjë. Korrupsion nuk ka në kategorinë e lartë (superiore), e jo më në nivelet ndërkombëtare...

Armand Duka: Sigurisht që nuk ka të bëjë me korruptimin. Thjesht i zbulova që është me gjak shqiptari.

Antena: Trajneri i Spanjës kështu?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Si e zbuluat ju këtë fakt? A e dinte ai këtë gjë?

Armand Duka: Jo, nuk e dinte. I erdhi e papritur kur ja thashë. Aty nuk e dinte ai futbollisti ynë, Balliu. Meqë ra llafi: Ç'nuk kam hequr që të bindja Balliun që ishte shqiptar. Atij as babai, as gjyshi nuk ja kishin thënë.

Antena: E çuditshme! E lexova edhe unë atë lajm. Si nuk ja kanë thënë prindërit dhe gjyshi që vinin nga Shqipëria? Apo bënte sikur nuk e dinte ky, që t'i luteshit ju?

Armand Duka: Kam vuajtur dy orë me të, për ta bindur që ishte shqiptar, e që të luante për Shqipërinë. Ky trajneri i Spanjës, për pesë minuta u bind.

Antena: Si e bindët? Çfarë i thatë?

Armand Duka: Thjesht i thashë: -A je bask zotrote? -Po, me tha ai. -E ke gjak si me shqiptarët, i thashë. Dhe i hapa një libër ku tregoheshin lidhjet gjenetike të baskëve me ne.

Antena: E lexoi librin që i treguat?

Armand Duka: Lexoi një faqe dhe filloi të qante. Bobo! Si i bëra unë tre gola shqiptarëve,-thoshte me ngashërim. U kthye nga lojtarët, e ju ja urdhër: Këtë pjesë, (d.m.th. pjesën e dytë të ndeshjes), nuk do shënoni asnjë gol! Ndryshe do t’ju gjejë belaja me mua!" Ja kështu! Ndaj nuk pësuam asnjë gol pjesën e dytë.

Antena: Po ai lojtari i Italisë, ai Kandreva që na shënoi gol...! Ai është edhe arbëresh. Na respektoi ai basku, që ka lidhje shumë të hershme me neve, e s'na respektoi ky arbëreshi, që i ka lidhjet sefte 600-vjeçare...?

Armand Duka:-Edhe Kandrevën, po ta takoja, do ta bindja të mos shënonte. Takova Balliun, e nuk shënoi. Takova trainerin bask, e nuk na shënoi pjesën e dytë. Me atë arbëreshin që na shënoi, i bëri punët lëmsh Kryeministri që nuk i pranoi bluzën e tij. S'dua të mburrem me të tjera raste takimesh, por unë, po u futa në bisedime, "të bëj golin".

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: