“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet shoku Ditmir Bushati: Ja pse jam për pavarësinë e Katalunjës

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet shoku Ditmir Bushati: Ja pse jam për pavarësinë e Katalunjës
Satirë

Flet shoku Ditmir Bushati: Jam për pavarësinë e Katalunjës, cucën e Kuvendit do e bëjmë Kryebashkiake

Bashkëbisedimin e kësaj here e bëra me shokun Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm dhe i Evropës, në qeverinë "Rama-Dy". Biseda u zhvillua në zyrën e tij, teksa në televizor shfaqej një çupë nga Mirdita, e cila fliste për jetën në fshat. Po e ndiqnim të dy, teksa prisnim lajme të freskëta fare nga gjendja në rajonin e Katalonjës. Shtoj se biseda me shokun Ditmir, u zhvillua në një ditë me kohë të mirë. Cilësia e ndërfolimit, apo siç i thonë në gazetari, komunikimit, ishte ashtu siç e prisnim, e lartë. Ja ajo që llafosëm së bashku:

Antena: Sa bukur foli kjo çupa. Edhe po qan e gjora, për gjendjen në fshat.

Shoku Ditmir: Bukur foli vërtet. Desh qava edhe unë. Shyqyr që nuk vazhdoi gjatë fjalimin, se do ja kisha plasun edhe unë një të qani, që do lijsha nam.

Antena: Nuk do linit nam aspak, shoku Ditmir. Loti është njerëzor. Me gjithë ato probleme që tha ajo çupa, po të vazhdonte edhe ca, do qaja edhe unë, që nuk qaj kurrë për ato probleme. Nuk ka ujë në fshat. Rrugë nuk ka. Këto vërtet të bëjnë të qash.

Shoku Ditmir: A ti ke mbet aguridhe! Po pse kujton ti se kisha me qajt unë, sepse s'ka rrugë edhe ujë në fshat! A ti nuk mbush krejt, mirë thonë për ty.

Antena: Po përse do qanit atëherë? A mund të ma shpjegoni?

Shoku Ditmir: Do qaja nga gëzimi që s'pata fatin e kësaj cucës. Kjo cuca ka studiu jashtë vendit. Ti e din që edhe unë kam studiu jashtë.

Antena: Po, po, e di, si jo. Keni studiuar si shoku Lulzim Basha në Hollandë, e pastaj sigurisht në Amerikë, si çdo socialist. Kjo çupa ka studiuar në Itali, me sa mora vesh.

Shoku Ditmir: Nuk do shkojshim të gjithë me studime në Amerikë, o aguridhe! Nuk ishte aq kollaj me shku atje. Pastaj këta fëmijët e njerëzve të thjeshtë, e dinin Amerikën gogol. Ja u kishte futur frikën partia. Ne që i kishim atë kohë baballarët me pushtet, e dinim tamam, si ishte Amerika dhe vendet e Evropës Veriore. Ndaj, sa u prish sistemi, ikëm të parët në vendet  e zhvilluara. Nejse, po të vazhdojë edhe ca fjalimin, do kjaj edhe unë si kjo.

Antena: Jeni tip i ndjeshëm vërtet. Mua s'ma ndjen fare ç'thotë. Këto problemet që thotë kjo, kam vite që i di unë, ndaj nuk kam përse qaj.

Shoku Ditmir: Të thashë pra, nuk do kjaja për problemet që thotë kjo. Se ato i dinë të gjithë në Shqipëri, që nga foshnjëria.

Antena: Përse do qanit, atëherë?!

Shoku Ditmir: Do kiaja nga gëzimi. Ja, një pikë loti po më bie. Është lot gëzimi.

Antena: Po, po e shoh. E përse gëzoheni?

Shoku Ditmir: Gëzoj që babi im u mor me politikë. Po mos të mos ishte marrë ai, kot do bëja shkollën për politikë, unë. Ja kjo cuca nga Mirdita ndaj qan. Ajo qan fatin e saj që s'pati mundësi të bëhet si unë. Por s'është me inat kjo punë.

Antena: Është me fat, e di. Apo jo?

Shoku Ditmir: As me fat nuk është o aguridhe. Politika është bërë profesion. Po nuk ta kaloi babai, xhaxhai, mamaja apo i afërt tjetër, më mirë mos e bëj fare shkollën, lidhur me të. Pse kot thotë shoku Edi që të merret zanat, e jo të shkohet në shkolla politike. Unë mos të kisha babin dhe miqtë e tij, tani do isha duke pastruar pjatat gjëkundi në Amerikë.

Antena: Nuk ka mundësi të bësh përpara pa pasur lidhje, po thoni d.m.th.?

Shoku Ditmir: Shanset janë të pakta, nëse nuk ke pasur më parë familjarë që merreshin me politikë. Duhet dikush që të të thotë që politika të bën zengjin. Mua më tha babi, p.sh. Gjithsesi ka edhe raste kur ne, marrim edhe nga rruga, apo nga malet ndonjë person. Ja unë mendoj p.sh. që kjo cuca nga Mirdita duhet marrë e duhet vendosur kryetare bashkie në Rubik. E bën atë punë pa problem.

Antena: Edhe unë ashtu mendoj. Është me shkollë, e çupë punëtore. E bën posi! Si mendoni ju?

Shoku Ditmir: A ti mbete aguridhe! Po pse ore, mendon ti se luajnë rol ato që the?! Thashë që duhet marrë, meqë flet bukur. Kështu i bën njerëzit për vete. I varim një çelës në qafë, e le ta tund kot. E lëmë si Bardhok Bibën të bredhë nëpër fshatra. Këtu në Tiranë, në majat e politikës, do jemi ne, bijtë e atyre që janë marrë edhe më parë me politikë. Se mos vetëm këtu është kështu. Edhe në Greqi kështu është. Madje edhe më Amerikë. Edhe në Itali, Spanjë...

Antena: Meqë ra llafi te Spanja. Në Katalonjë po votohet nëse duan të pavarësohen nga Spanja, apo jo. Ju ç'mendim keni rreth kësaj çështjeje, meqë jeni funksionar i politikës sonë të jashtme, madje edhe i Evropës?

Shoku Ditmir: Nëse do mendimin tim: unë jam me atë që më mirë që Katalonja të dalë e pavarur. Mendoj kështu, për disa faktorë.

Antena: Mund të na i thoni, ju lutem! Sigurisht, nëse nuk përbëjnë sekret diplomatik?

Shoku Ditmir: Spanja siç edhe dihet, nuk ka njohur Kosovën. Do më bëhet qejfi, që të ndahet Katalonja, për inat të Kosovës. Kjo është arsye patriotike. Një tjetër arsye, është fakti që nëse ndahet Sapanja, krijohet edhe një shtet tjetër, Katalonja, që do të dojë të futet në NATO. Do të vijnë ata, katatonjasit, të më luten, që të jap votën time për anëtarësimin e saj. Se ti e di që, nëse një shtet voton kundër, nuk bëhet pjesë e NATO-s. Ishallah ndahen, që të kap ca rrugë për në Barcelonë unë, i ftuar nga qeveritarët katalanas. Se tani vetëm në Madrid shkoj. O zot, sa mirë do jetë sikur edhe flamandët të ndahen nga Belgjika.

Të shkoj ca herë në Anverpe, me ftesë të atyre, se mbeta në Bruksel. Po të them diçka: Nuk më rrihet këtu në Shqipëri fare. Më thoshte edhe babi, kur e kisha funksionar partie: Ditmir, mos rri gjatë në Shqipëri. Bridh, nëpër botë! Mirë më thoshte. Ka tjetër frymë, tjetër jetë në vendet ku shkoj. Të kënaqet syri. Jo si këtu.

Antena: Ashtu është vërtet. Edhe unë do të doja të bridhja, sidomos me paratë e shtetit.

Shoku Ditmir: Ku rrihet në Shqipëri më tepër se dy javë, or ti. Këtu vetëm ish të persekutuarit rrinë, që u futën në burg se donin të shkonin jashtë. Ata s'kanë mundësi të dalin, se s'kanë koqe leku, e s'kanë pushtet. Me se të dalin, apo me letrat me vlerë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: