“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet z. Donald Lu: Tani e ndjej veten tamam, Ambasador i SHBA-së!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet z. Donald Lu: Tani e ndjej veten tamam, Ambasador i SHBA-së!
Satirë

Flet z. Donald Lu: Tani e ndjej veten tamam, Ambasador i SHBA-së! 

Këtë ditë të shënuar për popullin shqiptar, po sjell bashkëllafosjen me Ambasadorin Amerikan në vendin tonë, zotin Donald Lu. E përdorëm togfjalëshin "ditë të shënuar", për të treguar ditën e djeshme, ditë kur kryem bashkëllafosjen. Dje, siç dihet nga qindra mijëra bashkë atdhetarë, filloi ajo, - e shumëpritura, e papërballueshmja. Apo siç i thonë në gazetari, e parezistueshmja. Filloi Ajo që mezi prisnim: Lotaria Amerikane.

I urojmë suksese në këtë lotari, çdokujt që nuk është "pe Korçe"!

Falënderojmë përzemërsisht Ambasadorin, që gjithë mirësjellje, apo siç thuhet në gazetari, - politesë, - u tregua i gatshëm për t'ju përgjigjur pyetjeve tona telefonike.

Thank You, Mister Ambasador!

Antena Jashtë Familjes: Përshëndetje z. Ambasador!

Donald Lu: Përshëndetje juve! Urime për rubrikën tuaj!

Antena: Shumë faleminderit për urimin! A e lexoni këtë rubrikë?

Donald Lu: Për hir të së vërtetës, jo shpesh.

Antena: Nuk keni faj, zoti Ambasador. Keni pasur plot punë.

Donald Lu: Nuk është çështja aty. Me thënë të vërtetën, kam qenë ca joveprues. Tani do filloj e do t’ju ndjek më shpesh në shkrimet tuaja. Se mund të mësoj ndonjë gjë.

Antena: Shumë faleminderit, zoti Lu! Kështu na jepni edhe neve mundësinë të jemi më të saktë në pasqyrimin e ngjarjeve dhe lidhjet e tyre me personazhet e politikës. Kemi nevojë për përvojën tuaj amerikane, në demokraci dhe satirë.

Donald Lu: Ju premtoj se do keni përkrahjen time. Që nga dje e më pas, do jem më aktiv në jetën politike të Shqipërisë.

Antena: Aman, o zoti Lu, të jeni, se po mos të jeni ju amerikanët, na mori lumi ne këtu. Pa ju do ishim si kurdët, duke bërë referendume tani, për pavarësi.

Donald Lu: Ashtu është, vërtet. Po mos të jenë SHBA-të, ju merr llumi.

Antena: Thashë "lumi". Megjithëse ju e thatë më mirë, "na merr llumi".

Donald Lu: Epo meqë e kam vështirë ta shqiptoj shkronjën l, ndaj. Pastaj ç'bëri lumi, e ç'bëri llumi. Këtu në Shqipëri, njëlloj janë të dyja.

Antena: Ashtu është, vërtet. Njëlloj janë. Na është kthyer lumi në llum, o zoti Lu. Kështu do bëhej sigurisht, se kishte kohë pa lëvizur. Ju rrofshi që e trazuat këtë lum-llumin tonë!

Donald Lu: Erdhi ora biologjike që do e trazoja dhe ndaj e bëra.

Antena: Si është kjo puna e kësaj "ora biologjike", zoti Ambasador?

Donald Lu: Ka të bëjë me një studim të tre mjekëve amerikanë, që kanë studiuar si ndikon në veprimet e njeriut, rrotullimi i Tokës.

Antena: Nuk e mora vesh mirë, në fakt. Mesa kuptova unë, doni të thoni që ka lidhje midis sjelljeve të njeriut dhe Tokës. Apo jo?

Donald Lu: Pikërisht man, këtë doja të thosha. Sjelljet tona janë të llidhura me rrotullimin e Tokës. Ky rrotullim ndikon në presionin e gjakut, p.sh. Ndikon në atë që shkencëtarët e quajnë "High Alertness", ose  në "Reaction Time".

Antena: A mund të na i thoni në shqip, nëse mundeni, zoti Lu?

Donald Lu: Sigurisht që mundem, megjithëse nuk kam shumë kohë, se sapo na u bllokua sistemi i llotarisë, e më duhet të merrem me organizimin e punëve.

Antena: Kaq shpejt u bllokua?! Ajo sapo filloi! Bobo, kushedi sa kanë aplikuar! Ikin të gjorët shqiptarë, për një jetë të mirë për fëmijët. Ju ka ardhur në majë të hundës, jeta këtu.

Donald Lu: Çfarë ju ka ardhur në majë të hundës?! Më fallni, se nuk e kuptova këtë!

Antena: Është shprehje që do të thotë që janë mërzitur, këtu në Shqipëri.

Donald Lu: Eeee man, e kush nuk është mërzitur këtu. Nejse, e kishim fjallën te ato shprehjet, "High Alertness" dhe "Reaction Time".

Antena: A po, atje e kishim. Harrova fare, më falni. Ç'do të thonë ato, zoti Ambasador?

Donald Lu: Desha të thosha që rrotullimi i Tokës ndikon në "Vigjilencën e Lartë" dhe "Kohën e Kundërveprimit".

Antena; Ju kuptova zoti Ambasador! U morëm me këtë lajmin e mjekësisë, e harrova fare çështjen kryesore. Desha t'ju pyes: Pardje ishit shumë i ashpër me qeverinë në veçanti, e me politikanët tanë, në përgjithësi. Nuk ju kam parë më parë, të tillë. Keni qenë i butë, si me qenë Ambasador i Europës, e jo i mikut tonë më të madh, Amerikës. Përse ky ndryshim? A mund ta dimë, çfarë ka ndodhur, ju lutem?

Donald Lu: Ja u shpjegova pak më lart, por nuk e keni pasur mendjen. Ndryshimi im ka të bëjë me "Rrotullimin e Tokës".

Antena: Pak më i saktë në shpjegim, zoti Ambasador. Aguridhe hesapi unë, apo siç thuhet, i papjekur shumë, e nuk i kuptoj mirë këto çështje. Ju lutem, shpjegohuni!

Donald Lu: Sa mora vesh që, Donald Trump-i kishte hequr nga puna atë që ishte përpara meje ambasador këtu, Arvizu-në, "m'u rrotullua Toka". Desh më ra të fikët. Duhet rritur vigjilenca se mos e pësoj edhe unë, e duhet lëvizur, më thanë orët biologjike. E, ja kështu. Ndaj dola e i bëra qepaze ata qeveritarët tuaj, që e meritojnë të bëhen. Tani e ndjej vërtet edhe vetë, që jam Ambasador i SHBA-së.

Antena: O ju bëftë dita njëmijë, Donald Trump-it, që lëvizi Arvizu-në nga puna, se kështu na lëvizi edhe ne lumin dhe llumin, o zoti Ambasador! E paskan hallall çmimin Nobel, ata tre studiuesit e mjekësisë që kanë zbuluar lidhjen e veprimeve tona, me Rrotullimin e Tokës. Ishallah "ju rrotullohet toka" edhe herë tjetër, zoti Ambasador, se ndryshe nuk veprojnë këta qeveritarët tanë...!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: