“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Idrizi shpërthen ndaj Saimir Tahirit: Çamët nuk janë marrë kurrë me hashash!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Idrizi shpërthen ndaj Saimir Tahirit: Çamët nuk janë marrë kurrë me hashash!
Satirë

Shoku Shpëtim Idrizi shpërthen ndaj Saimir Tahirit: Çamët nuk janë marrë kurrë me hashash!

“Antena jashtë familjes” nuk ka shkuar për të gjurmuar lajmin si çdo ditë, se këtë radhë lajmi erdhi tek ne. Fama internacionale e “Antenës” bëri që vetë shoku Shpëtim Idrizi, të na thërrasë për një bisedë internacionalë që fillon brenda dhe vazhdon jashtë, gjithmonë përmes doganës. Po sjellim bashkëllafosjen me të parin e çamëve, shokun Shpëtim Idrizi, i cili ka zgjedhur pikërisht këtë antenë për të transmetuar intervistën historike që do të dëgjohet deri në malet e Gusmarit të Tepelenës, atje ku zë fill edhe incidenti i rëndë që shoku Shpëtim e denoncon pa i bërë “tërr” syri...

 

Antena: Përshëndetje shoku Shpëtim dhe faleminderit që pranuat të bëheni pjesë e rubrikës sime, "Antena Jashtë Familjes"

Shoku Shpëtim: Përshëndetje! Desha të them që në fillim, se isha unë ai që ju ftova, e jo ju. Siç duket ju gazetarët mësoni ca fjali përmendësh, e ato përdorni.

Antena: Më falni se po më dhimbte pak koka, e s'dija ç'thosha, ndaj u lëmshosa.

Shoku Shpëtim: Pse akoma nuk e keni ngrënë atë birekun e mëngjesit që hanë gazetarët? Gjithsesi futemi në temë pasi nuk kam shumë kohë, se kam edhe punë të tjera. Ju ftova për të reaguar ndaj deklaratës së Saimir Tahirit, për çështjen e valles Pogonishte...

Antena: Ku qëndron problemi këtu? Ëëë? Se fola tamam si ish-Drejtoresha e Tatimeve. Ku qëndron problemi në deklaratën e shokut Saimir?!

Shoku Shpëtim: Me atë deklaratë, shoku Saimir ka dashur të diskretitojë ne, çamët. Është një "gjuhë e fshehtë" ndaj nesh. Saimiri, meqë punoi ca kohë në polici, ka mësuar të flasë me kode të fshehta, e i përdor tani që iku nga kolltuku.

Antena: Më falni, shoku Shpëtim! A mund të jeni pak më i saktë, ju lutem! Unë, si aguridhe hesapi që jam, vështirë t’i kap këto gjërat e ndërlikuara politike. Përse ka dashur t'ju telendiste, apo siç i thonë ndryshe, diskretitonte shoku Saimir, ju çamëve?!

Shoku Shpëtim: Duhet ta dini se kjo vallja, pra, Pogonishtja e ka origjinën në krahinën kulturëplotë të Çamërisë. Saimiri e di këtë gjë, pasi vetë është nga fshati Gusmar i Labërisë, banorët e së cilës jepnin dhe merrnin mallra me krahinën tonë.

Antena: Edhe nëse Pogonishtja është valle me origjinë nga Çamëria, prapë nuk po e kuptoj, se ku qëndron telendisja ndaj ju çamëve, në thënien e tij!?

Shoku Shpëtim: Ju thashë që e ka mesazh të fshehur. Mesazh tip shifror. A tha Saimiri që policët pasi nuhasnin hashashin, ja merrnin valles Pogonishte?

Antena: Po, kështu thonë, se tha. Unë nuk e pashë vetë atë programin.

Shoku Shpëtim: Ke frikë të thuash "po", me ç'kuptoj. Apo nuk do ta hedhësh poshtë Saimirin, meqë e ke nga fshati. A ç'jeni ju gazetarët!

Antena: Jo, ju betohem shoku Shpëtim, se nuk qëndron asnjë prej këtyre arsyeve. Thjesht, nuk e kam parë atë program televiziv. Antena jonë është e pandikuar nga ndonjë klan politik. Ne shkojmë edhe jashtë vendit, madje. Dje p.sh., ishim jashtë...

Shoku Shpëtim: Ore, meqë ra llafi, ju si e keni atë? E kam llafin, a paguani doganë, kur e nxirrni jashtë shtetit, antenën? Se, nëse e dini kodin doganor, çdo mall që nxirret jashtë, duhet të paguaj doganë.

Antena: Si përherë, i përpiktë jeni me ligjën dhe zbatimin e saj, shoku Shpëtim. Lum doganat që ju kanë patur në krye!

Shoku Shpëtim: E ta mendosh, në ç'kohë të vështirë kam qenë. Jo si ajo Elisa, që i kishte të gjitha të kompjuterizuara, e nuk kontrollonte dot. E more vesh, desh na bëri hatanë me Greqinë...!

Antena: Na bëri shoqja Elisa, hatanë me Greqinë?! Si është e mundur?

Shoku Shpëtim: Po pra me Greqinë. Kishte dërguar policia greke një kërkesë, ku kërkonte të kapnim një makinë Ferrari që ishte vjedhur në Greqi, e ishte futur në doganë në kohën e Elisës. Na turpëroi si shtet. Më kohën time, s'kishte të tilla gjëra në doganë.

Antena: Ju kuptoj. E kishim llafin te shoku Saimir dhe Pogonishtja. Çfarë...?

Shoku Shpëtim: Edhe këto gjërat me dogana, duhen thënë, se ndryshe e harron populli punën e madhe që kam bërë për fuqizimin e tyre. Tani të kaloj te ajo që doja të thosha. Siç ju thashë, Saimiri me atë që tha, - që policët kërcenin Pogonishten kur "i zinte hashashi", - ka dashur të thotë se çamët në veçanti dhe deputetët e saj në përgjithësi, merren me drogë. Ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë. Një gjë është e vërtetë, që çamët janë "të droguar" nga dashuria për trojet e tyre.

Antena: Po, e vërtetë. Çamët janë tregtarë dhe atdhetarë. Këtë mendim kam edhe unë. Më çudit kjo që më thatë, për shokun Saimir. Përse e ka thënë ai një gjë të tillë për juve? A keni ndonjë ide? A keni zbuluar ndonjë lidhje të fshehtë? E kam llafin për lidhje midis thënies së tij dhe mesazhit që donte të përcillte. Ç'mendoni?

Shoku Shpëtim: E para e punës, në thënien e tij ka nota antikrahinore. Si mund të thotë që, policët kërcenin Pogonishten, ndërkohë që ndonjë polic mund të ketë qenë nga Veriu i vendit. Përse ka kërcyer Pogonishten, e jo një valle nga zona e tij veriore?! Sigurisht që e ka kërcyer nga halli, sepse ka qenë i detyruar të tregohej sikur ishte nga Jugu. Pra, dalim në konkluzionin që, Saimir Tahiri ka detyruar punonjësit e tij veriorë, të hiqeshin sikur ishin jugorë, se vetëm kështu ata do të kishin favore. Kjo nuk është normale në një shtet. E dyta. Deklaratën për Pogonishten, shoku Saimir e ka dhënë, fill, disa ditë pas intervistës që ka bërë deputeti ynë, Aqifi nga Elbasani. Ai tha, pa ia bërë syri "tërr" që, nuk do përkrahte Krieministrin Rama, nëse se ki, d.m.th Edi, nuk hap vende pune dhe të heq njerëzit e gjorë nga llotot. Saimiri është ndjerë keq nga deklarata e Aqifit, ku përmendeshin bastet, pasi ki, d.m.th. Saimiri, premtoi se do i mbillte ato, kur hypi në karrige. Një lesh mbylli! Më shumë janë shtuar në çdo cep rrugice. Meqë s'mbylli ato, do që t'na mbyllë gojën, neve çamëve...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: