“ANTENA JASHTË FAMILJES”, NATO kërkon të punësojë shokun Veliaj, Meta i bën një surprizë Berishës

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, NATO kërkon të punësojë shokun Veliaj, Meta i bën një surprizë Berishës
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të jashtëm, që mund të ketë pasoja shumë të mëdha, këtu brenda.  Gazeta ku bën pjesë rubrika jonë, pasqyroi këtë lajm: "Vidhet për skrap 14 metra tel bakri, në rrethimin e një baze të NATO-s në Çezena".

Askujt nga stafi i rubrikës sonë nuk ja priti mendja që kjo ngjarje do kishte ndikim në jetën e kryeqytetasve këtu në Shqipëri. Themi kështu pasi, vetë autoritet e NATO-s, kanë menduar që në ruajtje të bazës së tyre në Çezena, të thërrasin shokun Erion Veliaj, kryebashkiakun e Tiranës. Po, po e lexuat mirë. Kanë kërkuar pikërisht shokun Erion Veliaj, të paraqitet në Bruksel, e të shikohet mundësia e punësimit të tij në strukturat ushtarake. Propozimi ka ardhur nga vete kryekomandanti i bazës në Çezena.

Siç duket ai, teksa pa dhe dëgjoi me veshët e tij shokun Erion që, me gojën e tij, tha në një program televiziv që, flinte vetëm 4-5 orë në ditë, ka kërkuar dorëheqjen. Komandanti i kësaj baze ka shënuar te letra e largimit që, në vend të tij të merret me patjetër shoku Erion Veliaj. Ne kemi mundur të kapim një pjesëz të letrës së tij:

"...Erioni është një djalë mjaft punëtor. E kam parë vetë me sytë e mi median shqiptare nëpërmjet satelitit, se si ai tha që fle vetëm pak orë, pasi e ha meraku për punën. Ai jo vetëm që është punëtor, por edhe nuk ka tangërllëqe në të ngrënë. Ha sufllaqe. Bazës sonë të NATO-s, i duhet një njeri i tillë!"

Antena Jashtë Familjes ka mundur të zbulojë që, propozimi i komandantit të bazës po shqyrtohet me kujdes nga drejtues më të lartë në grada, se ky në Çezena.

Ka shumë mundësi që shoku Erion, të "na lërë shëndenë",- jo në kuptimin shëndetësor, por në kuptimin që të merret me forcë,- të punojë si komandant në atë bazë.

"Nëse marrim Erionin, nuk do na vidhet më tel rrethues, ju kishte thënë një ushtarak i bazës, atyre më lart.

Mirëpo jo kushdo ka folur pozitivisht për kryebashkiakun e famshëm të Tiranës, që fle pak. Ne mësuam se një kapter i asaj baze, kishte folur keq.

Ai tha që, Erioni nuk është i besueshëm, pasi njëherë ai i gënjeu zyrtarët e BE, për çështjen e një vajzë, që ishte "rrëmbyer" nga njerëz të shtyrë nga Sali Berisha. Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi i një ushtaraku, i cili ju kujtoi të pranishmëve se zyrtarët e BE i meritojnë gënjeshtrat, pasi ata janë ca koqe dembelësh dhe burokratësh, që hanë bukën kot. Si duket ky ushtarak ka qenë ndonjë britanik, i cili e ka inat Bashkimin Evropian.

Meqë u përmend shoku Berisha, ai në datën 15 kishte ditëlindjen e tij, që e festoi si përherë duke ecur në rërë. Antena mësoi diçka të veçantë: Presidenti i Republikës, shoku Ilir Meta, një mik i madh i shokut Sali, vizitoi përpara disa ditësh Luginën e Valbonës dhe Thethin. Presidenti i tanishëm nuk e tha arsyen e vizitës së tij në Valbonë, por ne e kuptuam që ajo u bë për nder të ditëlindjes së shokut Sali, ish President.

Iliri, sipas burimeve tona, vizitoi Viçidolin, ku bëri edhe një foto të kullës ku hapi sytë vetë i madhi Sali. Fotoja e kësaj kulle e gjeti shokun Sali tek bënte ecjen e zakonshme, i shoqëruar nga sytë kureshtarë dhe ziliqarë të shumë njerëzve që nuk mund të ecin  dot aq shumë.

Ne nuk dimë se ç'foto i ka dërguar Presidentit të vendit si përgjigje shoku Sali. Ndoshta i ka nisur atë foton ku Lulëzimi puthej me Monikën, për t'i lënë të ditur Presidentit që LSI mbetej akoma shpresa më e madhe për ardhjen e PD-së në pushtet. Siç duket, këto dy forca opozitare, po i "lidhin prapë telat".

E meqë ra llafi te telat, kthehemi te lajmi i telave për të cilën po thoshim më parë.

Një tjetër kapter që ruante telat e bazës së NATO-s, theksoi që Erioni nuk mund të merret në punë aty, pasi ai është i zgjedhur si kryebashkiak i Tiranes dhe nuk do pranojë që ta lërë detyrën që i kanë vënë mbi shpinë qytetarët e qytetit dhe fshatrave përreth. “Ai, shtoi kapteri, nuk mund të jetë edhe në Tiranë edhe në Çezena në të njëjtën kohë”.

Kundër këtij arsyetimi doli një kapter tjetër, i cili theksoi: "Kundërshtoj! Përvoja ka treguar që Erioni mund të jetë në dy vende të ndryshme, në të njëjtën kohë. Ai ju ka kujtuar ushtarakëve të tjerë, përvojat e mëparshme të shokut Erion i cili një ditë pas dasmës që i bëri mami, ka qenë në punë dhe në njëjtën kohë edhe në shtëpi.

Një kapter tjetër ka shprehur shqetësimin se mos Erioni, meqë pëlqen sufllaqet, lë detyrën në bazë dhe shkon e blen sufllaqe në qytet, apo lejon shpërndarësin me motor që të futet brenda në bazën ushtarake. Ai tha gjithashtu që kishte frikë se mos Erioni, i jep dikujt leje që të ndërtojë ndonjë shumëkatësh, në territorin e bazës.

Kundër këtij arsyetimi ka dalë një femër kaptere, e cila tha që, Erioni nuk do ta bëjë një gjë të tillë, pasi ai nuk e krruan me gjethe fiku, që të tjetërsojë pronën e NATO-s. “Ai, është marrë me shitje fiqsh dhe e di rrezikun e të krruajturit me gjethet e tyre”, tha ajo dhe u ul.

Propozimi për punësimin e Erionit si komandant të bazës së NATO-s në Çezena, do t’i kalojë drejtuesve në Bruksel.

E rëndësishme është që vetë ushtarakët e thjeshtë me grada më të ulëta, ishin pozitivë që të kishin për drejtues një njeri si Erion Veliaj, i cili fle shumë pak. Nga 7-8 orë që thotë mjekësia, ai fle vetëm 4-5 orë.

Ne shpresojmë që zvogëlimi i orëve të gjumit, mos të ndikojë keq, në asnjë lloj shëndeti të tij. Kjo në të mirë të familjes së tij në veçanti dhe qytetarëve të Tiranës, në përgjithësi.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: