“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Basha: Fajin e ka shkenca që "mbeta në ajër"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Basha: Fajin e ka shkenca që "mbeta në ajër"
Satirë

Flet shoku Lulëzim Basha: Fajin e ka shkenca që "mbeta në ajër"

Kreun e PD-së, shokun Lulëzim Basha, më në fund, pas shumë përpjekjesh uranike dhe neptunike, e takova dje. Them uranike dhe neptunike, e jo "përpjekje titanike", siç ka qenë deri tani shprehja, pasi mora vesh nga një kuriozitet shkencor se, në planetet Uran dhe Neptun, bie shi diamantesh. Siç dihet, diamanti është material mjaft i fortë. Disa që e kanë, thonë që është edhe më i vlefshmi. Po, po e lexuat mirë. "Bie shi diamantesh".

Eh sa mirë do ishte të jetonim atje! Sidomos për burrat. Nuk do e kishin fare problem të gjenim diamante, për t'ua dhuruar femrave. Le që, kot them edhe unë. Edhe nëse burrat do jetonin në ato planete, qenia jonë do bënte të mundur që vetëm një pjesë e meshkujve të kishin mundësi të merrnin diamantet që do binin prej qiellit të Uranin dhe Neptunit. Burrat e tjerë do ishin shërbëtorë të burrave më me pushtet. Kështu ka qenë përherë në këtë planet, e kështu do jetë në çdo planet, ku do shkelë njeriu. Gjithçka ka të bëjë me pushtetin.

Meqë ra llafi te pushteti: Shokun Lulëzim Basha, i cili në zgjedhjet e vitit..., do të marrë pushtetin, e gjeta në selinë e Partisë Demokratike. Sa mori vesh që mbërrita te dera e jashtme, dha urdhër të me lejonin që të ngjitesha lart. Me ç'pashë, ishte i lodhur, pasi sapo kishte mbërritur nga Holanda. Më priti me edukatë dhe ishte i hapur në përgjigje.

Pa e zgjatur fare, ja bashkëllafosja e bërë me këtë udhëheqës:

Antena: Përshëndetje shoku Basha! Eh sa ju kam kërkuar këto 5-6 ditë. Oh, sa me fat që jam që ju takova!

Shoku Basha: Ja ku më gjete! Ama ta dish që jam i dërmuar fare...

Antena: Ju ka lodhur debati me shokun Gramoz, javën e kaluar, besoj...?

Lulëzim Basha: Ku më lodhin debatet mua or ti! Si ato debate paça përherë unë! Jam lodhur nga rruga. Mbeta duke shkuar në Holandë, çdo një-dy javë. Ik, e hajde. Lexuesit e dinë këtë gjë. Rrugë e gjatë. Ishallah zbatohet ai projekti për të cilën keni shkruar edhe ju si gazetë, se do shpëtoj. Do i jap fund vuajtjeve.

Antena: Për cilin projekt e keni llafin, shoku Lulëzim?

Lulëzim Basha: Për këtë pra që po lexoj tani. Nuk e kisha lexuar më parë. Qenka projekt fantastik. Më lehtëson shumë, nëse bëhet i zbatueshëm.

Antena: E keni llafin për ndonjë projekt politik, se si të bëni njerëzit e pakënaqur nga qeveria, për vete? Apo se si mos t'ua u vjedhin votat, ata të palës tjetër, meqë keni thënë çdo herë që humbisni, se ja u vjedhin? Apo se si Saliu të vazhdojë të bëjë sikur do që ju të largoheni nga drejtimi i partisë?

Lulëzim Basha: A ti mbete aguridhe! E kisha llafin te ky projekti këtu. Ja ç'thotë: "Raketat mund të zëvendësojnë avionët. Në rast se projekti do të zbatohet me sukses, njerëzit do të mund të udhëtojnë nga Londra drejt Nju Jorkut në vetëm 39 minuta."

Antena: Qenka projekt fantastik. D.m.th. neve nuk do u hipim më avionëve, por raketave. Me to, do nisemi për në vendmbërritje d.m.th., apo, siç i thonë në gazetari, "destinacion". Uroj që mos të mbetet vetëm në letër dhe ata shpikësit t'ia dalin ta zbatojnë! Me aq sa kuptoj unë nga fizika, do jetë problem ulja e raketës. Gjithë ajo peshë e raketës, do bëjë që forca e rëndesës të jetë e madhe. Shumëzo këtë me nxitimin, pra shpejtësinë kundrejt kohës. Pale pesha e njerëzve dhe e valixheve. Le që tani nuk lejohen shumë valixhe. Iku koha kur mbusheshin me 50 kile dollarë, e niseshin nga këtu. Kanë ndryshuar gjërat.

Lulëzim Basha: Kanë ndryshuar lesh. Sa lekë ka çuar Ilir Meta me valixhe në Londër. Pse kot marrim pasaporta diplomatike neve. Pikërisht që mos të kontrollohemi, i marrim. Nejse. Them t'i shkruaj një letër atyre të kësaj kompanie. T'ju jap një mendim që do t'ju hyjë shumë në punë, për zbatimin e këtij projekti me rëndësi botërore.

Antena: Mirë do bëni! Shkruajeni pasi të flini, se do jeni edhe më i kthjellët.

Lulezim Basha: Nuk më vjen gjumë, se sapo u zgjova. Tani i kam filluar të fle më pak.

Antena: Keni filluar të flini më pak?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Që kur e keni zvogëluar, apo siç i thonë në gazetari "reduktuar" gjumin, shoku Lulëzim?

Lulëzim Basha: Që kur më dolën kundër në parti. Konkurrenca të vë në lëvizje. Tani të më falni, por dua të jem vetëm! Do t'ju shkruaj atyre, të kësaj kompanisë që duan të bëjnë udhëtimin me raketë. Nuk mund të shkruaj kur është dikush, se nuk i gjej dot fjalët siç duhet. Më ngatërron prania e njerëzve. Edhe kur shkruaj, edhe kur fle, dua të jem vetëm.

Antena: Çdo ju thoni konkretisht atyre, a mund ta dimë edhe ne si popull?

Lulëzim Basha: Sigurisht që mundeni! Kot nuk jam demokrat unë, pra një njeri që mendoj që pushtetin e ka populli. Kur ka pushtetin, duhet të ketë edhe lajmin. Do t’ju shkruaj lidhur me problemin e qëndrimit në avion. Kam udhëtuar aq shpesh për në Holandë, sa e di sesi duhet të bëhet një karrige rakete, që udhëtari që do ulet në të, të ndihet i qetë. Edhe nëse i bëjnë në formë krevati, do jua jap unë idenë. Asnjëri, nuk e di më mirë se unë, se si duhet të jetë një krevat, ku mund të flesh pa patur probleme...

Antena: Do t’ju kërkoni ndonjë dollar, për idetë tuaja?

Lulëzim Basha: Asnjë kacidhe! Thjesht e bëj për të mirën e njerëzve, si përherë. Ishallah bëhet si projekt, se mbeta në ajër. Tani më duhen 3 orë që të shkoj në Holandë. Nëse bëhet ai projekt shkoj për 3 minuta.

Antena: Kaq shpejt?! Po kjo gjë qenka fantastike! Me sa kilometra në orë udhëtuaka kjo raketa?

Lulëzim Basha: Këta thonë që do e bëjnë të aftë të udhëtojë me 27 mijë kilometra në orë. Ishallah nuk është premtim i bërë nga ndonjë biznesmeno-politikan! Nëse e realizojnë, do jetë mrekulli fare. Tani vërtet, mbeta në ajër, por nuk e kam fajin unë ama që mbeta në ajër. E ka shkenca që nuk shpik mjete më të shpejta fluturimi se sa këto që kemi. Mbeta nëpër avionë.

Antena: Urojmë që të bëhet ky projekti me raketa të shpejta, se vërtet mbetët në ajër, shoku Lulëzim. Keni lënë edhe demokratët në ajër...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: