“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Gjiknuri: Bravo mamit të Erion Veliajt! Diti t'i ruante paratë e kursyera

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Gjiknuri: Bravo mamit të Erion Veliajt! Diti t'i ruante paratë e kursyera
Satirë

Flet shoku Damian Gjiknuri: Bravo mamit të Erion Veliajt! Diti t'i ruante paratë e kursyera

Sot menduam të sillnim për ju lexues, një përmbledhje të ngjarjeve më pikante të javës. Mirëpo minirubrikës sonë që, siç e dini edhe ju, e kemi titulluar, "Përmbledhje Politike e Shartuar", pra PPSH, -për nder të nënës së të gjitha partive tona,- ia zuri vendin ngjarja më e bujshme e javës që po mbyllet, pasi është në ditën e fundit administrativisht.

Nuk e kemi llafin për ngjarjen që mori dhenë, ku shoku Lulëzim u bë trim me Edin në Parlament. Që do bëhej trim një ditë, do bëhej Luli. Çështja është të bëhej para zgjedhjeve, e jo tani. Gjithsesi e lëmë Lulin në trimërinë e tij, e kthehemi në ngjarjen që la mbërthyer para televizorëve dhe gazetave, mijëra pensionistë. I la të kryqëzuar, pa parë telenovelat madje.

Meqë më lart ra llafi për mamanë (e të gjitha partive) edhe ky lajm që do sjellim për ju, ka të bëjë me mamanë.

Siç e dini, para pak ditësh u vodh shtëpia e së ëmës së Ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës, shokut Damian Gjiknuri. Ne sapo morëm vesh lajmin, që u bë publik "sa mbyll e hap sytë" nga policia, shkuam me të shpejtë në vendngjarje. Për rubrikën tonë aty foli vetë shoku Damian:

Antena: Shoku ministër përshëndetje! Si ndodhi kjo vjedhje? Sa vetë ishin, si hynë? A ishin me maska, apo po? A keni ndonjë gjiton që nuk ju do mamanë?

Shoku Damian: Me ç'mora vesh, hajdutët hynë nga dritarja, tamam si  rrufeja.

Antena: Mamaja juaj, nuk e kishte mbyllur dritaren, d.m.th. Apo e kishte mbyllur dhe ata e hapën me marifet? Hajdutët kanë hapur kasaforta ministrash që, e bënë punën hale fare kur ishin në karrige, jo më një copë dritareje haleje, në fakt. Si ndodhi?

Shoku Damian: Duke qene se populli ynë ka një shprehje të vjetër që thotë se rrufeja nuk bie në hale, dritaren mami e linte përgjithësisht hapur.

Antena: A morën shumë lekë? Çfarë ju tha mamaja?

Damian Gjiknuri: Me ç'më tha mami, morën rreth 3 milionë lekë të reja, më falni të vjetra, të futura në disa thasë. Ishin lekët e kursyera nga pensioni.

Antena: A e keni idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarjeje?

Damian Gjiknuri: Dikush që do të diskreditojë punën e qeverisë, sigurisht. Që do që të krijojë panik te njerëzit, e sidomos te pensionistët. Ama nuk do arrijnë ta kthejnë elektoratin tonë, armatën e pensionistëve, kundër nesh. Dihet dhe është e faktuar në këto 27 vite që, pensionistët kanë dhe do votojnë më së shumti Partinë Socialiste me njerëzit e Mjaftit në krye të saj.

Antena: Qetësohuni shoku Damian!

Damian Gjiknuri: I qetë jam. Thjesht, fola me pasion. Kështu flas përherë. Sidomos tani që mora edhe Ministrinë e Infrastrukturës, kam më shumë energji se ç'kisha kur kisha vetëm Ministrinë e Energjitikës.

Antena: Kujdes nga energjia e tepërt shoku Damian! Se ndryshe do e pësoni si Saimir Tahiri. Edhe ai i gjori kishte plot energji, por ju pre qarku...

Damian Gjiknuri: Unë energjinë e tepërt e kam të strukturuar. Kaq dua unë, ministër. Nuk lakmoj më shumë. Me kaq sa kam, unë të mirëndriçuar e kam jetën. Meqë ra llafi te ndriçimi. E di ti që sa erdha këtu te shtëpia e mamit, nuk e pyeta për vjedhjen, por për... Hë gjeje, se përse e pyeta! A e gjen dot!

Antena: E nga ta di unë shoku Damian përse e keni pyetur ju. Përse e pyetët?

Damian Gjiknuri: Ore të të pyes unë ty? Unë zakonisht i njoh gazetarët. I shikoj te një bar kur vijnë e pijnë uiski. Ty pse nuk të njoh unë?! Sa kohë ke që merresh me këto gjëra ti?

Antena: Me këtë lloj gazetarie kam që para se të futeshim në NATO. Me këtë rubrikën e Antenës, kam mbi tre muaj shoku Damian. Po unë nuk e pi uiskin, ndaj edhe s'më njihni. As verën nuk e pi. Pi pak dhe atë që pi, e shumta kushton 20 mijë lekë shishja. Ju njihni vetëm ata me 20 mijë lekë e lartë, besoj.

Damian Gjiknuri: Pike uthull zotrote! 20 mijë lekë të reja vera...

Antena: E kisha llafin lekë të vjetra. Nejse, kthehemi te çështja e kësaj vjedhjeje...

Damian Gjiknuri: Siç të thashë, sa takova mamin e pyeta: O mami, në momentin që hajdutët hynë në shtëpi, a kishte drita?

Antena: Ueee sa mirë! Pra edhe në ato momente tronditëse, ju ishit i prokupuar për punën. Po ky është lajm i thënë ekskluzivisht për mua, shoku ministër! Shumë faleminderit që e ndatë me mua këtë lajm!

Damian Gjiknuri: Nuk ka përse të më falenderoni! I tillë duhet të jetë çdo ministër.

Antena: Ku i kishte lënë paratë mamaja, a ju tha?

Damian Gjiknuri: I kishte futur më disa thasë me rroba. Brezi i saj, nëpër rroba i fsheh, ti besoj e di.

Antena: Po, po e di. Kështu i fsheh lekët brezi i nënave tona. Nënat që kanë ç'të fshehin, d.m.th.

Damian Gjiknuri: Kështu besoj, në thasë, i kishte fshehur edhe mami i Kryetarit të Bashkisë, lekët.  I lumtë mamit të Erionit! Kam respekt për të. Është një grua që jo vetëm arriti të hiqte mënjanë miliona lekë, por, më e rëndësishmja, diti si t'i ruante ato para.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: