“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Meta: Çdo ditë dymijë kosovarë do marrin pasaportë shqiptare

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Meta: Çdo ditë dymijë kosovarë do marrin pasaportë shqiptare
Satirë

1: Flet shoku Ilir Meta: Çdo ditë dymijë kosovarë do marrin pasaportë shqiptare.

Shokun Ilir e takova sapo nxori kokën dhe pas saj këmbët, nga dera e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ishte i qeshur, ashtu siç është përherë me njerëzit. M'u afrua vetë në fakt, pasi unë nuk e kisha mendjen. Po shikoja në atë çast një gazetare mjaft të bukur. Më bëri përshtypje minifundi i saj. Ishte qepur me plot finesë dhe i shkonte mjaft, më atë ambient zyrtar. Edhe dekolteja, pra bluza e hapur, kombinohej me sallonin.

Gjithsesi, kthehemi te tema jonë: me shokun Ilir kreva një intervistë shumë të shkurtër, që po e sjellim këtu për ju: Ja bashkëllafosja e bërë më të:

Antena: Përshëndetje shoku President! Nga "Antena Jashtë Familjes" jemi. Morëm vesh që shoku Hashim Thaçi ju ka kërkuar që shtetasit e Kosovës të pajisen me nënshtetësi shqiptare.

A do e pranoni këtë kërkesë të bërë prej tij?

Presidenti i Republikës: Së pari përshëndetje! Forca jonë politike... Më falni se harrova që jam President, e jo drejtues i partisë. Desha të thosha që unë, në cilësinë e Presidentit të Republikës, sapo mora kërkesën e homologut tim, telefonova një këshilltarin tim. Ai është një njohës mjaft i mirë i historisë, i gjeografisë, fizikës, gjeologjisë, e shumë degëve të tjera shkencore. Emrin nuk ja u them, por di të them që edhe juve e njihni, pasi ai është shfaqur shpesh në media duke folur për të gjitha këto.

Antena: A mund ta dimë se cili është ai, shoku Ilir? Është shqiptar, apo i huaj?

Shoku Ilir: Sigurisht që shqiptar. Ku ka të huaj që dinë të flasin për gjithçka! Emrin e tij, siç edhe e thashë më parë, nuk po ja u them, pasi si President i Republikës, mos harroni që jam edhe përgjegjës për sigurinë e vendit. Po e nxora emrin e tij, ma marrin në punë vendet e tjera.

Antena: Çfarë ideje tha ai, apo siç i thonë në gazetari: Çfarë lançoi ai, nëse mundemi ta dimë, shoku President?

Shoku Ilir: Më tha që nëse ti, Like, iu jep shtetësi shqiptare, kosovarëve, mund të ndryshosh raportet zgjedhore në Shqipëri në favorin tënd.

Antena: Kaq i afërt qenka me ju, sa nuk ju thotë "President", e as "zoti Ilir", por thjesht "Like"?!

Shoku Ilir: Kur hamë peshq së bashku, vetëm "Like" më thotë. Kur del nëpër media, më përmend zyrtarisht. Edhe unë nuk i kërkoj të më flasë "President".

Antena: Jeni njeri i thjeshtë, kam dëgjuar për këtë veti. Lexova dje p.sh që, paskërkeni marrë në telefon Edmond Panaritin ju vetë e i kishit kërkuar të futej në LSI...

Shoku Ilir: Më bënte namin Monika nëse nuk i merrja robt' në telefon. "Merri-më thoshte-se tani kemi nevojë për ta!"

Antena: Po tani, a i merrni, apo nuk ja u lejon detyra?

Shoku Ilir: Edhe tani i marr! I marr edhe ju them që t'i afrohen LSI-së. Tani ndryshoj zërin, e bëj sikur flet Monika, meqë unë tani jam President dhe nuk duhet të jem partiak.

Antena: Bëni zërin si të Monikës!? Po ky qenka lajm i thënë eksluzivisht për mua. Shumë faleminderit që ma thatë. Do kem me çfarë ekskuziviteti të mburrem.

Antena: Kthehemi te çështja që më thatë: Si mund të ndryshohen raportet zgjedhore, a ja u shpjegoi këshilltari?

Shoku Ilir: Po, po ma shpjegoi. Nëse unë bëj me shtetësinë shqiptare, mbi 300 mijë kosovarë, ka shumë gjasa që zgjedhjet e ardhshme t'i fitojë shoku im i besës, Sali Berisha. Në Kosovë, Salën e duan më shumë se ç'më duan mua dhe Edi Tepsinë, le të themi.

Antena: Si do veproni atëherë? Do e pranoni kërkesën e shokut Hashim?

Shoku Ilir: Do e pranoj, ama me një kusht. Që të gjithë ata që më kërkojnë nënshtetësinë, të kenë kaluar të "Rruga e Kombit" që ka bërë Saliu. Nëse e shikojnë atë rrugë, jam i bindur që do bëhen salistë.

Antena: Do ju duhet të nënshkruani me mijëra pashaporta në ditë. Do t’ju lodhet dora...

Shoku Ilir: S'kam zgjidhje tjetër. Do sakrifikoj. Fundja, se mos kam punë tjetër në Presidencë, unë. Dy mijë firma në ditë, derisa të vijnë zgjedhjet, i bëj pa problem. Mos harro se në rininë time jam marrë me sport. Bujari firmoste kot 500 medalje çdo ditë, mos të firmos unë dy mijë pasaporta, për të rikthyer në pushtët mikun tim të mirë, Saliun. E bashkë me të edhe veten time...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: