“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Veliaj: Mami më tha që INSTAT ma ka me të hedhur!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Veliaj: Mami më tha që INSTAT ma ka me të hedhur!
Satirë

Flet shoku Erion Veliaj: Mami më tha që INSTAT ma ka me të hedhur!

Këtë të hënë, po sjellim bashkëbisedimin me të parin e 1/3 të shqiptarëve, shokun Erion Veliaj. Me thënë të drejtën, donim të sillnim kryetarin e opozitës, shokun Lulëzim Basha. Shkuam dje ta takonim te selia e PD-së, por na thanë që nuk ishte. Kishte shkuar të merrte mësime në Holandë, se si të jetë më i vendosur në qëndrimet e veta në Kuvend, e se si t'i bëjë ballë Taulant Ballës me shokë. Urojmë të ketë mësuar ndonjë gjë andej. Kjo do t’i shërbejë demokracisë në vend, pasi një opozitë e fortë, e vë në punë qeverinë. Meqë ra llafi, te puna: Pasi nuk e gjeta shoku Lulëzim, shkova të takoja "njeriun e punës", megjithëse ishte ditë e dielë. "Ai do jetë me patjetër në zyrë, o në terren" mendova. Dhe nuk gabova. E gjeta në Bashki. Ja bashkëllafosja që bëra kryeministrin e ardhshëm të vendit, -kuptohet n.q.s. do ta lërë Saimir Tahiri,- me vetë shokun Erion:

Antena: -Përshëndetje shoku Erion! Ju shoh të mërzitur. Çfarë ka ndodhur? Mos është bashkuar prapë Kryeministri me Saimir Tahirin?

Shoku Erion: Hadje, hajde, ulu! Nga mos të jem i mërzitur. Këta njerëz vërtet "nuk mbushin". O janë të paaftë, ose ma bëjnë kastile. Siç duket i fut Saimiri të më diskreditojnë. Shpjegim tjetër nuk ka.

Antena: Çfarë ka ndodhur shoku Erion? Ma thoni edhe mua, që mos të "mbetem thatë" dhe që të gjykoj se cila prej arsyeve që më thatë, qëndron. Çfarë keni?

Erion Veliaj: Si ke qenë në matematikë ti? A ja thua ndopak?

Antena: Ndonjëherë edhe ja them, shoku Erion. Pse çfarë ka ndodhur? Mos ka hequr mënjanë mami jot lekë të tjera, e nuk i numëroni dot? Është bela me numërimin e lekëve. Është më mirë t'i peshosh, sesa t'i numërosh.

Erion Veliaj: Që ka hequr lekë mënjanë, ka hequr. Se hoqi gjithë ato miliona, kur merrte një pension mizerabël, e jo tani që neve si shumicë qeverisëse, i kemi rritur. Por kjo gjë nuk ka të bëjë me pensionin. Ka të bëjë me ata qorrët dhe shurdhët e INSTAT-it. As nuk më shikojnë, e as nuk më dëgjojnë, kur dal në media, me ç'kuptoj. Ose më e keqja fare, do jenë bërë palë me Saimirin, e ndaj më godasin. Nuk ka shpjegim tjetër.

Antena: Më i qartë, shoku Erion, ju lutem! Ku e keni llafin?

Erion Veliaj: E mo aguridhe, që nuk kupton fare. Ata të INSTAT-it pra, kishin thënë që ekonomia është rritur me 4 e ca %.

Antena: U sa mirë. Do rriten rrogat d.m.th. Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. E shyqyr, se kështu nuk bllokohet as sistemi i lotarisë amerikane. I gjeti belaja ata amerikanët, zblloko ata dhe blloko ne. Ishallah rriten edhe pensionet e mamave tona. Jo se tani s'janë mirë...

Erion Veliaj: Leri rrogat dhe pensionet, se nuk rriten sivjet ato. Vitin tjetër që kemi zgjedhje, mbase i rrisim ndonjëçikë. Me këta merhumët e INSTAT që më godasin mua, e kam problemin. Kanë thënë që "Aktivitetet e Pasurive të Paluajtshme" në Shqipëri është rritur me 0.93 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. I kupton ti, apo jo?

Antena: Jo nuk i kuptoj fare. Ç'do të thotë kjo, shoku Erion?

Erion Veliaj: Edhe unë nuk e kuptova, por ma shpjegoi mami, se ajo merret me lekët. Më tha mami që ata po ta bëjnë kastile, e po të godasin.

Antena: Si po ju godasin? A ja u shpjegoi mami, se ku qëndronte goditja?

Erion Veliaj: Po, po ma shpjegoi. Ja e kam të shkruajtur këtu. Si është e mundur,- më tha mami- që të rriten kaq pak çmimet e pasurive të paluajtshme, të shtëpive, apo dyqaneve, ndërkohë që ti bir ke bërë gjithë ato rrugë gjatë një viti dhe ke thënë që infrastruktura moderne në kryeqytet ka rritur çmimet e pronave? Ka një kleçkë këtu. Ja kështu.

Antema: Ku di unë ta shpjegoj, o shoku Erion. Mbase çmimet e shtëpive janë ulur në qytetet e tjera dhe janë rritur në Tiranë. Kjo do jetë arsyeja.

Erion Veliaj: Sado që të jenë ulur më ato qytete, nuk i bëjnë gjë rritjes së Tiranës time ato qytete. Ore, mbase ke të drejtë ti, ndoshta! Se fundja vetëm unë po punoj nga kryebashkiakët. Të tjerët rrinë, se s'ju jep fonde Edi. Me mua e ka "vaj". Mua më do.

Antena: Ja u qetësuat. Shyqyr, se edhe unë u ndjeva keq që ishit i mërzitur.

Erion Veliaj: Nuk jam qetësuar akoma. Se ka akoma. E di ti ç'kanë thënë këta të INSTAT-it? Më tha mami që, kanë thënë se dega e hotelerisë, ka rritje vetëm 3.54%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, ose me vetëm 1.37%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016. Duan të më zhvlerësojnë mua ata. I ka futur Saimiri, e di unë.

Antena: Më bëtë lëmsh, shoku Erion. Ç'do të thonë këto shifra?

Erion Veliaj: Ja pra, kështu e pyeta edhe unë mamin. Ta kanë me të hedhur më tha.

Antena: Ja u shpjegoi "hedhjen"? A mund të ma shpjegoni edhe mua?

Erion Veliaj: Ma shpjegoi edhe këtë. Ja e kam këtu të shkruajtur: Unë kam thënë që në Tiranë kemi rritur 2.5 herë, -pra 250 % më shumë- numrin e turistëve, krahasuar me më parë. Si është e mundur që turizmi në shkallë vendi është rritur vetëm me ca pikë %?! Hë pra si? Ma kanë me të futur mua ata të INSTAT-it, mos e diskuto!

Antena: Rrini i qetë, shoku Erion! Ju keni thënë "krahasuar me më parë". Pra nuk e keni thënë, me një vit më parë. Krahasuar me më parë, mbase e keni thënë në kuptimin, krahasuar me kohën e Zogut, p.sh. Ose krahasuar me kohën e osmanëve, kur këtu vinte për turizëm në Tepelenë, poet Bajroni. Qetësohuni, ju lutem! Se me ç'shikoj në raport, aty thotë dega "hotele" është rritur aq sa më thatë ju mua. Unë jam i bindur që, numri i turistëve është rritur 250%, siç thoni ju, por ata nuk kanë preferuar të flenë në hotele. Kanë fjetur në shtëpitë e të afërmve të tyre. Ju si mjaftist, me ç'shoh i keni thënë "mjaft" zënkave midis të afërmve dhe ata tashmë janë më të lidhur me njeri-tjetrin aq shumë sa, ftojnë në shtëpitë e tyre këtu, të afërmit që ju vijnë nga rrethet.

Erion Veliaj: Po pra, kjo do jetë. D.m.th. falë punës time është bërë edhe kjo gjë.

Antena: Sigurisht falë jush. Pra, qetësohuni! INSTAT nuk ja u ka me të keq. Ma jepni pak atë raportin e INSTAT, ju lutem! Ja me ç'shikoj unë këtu, thotë që "zëri" i bujqësisë dhe peshkimit është rritur vetëm 0.13%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Erion Veliaj: Nuk marr dot në telefon as mamin që të ma sqarojë, se po fle në këtë orë. Ç'do të thotë kjo, se "jam tym" nga inati me ata të INSTAT, e nuk e kuptoj tani.

Antena: Kjo thjesht do të thotë që bujqësia nuk është rritur. Sigurisht që s'do rritej se, Tirana ku jeton 1/3 e vendit, nuk ka bujqësi. Edhe peshkimi nuk është rritur, se në Tiranë nuk ka akoma det. Kur ta sillni ju, jam i bindur që do rritet. Pra ju duhet të jeni ballëlart!

Erion Veliaj: Mandatin tjetër, detin do e sjell me patjetër...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: