Anxhela Peristeri: Kush e ekzagjeron me sensualitetin, duket shëmtuar

Anxhela Peristeri: Kush e ekzagjeron me sensualitetin, duket shëmtuar
 

Anxhela Peristeri e ka nisur që e vogël këngën. Pra, sapo e mëson këtë, kupton se është një profesioniste, - në fillim violina e më pas kënga nëpër festivale të fëmijëve në Korçë. Korçarka bukuroshe, kaloi edhe një pasazh bukurie, duke marrë pjesë në konkurs miss-esh, por ajo që e dallon, është zëri i ngrohtë që duket i skalitur nga buzuqet greke ku ka punuar shumë vite. Por ja që u rikthye Anxhela, për të dalë me shumë hit-e e për të prekur zemrat e publikut, veçanërisht me baladat. Flet pa doreza, thjeshtë dhe pastër. Fundja, kjo e dallon atë. Vjen në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, një nga zërat dhe portretet më të bukur të skenës shqiptare.

 

intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Mbiemri yt ka një domethënie të bukur, pëllumbi, ti vetë je pëllumb apo shqiponjë?

 

Besoj se jam ndërthurje e të dyjave. Herë pëllumb, herë shqiponjë.

 

Sa e vogël ke qenë, kur ke filluar të këndosh? Si i kujton ato kohë?

 

Qysh në moshë të vogël, kam qenë thuajse 6-vjeçare. Fillova të frekuentoj shkollën e muzikës ku kam studiuar  për violinë. 2 vjet më pas, fillova të këndoj në festivalet e fëmijëve të qytetit të Korçës, gjithashtu edhe në korrin e shkollës. I kujtoj vërtet me nostalgji ato kohë!

Kanë ecur paralel bukuria, pamja e jashtme dhe kënga për ty? Cila ka fituar?

 

Sigurisht, kënga! Është dhe do mbetet primare për mua.

 

Çfarë ke nga Korça, brenda teje?

 

Gjithçka! Vij nga një familje puro korçare. Jam rritur atje dhe jam krenare për origjinën time! Korça jo sepse jam unë, por është qytet me vlera të mëdha qytetarie dhe kulturë, ndaj dhe unë e dua shumë!

 

Në intervista në media, dallohet një cilësi jotja, - spontaniteti dhe thjeshtësia. Pjesë e karakterit?

 

Po. Kam karakter të butë dhe nuk dal dot nga vetja. Mendoj se të qenit vetvetja, është vlera më e madhe e një njeriu.

 

Po përse nuk sillesh edhe ti si një “diva”, siç bëjnë shumë kolege të tuat?

 

Ha ha ha, - divat që njoh unë, janë njerëz të thjeshtë. Varet nga këndvështrimi i çdokujt, se si i koncepton divat. Ndoshta nuk jam një e tillë, por ndoshta jam shumë më tepër. Kjo i takon të tjerëve ta thonë.

 

Ke shumë hit-e në repertor, sepse ke vokal të ngrohtë. Si e zgjedh një këngë që ta interpretosh?

 

Është fat për mua, që përveç talentit, zoti më ka dhënë bashkëpunëtorë shumë të mirë! Kompozitorët, tashmë, dinë çfarë më shkon edhe unë di ku ta kërkoj.

 

Sa je ti vetë, një “femër mediatike”

 

Më tepër e shoh veten si artiste, sesa si “femër mediatike”.

 

Ke kënduar për vite me radhë në Greqi. Në atë vend, këngëtaret vlerësohen shumë. Po këtu, a vlerësohen sa duhet?

 

Duke parë nivelin e jetës në Shqipëri, mendoj se vlerësohen siç duhet. Nuk kam ankesa, jam mjaft e lumtur me vlerësimin që kam marrë!

 

Ke një bukuri që vjen menjëherë tek publiku, - mesdhetare, me forma, që pëlqehet. Po vetja, sa të pëlqen?

 

Shumë. Nuk do të doja të isha ndryshe brenda vetes, por jashtë jam në punë e sipër, duke hequr disa kilogramë që nuk më lënë të ndihem e lehtë, siç dua!

 

Ka disa kohë që ti edhe shkruan tekste të bukura. Nga frymëzohesh, përgjithësisht?

 

Gjithmonë kam shkruar, qysh  fëmijë. Më pëlqen të lexoj dhe të shkruaj. Frymëzohem nga gjithçka dhe i përjetoj shumë situatat, në përgjithësi, edhe ato të të tjerëve. Kohët e fundit, vendosa të bëj vetë edhe tekstet e mia. Dhe jam e lumtur që rezultuan me sukses.

 

Sa kujdesesh për look-un tënd, është dikush që merret me ty?

 

Kujdesem mjaft për pamjen. Më pëlqen të kujdesem për veten, s’e mohoj. Por kam edhe tri njerëz që dua t’i falënderoj për këtë, dhe kam vite që bashkëpunoj me ta. Stilistin Joni Peçi, që më vesh me shumë dashuri; Elën me Lolën nga Lorel make-up artist, për flokët e bukura që më kanë dhuruar dhe grimin e mrekullueshëm.

 

Cili është mendimi yt për përdorimin e sensualitetit në videoklipe?

 

Sensualiteti duhet shprehur me karar dhe aty ku duhet. Jo të gjitha këngët kanë nevojë për të. Mendoj se sensualiteti, mbi të gjitha, është i lindur. Çdo kush që e ekzagjeron masën me të, shëmtohet.

 

 

Si korçarkë që je, di të bësh lakror?

 

Po, sigurisht. Ka qenë nga të parat gatime që më ka mësuar mamaja ime.

 

 

Do ta lije përsëri Shqipërinë, për suksesin dhe tregun grek?

 

Nuk e besoj. Synimi im është t’i bëj të dyja paralelisht. Për këtë arsye u ktheva.

 

 

E ke menduar të luash në ndonjë film? Ke pasur propozime në këtë drejtim?

 

Po, kam pasur disa oferta, megjithatë nuk kam pranuar. I kam dhënë prioritet këngës, por ku i dihet... Ndoshta, në të ardhmen, mund të eksperimentoj dhe në film.

 

 

Sa mikesha mund të ketë një këngëtare? Sa ndikon xhelozia në këtë profesion?

 

Kam shumë mikesha, por pjesa më e madhe e tyre, nuk kanë lidhje me artin. Xhelozia është e madhe në rrethin tonë, megjithatë ka edhe njerëz shumë të mirë, me të cilët vërtet mund të krijosh shoqëri të pastër.

 

Kënga “S’ka si ne”, një bashkëpunim me shumë sukses, është kthyer në hit. I preferoni bashkëpunime si këto?

 

Me Aurel Thellimin, Blerina Brakën dhe Erik Lloshin, përveçse kolegë, jemi edhe miq shumë të mirë. Mendoj se, jo rastësisht, ky kombinim doli kaq i suksesshëm si në këngë, ashtu dhe miqësi. Thjesht, "S'ka si ne" që e thotë dhe kënga jonë. Mendoj që do të ketë dhe bashkëpunime të tjera më pas.

 

 

Kur nuk je në turne, si është dita jote?

 

E kaloj kohën duke bërë ato që bën çdo vajzë e re. Kaloj shumë kohë në palestër dhe argëtohem në kafene me shoqërinë. Një ditë të zakonshme pushimi e kaloj me shoqërinë, ose duke parë filma, lexoj ndonjë libër, dëgjoj muzikë etj.

 

 

Më trego ndonjë projekt të ri, sepse stina drejt festivaleve, sapo nisi...

 

Sigurisht që kam disa projekte në duar, por për supersticion, dua t’i mbaj sekret. Kam shkruar disa tekste për këngë të reja dhe kam plane për disa bashkëpunime. Uroj shumë të dalin në skenë këto projekte e të kenë sukses.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

.

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: