Arben Skënderi: Arti sot është në rrezik, po kthehemi në kulturë mejhanesh

Arben Skënderi: Arti sot është në rrezik, po kthehemi në kulturë mejhanesh
Intervistoi për Alkbanian free Press: Juela Meçani

 

Arben Skënderi, violonçelisti i njohur i skenave evropiane, na rrëfen shumëçka për jetën e tij, pasionet, familjen dhe angazhimet në politikë dhe jashtë saj, duke hedhur një sy kritik mbi gjendjen e artit dhe artistëve sot në Shqipëri.

 

AFP: Për cilindo artist, veçanërisht për një instrumentist harqesh, për një kohë të gjatë, pasioni për veglën muzikore vjen i pari, a vazhdon të jetë kështu?

Ajo çka vjen e para, ose më mirë, ajo që është ose jo brenda nesh, është dëshira apo, pse jo, dhe  pasioni për muzikën; instrumenti, në fillim, është pengesa më e madhe që qëndron mes nesh, pra, qenies dhe muzikës. Me kalimin e viteve, duke kaluar shumë kohë me instrumentin, fillojmë ta duam dhe na bëhet i pandashëm, bëhet pjesë e jona, madje, bëhet një urë shumë e bukur ndërmjet qenies dhe muzikës.

 

AFP: Sa vite studimi dhe praktike ju janë dashur, sipas mendimit tuaj, që të ktheheni në një virtuoz?

 

Është vërtet një rrugë mjaft e gjatë dhe e mundimshme. Fillon që në moshë të hershme, dhe nuk ndalet më, deri sa vjen ora për të mbyllur sytë. Dhe kështu ndodh për të gjithë. Unë e kam filluar violonçelin në moshën 5-vjeçare. E doja shumë muzikën, por nuk është se kisha treguar interes për ndonjë instrument në veçanti, deri në atë kohë. Unë vij nga një familje artistësh e muzikantësh. Mamaja ime, Talia Skënderi, pedagoge nga më të suksesshmet në vend, tashmë investohej shumë fort me motrën time, Klodiana Skënderi, e cila, tashmë, që në moshën 10 -vjeçare kishte nisur një karrierë solistike të mirëfilltë dhe gëzonte adhurimin e publikut. Unë ndërkohë, kisha filluar violonçelin, por, më tepër, në kujtim të tim eti, i cili është një nga themeluesit e shkollës tonë të violonçelit dhe një nga themeluesit e konservatorit shtetëror të Tiranës. Ymer Skënderi ishte dhe është një emër i madh në qarqet artistike, ku pjesa dërrmuese e muzikantëve dhe pedagogëve kanë qenë studentë të tij. Pra, unë isha "djali i profesorit", i cili, tashmë, nuk jetonte. Pa e kuptuar, po rritesha me modelin e një njeriu të arrirë. Deri rreth moshës 13-vjeçare, studioja pak (një ose dy orë në ditë), i bija violonçelit si djali i profesorit apo vëllai i Klodianës...! Por pikërisht aty filloi dhe kthesa ime, dhe vendosa që muzikën ta ktheja nga pasion në profesion. Modelet që fola më lart, më ngarkuan me përgjegjësi dhe motivacion. Mbaj mend që, përgjatë viteve të shkollës së mesme, më duhej të fitoja ca "kohën e humbur" dhe fillova të studioja plot 8 orë në ditë, duke filluar çdo ditë në ora 6 të mëngjesit, vazhdoja orët e mësimit si gjithë të tjerët e më pas vijoja me muzikën deri në mbrëmje vonë. Këto janë vitet më të bukura të investimit tim personal, si dhe vitet që përcaktuan qartë rrugëtimin tim. Ky regjim pune vazhdoi gjatë dhe më pas në Paris, ku vijova studimet e larta dhe vazhdova karrierën artistike si pedagog dhe koncertist. Pra, janë mijëra e mijëra orë pune, për tu bërë profesionist i mirë, dhe, po aq, për të kaluar në nivele karriere të mirëfilltë, e cila, sa më takon, shënon, deri më sot, mbi 800 koncerte në shumë vend të botës si dhe regjistrime të shumta radiofonike.

 

 

AFP: E dëgjojmë shpesh, por dua mendimin tuaj; a jemi tani në të njëjtin nivel të mësimdhënies, prodhim talentesh në brezin e ri të instrumentistëve?

 

Kjo është një pyetje shumë me vend, përgjigjja e të cilës më dhemb...! Na u deshën rreth 65 vite, për të krijuar artin tonë të kultivuar, dhe dy dekada për ta shkatërruar atë. Kjo është një teme e cila do donte hapësirë më vete për tu trajtuar, por mund t’ju them sot që pjesa dërrmuese e shkollave artistike, janë mbyllur. Dikur ishin dhe prodhonin talente në çdo qytet të vendit, të paktën në çdo qendër qarku. Tirana për një numër tre herë më të vogël banorësh, kishte tre shkolla muzike më tepër, pra, sot duhet të kishte 9 ose 10 të tilla për të përballuar nevojat e popullatës dhe vazhdimësisë së gjithë këtij investimi. Por fatkeqësisht jo ! Sot jemi në rrezik. Po kthehemi në një kulturë mejhanesh, e menaxher nga disa shoqata sociokulturore si në fillim të shekullit të kaluar...! Jam i shqetësuar për artin që edukon brezat, jo për atë që kënaq turmat.

 

AFP: Ju i përkisni një brezi të artë të talenteve në muzikë, mjaft shokë apo shoqe të kohës tuaj, kanë shkëlqyer dhe janë sot figura të spikatura në art; a ka kjo lidhje dhe me kohën kur keni studiuar, kohë dramash, dhimbjesh, ndjenjash të forta por autentike?

Një shprehje e bukur që është më aktuale se kurrë thotë: "krijimtaria lulëzon nga ndrydhjet dhe vdes nga liritë"

 

AFP: Artisti ka dhe duhet të ketë ndërgjegje të lartë shoqërore. Në kohën kur jetonit në Francë, si ndiheshit ndërsa kundronit nga larg zhvillimet në Shqipëri?

Kam jetuar në Francë për më shumë se 20 vjet, nga mosha 20 deri në 40-vjeçare dhe kjo përkon, pikërisht, me atë periudhë ku individi formohet e vendos themele në jetën profesionale. Franca, atdheu i Volterit, më mësoi se një intelektual i  izoluar nuk i shërben askujt, një intelektual i angazhuar i shërben njerëzimit. Ndaj i brumosur me këto parime, nuk mundesha të pranoja, edhe nga larg, që sistemi i vlerave në vendin tim rrënohej çdo ditë dhe vendi boshatisej nga intelektualët dhe njerëzit e mendimit. Më mundonte fakti që njerëzit e aftë, nuk ishin (dhe nuk janë) në drejtim të vendit, por hapësira e tyre për të kontribuar cenohej dita ditës, dhe ja ku jemi...

AFP: Ju jeni baba i dy djemve, sa i ka ndikuar edhe ata pasioni juaj për muzikën?

 

Djali im i madh, Antoine, është rritur i rrethuar me artistë. Në atë kohë, unë kisha fituar të drejtën e résidentiel permanent në Abbaye de la Pree (Francë). Ne ishim 12 artistë në rezidencë, të fushave të ndryshme. Në këtë abaciale, të shekullit të XII, ku as celulari nuk kishte valë, në mes të një pylli, ne punonim dhe krijonim duke bashkëpunuar e ndërmarrë edhe projekte të përbashkëta, nga ku dilnin vepra që kanë bërë xhiron e botës. Aty ishte djepi i bashkëpunimit dhe secili nisej me aktivitete në anën tjetër të botës, e kthehej me një vizion tjetër për të. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet artistike, ishin kaq shpeshta, sa krijuam dhe një festival ndërkombëtar që sot feston 20-vjetorin e tij. Por artistët rezidentë aty, ishin të fushave nga më të ndryshmet, kompozitorë, interpretues, piktorë, njerëz të letrave, kineastë etj., dhe për  tim bir, Antoine, secili nga ata ishte një burim më vete  frymëzimi. Secili e stimulonte në fushën e tij dhe ai bridhte, tërë ditën, sa në një atelie në tjetrën, pa e ditur që gjithë kjo do të ishte bagazhi me të cilin ai vet do fillonte e do zhvillonte personalitetin e tij më vonë. Sot ai është 18 vjeç dhe krahas studimeve jep koncerte rok dinjitozë dhe, përveç kitarës, ndan kohën edhe me filmin, ku është në produksionin e tij të dytë me metrazh të gjatë.

Por duket se dhe vëllai i tij i vogël Samuel-i 4-vjeçar, nuk do bëjë përjashtim nga tradita e familjes. Sapo ka filluar mësimet e para të violinës dhe ka trashëguar më të mirën e të gjithë familjes.

AFP: Lexoja mbi një këndvështrim tuajin kritik mbi situatën apo ombrellën institucionale për kulturën sot. Përtej angazhimeve tuaja si qytetar apo pjesë e politikës, çfarë shkon e çfarë jo, sipas jush?

 

Edhe kjo është një pyetje që do ta meritonte të zgjeroheshim, por mendoj që, në gjithë këto vite tranzicion, askush nuk ka mundur, guxuar apo ditur të vërë dorë realisht dhe me thelb, që ta ristrukturojë dhe përgatisë edhe ketë sektor kaq të rëndësishëm të jetës së një vendi, drejt familjes europiane ku aspirojmë të hyjmë. Ne kemi ende një organizim, qasje apo dhe mendësi sovjetike në institucionet e kulturës. Një centralizim të frikshëm, i cili mbyt krijimtarinë dhe lirinë e mendimit artistik e intelektual. Politika e ka përdorur kulturën si dhe dikur, por edhe në këto vite të pas 90-ës, si mjet propagande dhe kozmetike pa u shqetësuar fare për faktin që është, mbi të gjitha, identiteti ynë dhe po të ishte bërë kujdes, ndoshta sot do të kishte qenë pasaporta jonë më e mirë për të hyrë në Europë. Europa është, mbi të gjitha, kulturë dhe jo kufij...! Ne e kemi parë varfërisht vetëm nga kjo e dyta dhe, fatkeqësisht, vazhdojmë ta bëjmë...!

 

AFP: Ka mendime se askush nuk është më realist se një artist në politikëbërje, sensibiliteti nuk e lejon atë të shkelë mbi parime të përgjithshme me dobi shoqërore. Ndani të njëjtin mendim?

 

Jam plotësisht dakord dhe këtu bazohet edhe vetë fakti që jam angazhuar në politikë dhe mundohem të kontribuoj pikërisht aty ku mund të ndryshoj diçka, nëse jam vetëm, gjithçka nëse jemi shumë me të njëjtën mendësi.  Historia në të kaluarën, por dhe ajo bashkëkohore, është e mbushur me shembuj pozitivë në këtë kuptim, Franca të cilës, shpesh herë i referohem për shumë arsye, është rasti tipik ku njerëzit e artit e të kulturës janë pjesë e politikës, madje kanë peshë të madhe në vendimmarrje dhe fatet e vendit.

Po përmend André Molraux, politikan dhe ndër të tjera ministër i Kulturës që përcaktoi politikat dhe prioritetet e gjithë vendeve që e kanë model linjën dhe rolin kulturor të Francës, edhe për 100 vitet që do të vijnë. Falë kësaj përfshirjeje të artistëve dhe njerëzve të kulturës në politikë, ne, sot në Europë, flasim për industritë kulturore dhe gjithë mekanizmat që e kanë bërë këtë sektor, punëdhënësin e tretë më të fuqishëm në ekonominë e BE-së, e që, gjatë krizës së viteve 2008-2015, ishte një ndër të paktët sektorë që, jo vetëm e përballoi më mirë situatën, por shënoi një rritje me 2,8% (dhe këtu po flas vetëm për sektorin privat, pa llogaritur institucionet shtetërore dhe marrëdhënien e tyre buxhetore dhe financiare). Pra, pa u zgjatur më tej, për momentin, mendoj dhe besoj që implikimi direkt në politikëbërje i njerëzve të fushave përkatëse, është jo i nevojshëm, por i domosdoshëm, nëse duam vërtet që të ndërtojmë një shtet performues e të qëndrueshëm. Në të kundërt vazhdojmë të mbushim parlamentin e gjithë çfarë vjen më poshtë me kartona juridiku, por mos bëjmë të habiturin që ky vend po rrënohet. Mendoj që duhet të luftojmë, që të ngremë kultin e profesionistit të arrirë dhe jo kultin e individit, siç kemi bërë në mbi 100 vite.

AFP: Jeni pjesë, prej disa kohësh, e organizmave politikëbërëse të PD-së. Jeni në habitatin tuaj, mbuloni kulturën; a gjeni një ekuilibër mes të qenit violonçelist e një publiku të gjerë, por mbani një krah politik?

 

Angazhimi dhe bindjet politike që në rastin tim janë të djathta, nuk kushtëzojnë aspak ndjesitë që unë prodhoj në skenë dhe në komunikimin me publikun, sepse edhe të dua unë, ato janë dy nocione që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ka bindje të djathta dhe të majta, por unë nuk di të ketë ndjesi apo ndjenja të tilla. Artisti është një qenie tejet e ndërlikuar, e "formatuar" për të prodhuar ndjesi dhe mendim tejet të rafinuar, ndaj nuk njoh ndonjë artist ta ketë kthyer politikën në profesion, por vetëm në aksion; përkundrazi, në fusha të tjera, këtë raport e has në masë.

 

AFP: Nuk i keni ndalur koncertet dhe aktivitetet jashtë vendit për asnjë çast. Si keni arritur të jeni kaq jetëgjatë në prodhimtarinë si artist?

Kjo është vetëm çështje organizimi kohe. Nuk i përziej gjërat, aktivitetin tim artistik e zhvilloj në Francë, si gjithmonë, dhe në Shqipëri, pjesa që më lidh me artin, është vetëm mësimdhënia në Universitetin e Arteve, ndryshe do më bëheshin shumë "kasketa" dhe nuk do isha efikas në angazhimin tim. Plus që është dhe një pozicionim etik e moral. Duke ditur që sistemi i produksioneve këtu tek ne, siç e thash edhe më lart, varet vetëm nga mekanizma dhe fonde publike, nuk është e moralshme që gjatë ditës të merrem duke parë e kritikuar gjithë çfarë ndodh në keqqeverisjen aktuale dhe në darkë të përfitoj nga po i njëjti sistem. Kjo është dhe arsyeja që kam marrë vendimin që aktiviteti im artistik, të jetë i pakushtëzuar nga ai politik. Dhe kjo do të ndodhë edhe nesër, kur Partia Demokratike, pjesë e të cilës jam, do të jetë në krye të vendit.

 

AFP: Bashkëshortja juaj, psikologia e njohur Denata Toçe, sa vend zë në këtë mori aktivitetesh që zhvilloni pa ndaluar? E keni gjetur gjuhën e një ekuilibri intelektual apo është diçka që ka qenë qysh në nisje të dashurisë tuaj?

 

Denata është një person që nuk rresht së paturi projekte dhe objektiva personal, po aq të diversifikuara sa dhe unë, ndaj kuptohemi në këtë dinamikë në çift. Jemi mbështetje për njëri-tjetrin, por kemi ekzistuar edhe para se të njiheshim. Ndaj mbështesim njëri-tjetrin pa gjykuar vendimin, por kualitetin e tij, dhe kjo është reciproke. Nuk e jetojmë lidhjen për njëri-tjetrin, por me njëri-tjetrin.

AFP: A flitet sot për një kulturë mbarëkombëtare? A ka një bashkëveprim dhe bashkërendim të politikave në kulturë? Çfarë duhet bërë më shumë?

 

Siç dhe e preka pak këtë temë më lart, këto terma, për mua, janë më tepër parulla sesa gjëra me thelb. Nuk duhet të zhvillohet kultura e një kombi me kushtrime dhe slogane, as me urgjenca elektorale. Por, mbi të gjitha, dua të shoh njerëz të kulturuar që më flasim për të. Sigurisht që politika dhe shteti, kanë në dorë fatet e saj, por kjo nuk është absolutisht argument që ato të përzihen në zhvillimin e saj. Pikërisht, ky amalgamë duhet çrrënjosur. Në alternativën e Partisë Demokratike, ku unë bëj pjesë, platforma që tashmë është gati dhe është konsultuar me shumë personalitete me bindje nga më të ndryshmet, bazohet në këtë parim. Shteti mbështet e krijon gjithë mekanizmat ligjorë dhe administrativë, dhe këtu mbaron roli i tij, ndërsa njerëzit e mençur të këtij vendi, bëjnë pjesën tjetër të respektuar e të vlerësuar.

Ne kemi parashikuar një shndërrim rrënjësor të gjithë sistemit aktual, ku roli i shtetit do jetë mbështetës dhe monitorues dhe ku sistemi i industrive kulturore dhe krijuese, do të jetë baza e zhvillimit dhe kjo jo për një mandat, por për 50 vitet në vijim. Pa kozmetikë e pa kushtrime, por duke bërë rentabël produktet tona artistike dhe kulturore.

AFP: Ra në sy në opinionin publik, përpara disa kohësh, një aktivitet tepër emocionues në burgun famëkeq të Spaçit. Në dijeninë time, ishte një ide juaja. Më thoni diçka më shumë për këtë aktivitet.

 

Në fakt, ky aktivitet nuk është pjellë e imagjinatës time, ngacmimi ka qenë shumë real, aq sa e pata të vështirë ta ndërtoja si një dëshmi shpirtërore, e sadopak edhe artistike. Në këtë vend ku jetojmë, ku ende plagët e regjimit të fundit stalinist nuk janë mbyllur, ku ende memoria personale e kolektive vazhdon të manipulohet, ku një e treta e familjeve shqiptare janë të prekura direkt nga barbaria e diktaturës së proletariatit, nuk mund të lejojmë që simbolikat e komunizmit të na mbërthejnë sërish. Duke menduar këto detaje dhe të tjera si këto, u ndërgjegjësova që më të rrezikuarit nga kjo propagandë e mirorkestruar, ishin të rinjtë që realisht të lindur pas viteve 90-të, nuk e kanë njohur këtë periudhë të errët dhe ende nuk e trajtojnë as në librat e historisë. Por nga ana tjetër, po manipulohet me shalle pionieri dhe foto të diktatorit nën ditën me diell, gati gati sa çdokujt po i duket normale. Nuk mund ta pranoj që të manipulohet fëmija im, fëmija juaj...

Dhe këtu nisi, duke qenë i kujdesshëm që të mos prodhoja të kundërtën, pa dashur të bëj një aktivitet historik, por duke u bazuar në ato fakte historikë të pakontestueshëm, ftova një grup të rinjsh të kalonim disa orë simbolike në ish-burgun e Spaçit. Shumë pak kishin dëgjuar për të, pak u fola dhe unë. Qëllimi ishte të ndjesh për të kuptuar... dhe kështu u ndërtua qasja jonë me atë vend të nëmur. Përdorëm fjalën dhe tingullin. E para ka qenë i vetmi mjet komunikimi që të dënuarit kanë patur, në radhë të parë me veten. Ndaj, mjaft prej tyre kanë shkruar tekste, vargje...!

Këtë bëmë edhe ne. Rrotull një zjarri, të rinjtë, për pak çaste, u vendosën në lëkurën e dikujt të cilit po i lexonin vargjet, pikërisht ato vargje që askush prej tyre nuk kishte menduar se një ditë do lexoheshin me zë të lartë, dhe akoma më pak se do të shërbenin si një udhëtim shpirtëror nga të rinj të një kohe tjetër, për të ardhur pranë tyre e për të ndjerë atë që ata nuk mundën ta kuptojnë ende...

Unë vetë improvizova në violonçel si për tu afruar me tinguj, britmës së tyre të brendshme. Fjala u përzje me tingujt dhe me zhurmat e prushit që digjej. Në ditët në vijim del dhe filmi plotë i gjithë këtij udhëtimi, që e kemi quajtur "kujtesë"

 

AFP: Lidhur me këtë, mendoni se në fund të fundit ky duhet të jetë edhe misioni sublim i një artisti?

 

Artisti nuk duhet të ketë mision, artisti duhet të ketë mbi të gjitha vizion.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: