“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Arbër Mazniku: Ishallah nuk i mbetet hatri Ramës, që po fusim autobusë elektrikë...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Arbër Mazniku: Ishallah nuk i mbetet hatri Ramës, që po fusim autobusë elektrikë...!
Satirë

Në këtë të premte, po sjellim shokun Arbër Mazniku, nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, në bashkëbisedim me shokun Erion Veliaj, që dihet nga të gjithë se kush është dhe nuk ka nevojë për prezantim. Shoku Arbër po vinte nga Polonia, së bashku me autobusin elektrik, që shoku Erion do e paraqiste, apo siç i thonë në gazetari, ekspozonte përpara popullit televiziv.

Ja bashkëllafosja e bërë mes tyre, në rrugë celularonike:

Veliaj: Alo, Arbër! Si vajti ai muhabeti i autobusit elektrik? Po e sjell?

Mazniku: Po e sjellim Eriono, por po e karikojmë, se i mbaroi bateria.

Veliaj: Ku ka mbetur çështja? Për paratë mos u kurse!

Mazniku: Atë e di vetë. Në Varshavë kemi mbetur.

Veliaj: Në Varshavë? Akoma s'je nisur prej andej?

Mazniku: Në një lokal që mban emrin Varshavë. Këtu në Tiranë jam, por na ka zënë rrugën një karrocë me kuaj, që ka ngarkuar domate dhe sallatorë. Nuk do kali që të niset.

Veliaj: Qenka gomar...

Mazniku: Jo, jo nuk është gomar. Është kalë.

Veliaj: Është gomar fare nga trutë, do thosha. Po thuaj që të hapë rrugën, ndryshe do ta rras brenda. Kështu thuaj, zagarit!

Mazniku: Nuk është zagar. Është kalë pra. Pastaj, nuk kemi ku e mbajmë edhe nëse e rrasim brenda, Eriono. Nuk kemi bërë tender për bar.

Veliaj: Thashë për karrocierin, o Mazniko, jo për kalin. A të dërgoj forcat bashkiake?

Mazniku: Jo Eriono, se po ikin. Nuk më njohu karrocieri në fillim se kisha lënë mjekër, ndaj...

Veliaj: Nxito Arbro, se po presim këtu me Damianin dhe Klosin.

Mazniku: Le të presin se nuk u këputën në bythë. Se mos kanë gjë tjetër për të bërë.

Veliaj: Nuk dua të presin, se dua që të ikin shpejt të shikojnë në televizor, gallatën me Saimirin. Ta shikojnë si e pësojmë ata që nuk më duan mua.

Mazniku: Po nxitoj atëherë që ta shikojnë Eriono! Mos! Na mbeti autobusi rrugës. I mbaroi rryma elektrike. Si t'ia bëjmë?

Veliaj: Thuaji atij me karrocë ta sjellë, Arbër. Na duhet me patjetër, se po bëjnë xhirimet që t'i shpërndajmë nëpër tv.

Mazniku: Pa problem Eriono! Si vajti ai aktiviteti dje, se ti e di që isha këtu në Boleçova për autobuzat.

Veliaj: Arbër, kujdes me fjalët se mund të na përgjojnë ata të grupit të Saimirit. Do thonë pastaj që përdorim fjalë të pista. Mirë vajti, man! Bleva qindra televizorë atje te ai miku im dhe i çova te ajo qendra e rezervave.

Mazniku: Mirë bëre Eriono! Njerëzit edhe kur janë të përmbytur, duhet të na shikojnë. Për asnjë çast nuk duhet t'ju hiqemi nga sytë. Ndryshe e pësojmë si ai klubi i futbollit i Shefildit.

Veliaj: Si është ky muhabeti i këtij klubi, robo, se ti ke studiuar me internet në shkollë në Shefild...

Mazniku: Ky klubi i Shefildit u krijua 160 vjet më parë. Është klubi i futbollit më i vjetër në botë. Tani luan në kategorinë e tetë. Nuk kanë ditur të menaxhohen mirë, Eriono.

Veliaj: Po pra Arbro, s'kanë ditur të ecin përpara, megjithëse nuk kanë patur shumë konkurrencë.

Mazniku: Nuk kanë edhe shumë faj, mbase. Kanë bërë gabim që kanë lënë kamerat e televizioneve që t'i filmonin kur luanin.

Veliaj: Po pra, Mazniko kështu mendoj edhe unë. Duke lënë kamerat, teleshikuesi i ka parë që ata luanin për ibret, e nuk i ka përkrahur.

Mazniku: Ne Eriono s'duhet të lëmë asnjë kamera të na afrohet në aktivitetet tona, ndryshe na dallojnë dobësitë e punës tonë.

Veliaj: S'kemi përse i lëmë, Mazniko. Vazhdojmë që t'ua u filmojmë dhe ua japim.

Mazniku: Po tjetër ç'bleve për atë Qendrën e Rezervave të Bashkisë, Eriono?

Veliaj: Bleva ato fshesat me korrent dhe i çova.

Mazniku: Fshesa me korrent! Po fshesat pse, man?

Veliaj: Kështu donte ai pronari i rrjeteve të supermarketeve, Mazniko. I kishin mbetur stok. E kemi shok bre byrazer, e s'mund t'ia linim në magazina. Pastaj le t'i kenë të përmbyturit, të fshijnë dyshemenë.

Mazniku: Po si do fshijnë dyshemetë, kur ju është përmbytur shtëpia, man?!

Veliaj: Mazniko, dy ditë ike nga Tirana e nuk di ç'flet. Po pse edhe për t'ju fshirë shtëpinë, ne do mendojmë. Bleva edhe ca hekur...

Mazniku: Do ndërtojmë ndonjë pallat?

Veliaj: Hekura për të hekurosur rrobat të përmbyturit, robo. Ato do jenë bërë qull, nga përmbytja. Le t'i thajnë me hekur, se thahen më shpejt. S'mund t'ia linim në raftet e supermarketit atij mikut tonë, robo.

Mazniku: Mirë thua Eriono! Ore, se mos e kemi dhi muhabetin në kokë neve. Mos na mërziten miqtë e Ramës që merren me karburantet. Mos ju mbetet hatri heu bre që, po fusim autobusë elektrikë, e jo me karburant...?

Veliaj: Mos Mazniko! Nuk e kisha menduar këtë gjë. Ishallah jo, man, se më piu e zeza nga Edi! Fundja ne një autobus elektrik kemi sjellë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: