Ardian Trebicka: Muzika që del nga shpirti, respektohet!

Ardian Trebicka: Muzika që del nga shpirti, respektohet!
Prej mbi dy dekada, zëri i Ardian Trebickës ka qenë motiv i shumë dashurive. Baladat me aromë mesdheu, kanë ngrohur netët e Tiranës që dëshiron muzikën e mirë, kur del me ata që do, përballë një gote vere. Biseda me të ishte një rrëfim shumë spontan, i një artisti që vjen nga muzika live, pas një eksperience të gjatë në Greqi, e sot lufton çdo ditë, për të ruajtur nivelin e një muzike të mirë. Që nga fëmijëria, shkollimi në Laç, kalimi i kufirit dhe kthimi në vitin 1997, e deri tek albumi më i ri që pritet të dalë shpejt. Vjen ekskluzivisht për Albanian Free Press, këngëtari që bën muzikë elitare për një shije të sofistikuar, por duke i mbetur besnik rrënjëve të muzikës shqiptare.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Publiku shqiptar njeh këngët e tua, por pak kush njeh fillimet e tua, ke qenë mjaft i rezervuar. Do të na tregosh më shumë?

Fillimet e mia janë të hershme. Kam filluar të këndoj në klasë të parë dhe kam marrë pjesë në festivalet e fëmijëve. E kujtoj mjaft mirë këngën time të parë, “Tundu moj, bejke..”, një këngë popullore nga zona e Gjirokastrës, nga është edhe ime më. Çuditërisht e kam nisur me këngë popullore dhe sot nuk këndoj dot më, asnjë këngë popullore. Babanë tim e transferuan në Laç, pas nevojës për staf teknik në uzinat e asaj kohe. Im atë kishte lënë në mes studimet për inxhinieri, por ishte projektues shumë i mirë dhe i talentuar. Ndaj, shkollën 8- vjeçare e kam ndjekur në Laç, ku dhe kam marrë pjesë në festivalet që zhvilloheshin në Krujë. Në festivalin e Shkodrës, nuk kam shkuar asnjëherë.

Përse ka ndodhur kështu?

Sepse babanë e kishin përjashtuar nga partia dhe kur unë fitoja çmimin e parë në festivalin e Krujës, në Shkodër çonin fituesin e çmimit të dytë ose dublantin e këngës time. Më pas, unë konkurrova dhe fitova të drejtën të studioja në Liceun Artistik për kanto, më pas në Akademinë e Arteve. Por studimet në fakultet i ndërpreva në mes, sepse u nisa për emigrim në Greqi.

Në cilin vit jeni nisur drejt Greqisë?

Ka qenë viti 1991, në shkurt. Kur në Shqipëri rrëzohej busti i diktatorit, atë ditë kam kaluar kufirin dhe u nisa jashtë.

Kanë qenë kohë të vështira..., patët peripeci në nisje?

Jo, sepse shkuam me pasaporta të rregullta. Kam jetuar 7 vjet në Greqi dhe më pas u riktheva. Muajt e parë punova në ndërtim. Më mori në punë një kushëri i mamasë.

E paske kaluar rrugën e vështirë të emigrantit...

Po, po. Lëre çfarë thonë të tjerët, të gjithë e kanë kaluar punën në emigracion. Pas punës në ndërtim, punova në një furrë buke, shpërndaja bukën nëpër shtëpitë e grekëve në periferi të Prevezës. E, më pas, gjithë kohën që jetova në Greqi, vetëm kam kënduar; në Prevezë, Athinë, në Patra, nëpër ishuj. Kisha vitet plot me kontrata bashkëpunimi, madje kam bashkëpunuar me kompozitorë nga ata më me emër, të cilët kishin dhe piano-baret e tyre. Kujtoj se kam qenë dhe shumë pranë realizimit të një albumi personal në Greqi.

Por ti u ktheve në atdhe. Pse?

Sepse jam shumë allçak në karakter. Vendosa se do të kthehesha dhe nuk e diskutova fare. U ktheva në vitin 1997, kur të tjerët iknin jashtë Shqipërisë, nga trazirat e atij viti të mbrapshtë.

Si ishte ndeshja me realitetin shqiptar në rikthim?

Në vitin 1993, kam realizuar një koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit me tenorin e ndjerë Ruzhdi Karaj dhe tenorin Agim Duro. Ky koncert u filmua nga dikush dhe kjo kasetë i ra në duar Aleksandër Lalos. Kur u riktheva në Shqipëri, pas katër vitesh, të them të drejtën, e kisha shumë vështirë të ingranohesha. Këtu nuk kishte muzikë live, gjithçka ishte me superpozim, ishte në modë atëherë. Këtë gjë nuk arrija ta kuptoja, unë vija nga netët live të Greqisë. I trokita në derë Aleksandër Lalos dhe ka qenë i vetmi që ma hapi derën. Kemi mbetur shumë miq me njëri-tjetrin edhe sot. Për herë të parë kam dalë në skenë në spektaklin e telebingos që drejtohej nga Adi Krasta, më pas tek “Këngët e Liqenit” dhe në një aktivitet të vitit të ri që, në ato vite, u xhirua tek Piazza. Aty janë bërë filmimet e atij koncerti. Dua të shtoj këtu, një mendim mbi vlerësimin e artit në Shqipëri. Për ironi të fatit, Aleksandër Lalo, me 42 kompozime në muzikë filmash nga më të njohurit dhe shumë këngë, nuk ka asnjë titull, ndërkohë tituj kush nuk ka marrë.

Pra, këto ishin fillimet e tua si këngëtar profesionist në Shqipëri?

Po, rrodhën më pas albumet. Realizova në vitin 1999, albumin e parë “Tango”, album i cili u publikua në vitin 2000. Në vitin 2001, albumin  “Dhe deti na ka zili”, më 2003 albumin “Do bëhem cigan”, më 2005 albumin “Shkova ka dera jote” dhe në vitin 2011, albumin “Kthim”. Tani jam në përgatitje për t’u futur në studio, për albumin e gjashtë.

Shumë prodhimtari. Ke hasur vështirësi në përgatitjet e albumeve?

Jo, sepse bashkë me bashkëpunëtorët kemi ngritur një sistem në përgatitjen e albumeve, jemi po ai grup. Unë bashkëpunoj me kompozitorin, Ilirian Mihali, i cili është autori i të gjithë albumeve të mia, përveç albumit “Tango”, ku ai ka kompozimet, por orkestrimi është i Genti Rrushit. Tekstet janë poezi të vëllait tim, Armand Trebicka. Edhe stafi i muzikantëve është po ai. Pra, kam ngritur një sistem bashkë-producentësh. Atë që nuk e ka bërë tregu, e kemi bërë ne. Kam vënë re që sa më shumë krijon njeriu, aq më të vështirë e ka të krijojë përsëri, sepse rritet përgjegjësia. Nuk duhet të biesh poshtë nivelit të asaj që ke krijuar më parë. Duhet të vazhdosh të ngrihesh më lartë, madje, duket si një luftë me veten.

Të kanë luhatur rrymat e reja muzikore?

Nuk mund të dilja dot nga vetja, sepse mendoj se arti përfaqëson nivelin dhe kulturën e artistit.  Shkalla e nivelit nuk ka masë. E them me pak dhimbje, që këto rryma janë krijime momenti, një lloj mode, art i pamenduar, por jo se  nuk ka krijime të mirë. Duhet kohë e të shkojmë në distancë që të shikojmë që edhe në këtë kohë, ka krijime të mira, por në përgjithësi është nën nivelin që duhet të jetë.

Mendon se është episodike, nuk ka rrezik krijimi të një shijeje muzikore të caktuar?

Shpresoj që duke ardhur brezat, edhe arti do të sofistikohet. Brezi që po vjen, do të çmontojë atë që është instaluar gabim.

Prej shumë vitesh jep kontribut në jetën artistike të Tiranës, përmes “institucionit” piano-bar. E quaj institucion, sepse është një mënyrë elitare e muzikës. Ka pak të tilla në Tiranë, pse?

Shumë pak, ka shumë mjedise zhurme dhe pak arti. Në konceptin tim, edhe jeta e natës për një kategori të caktuar, është një natë kulturore. Personalisht, dhe kam shumë njerëz si puna ime, dalim në darkë dhe pimë një gotë verë e shijojmë muzikë të mirë, por edhe bisedojmë. Po të kthehemi pas në kohë, ishin ato lulishtet ku konsumohej darka ose një gotë verë dhe dëgjohej muzikë live, rumba, çaçaça, tango. Ka qenë një kohë shumë e bukur për muzikën. Kështu, madje, nisi edhe albumi im “Tango”, nga ato kujtime.

Po lidhja me muzikën cigane, si lindi?

Është histori interesante. Tek markata e vjetër këndonin romët dhe shpesh herë rrija i dëgjoja, duke kënduar bashkë me ta. Shikoja si luanin në instrumente, pranë zjarrit. Më pëlqente bota e tyre. Kam jetuar më shumë se një vit mes tyre, mësova ritet, zakonet, dasmat e tyre. Kam qenë në Fushë-Krujë, në komunitetin rom. Duhet ta prekësh realitetit. Sensin e tyre për jetën nuk e praktikon e as imiton dot askush, është për t’i pasur zili për lirinë shpirtërore.

Ky mendon se ka qenë sekreti yt, që ke qenë afër njerëzve?

Ndoshta, sepse këtë mënyrë kam përdorur edhe kur bëra albumin arbëresh. Në atë kohë, i drejtova dhe një letër Ministrisë së Kulturës, por nuk pashë interes. Më pas, më ndihmuan te Folklori Muzikor, më vunë në dispozicion të gjithë fondin e muzikës arbëreshe. Një mrekulli! Këngët kishtare, këngët për Skënderbeun etj. Një fond aq i madh, sa mund të bëhen orë e orë me emisione, ndërkohë që ne flemë gjumë. Nga ana tjetër e detit, është një botë e tërë me art të pashtershëm!

Nga frymëzohesh më shumë?

Nga jeta e përditshme, nga miqtë, ngjarjet e jetës. Piano-barin e quaj një vend të domosdoshëm, një skenë e vogël ku bën gjëra të mëdha. Shpesh, nisem edhe nga jeta ime personale. Po të jesh i vërtetë, kënga ngjit.

Ti i këndon më shumë dashurisë...

Po, këngë dashurie dhe balada. Është temë universale. Një mik më thoshte me humor, se unë edhe këngë partizane po të këndoja, do t’i këndoja si balada dashurie.

Jeta jote është vetëm muzikë?

Kam pasion ecjen dhe vrapin, natyrën në përgjithësi.

Të ka ardhur një moment në majë të hundës, deri sa të vendosje të largoheshe?

Po, më ka ardhur, edhe tani që po bisedojmë do të doja të largohesha. Jo se jam keq këtu, por sepse unë bashkë me disa të tjerë, e shikojmë veten si një lloj minoriteti në art dhe kjo është ajo që të bën të ndihesh keq. Por kur këndoj dhe kam afër publikun, ndërroj mendim, them se jam mirë këtu. Artisti është si puna e fëmijës, herë do një gjë, herë një gjë tjetër, nuk është i qëndrueshëm emocionalisht. Jo se në vende të tjera nuk ka tarafe; sigurisht që ka, por jo kaq hapur. Këtu nëse nuk je servil, nuk je pjesë e ekraneve. Dhe me mua kjo ndodh, prej vitesh. Me shumë humor u them miqve, se mua nuk më shfaqin shpesh në ekran, sepse më ruajnë, nuk duan të më konsumojnë imazhin. Ha ha ha ha ha. Kam orë e orë të tëra program në TV Klan e në televizione të tjera, por nuk më shfaqin shpesh në ekran. Për mua nuk ka shumë problem, publiku më merr me vete në udhëtime, më dëgjon në familje e në makina. Pa dashje, ata që më kanë luftuar, më kanë ndihmuar.

Sa këngë do të ketë albumi që pritet?

Unë do të doja rreth 12 këngë, por të shikojmë. Do të jem ende i prirur drejt baladave, duke gërmuar tek vetja për më mirë. Por gjithmonë mesdhetar në ritme.

Ke raport të vështirë me videoklipet?

Jo, por mendoj se videoklipi, nëse nuk është në parametrat e këngës, e dëmton më shumë sesa e ndihmon. Kënga më mirë të dëgjohet se të shikohet. Nëse një këngë reziston në kohë, pa videoklipin, do të thotë që ajo ka vlerë të lartë.

Si mendon se është sot, raporti me investimin në art nga institucionet?

Është që në fillim një problem. Në botë, nëse një biznes sponsorizon në art, i ulen tatimet. Kjo në Shqipëri, nuk ndodh dhe është tregues se sa pak rëndësi ka arti këtu. Personalisht ndjej një lloj diskriminimi, sa i takon këngës së lehtë shqiptare. Po të shikosh, ka shumë këngë të huaja në qarkullim. Do ta quaja që jemi një lloj protektorati i të tjerëve, në art. Në të gjitha spektaklet, këngët janë të huaja, baletet ilustrohen me muzikë të huaj. Gjithë kjo lloj politike, po të ndryshojë, gjërat do të lëvizin. Nuk jam pro viteve përpara ’90-ës, por krijimi ishte i përqendruar dhe nuk shkruhej për para, ishte ndjenjë. Muzika e ndjerë ka sukses. Një muzikë e suksesshme, domosdoshmërisht do të sjellë edhe pará. Çfarë del nga shpirti, respektohet, pra nuk ka muzikë të keqe, por niveli i muzikës është relativ. Çdo festival që bëhet, çdo këngë, çdo sipërmarrje që bëhet, këtu është një sukses. Më kujton ato kongreset e partisë, nga fitorja në fitore, sepse nuk ka kritikë muzikore. Ekrani nuk mund të jetë për të gjithë, as skena.

Je natyrë aventuriere, të pëlqen të udhëtosh?

Dikur kam dashur shumë detin. Sot jam i prirur të eksploroj natyrën edhe atë malore, edhe lumenjtë. Nëse më thonë miqtë eja nisemi, unë jam gati.

Je me rrënjë jugu, cili gatim të pëlqen më shumë?

Më pëlqen gatimi i mamasë, restoranti i mamasë e quaj, p.sh., çomleku i saj i shijshëm, ha ha ha ha.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: