“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Armand Duka kërcënon Ramën: Me jep 4 milionë euro, ndryshe...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Armand Duka kërcënon Ramën: Me jep 4 milionë euro, ndryshe...!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" ka mësuar se, Federata Shqiptare e Futbollit me shokun Mand Duka kurdoherë në krye, i ka kërkuar Kryeministrit Rama, një kompensim prej e pakta 4 milionë $. 

Burimet tona hetimore, të vendosura, apo siç i thonë në gazetari, të stacionuara brenda në FSHF, kanë mundur të mbërthejnë letrën që kreu i Federatës i ka dërguar kreut të Qeverisë.

Ja një pjesë e tërë e letrës:

I nderuar Edi Rama!

Në kuadër të luftës ndaj piraterisë, (jo piraterisë së bluzave të Kombëtares që shiten nëpër tregje), po ju bëjmë me dije si më poshtë vijon:

Para disa ditësh në Zelandë të Re, u zhvillua gjyqi midis këngëtarit Eminem dhe Partisë Nacionale të atij vendi. Gjyqi kishte të bënte me një çështje juridike tepër të veçantë.

Kjo parti, gjatë fushatës zgjedhore të zhvilluar në vendin e deleve, atyre kafshë, kishte përdorur një këngë të Eminemit, 186 herë. Pra i bie, sipas llogaritjeve tonë mbi 3 mijë dollarë për një herë. Tamam-tamam, i bie pak më shumë se 2 mijë dollarë, por s'prish punë se e frymë pak shifrën!

Në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti, ju si Rilindje vendosët që për himn zgjedhor, të përdornit këngën me të cilën Kombëtarja jonë e Futbollit mori pjesë në Euro 2016.

Po ju kujtojmë se ajo këngë i është paguar kompozitorit dhe këngëtarëve, nga paratë e Federatës. Ne nuk e kemi bërë ndonjëherë publike se sa para kemi paguar, se, disa gjëra e kemi traditë t'i mbajmë sekret. Si p.sh, dënimin e Skënderbeut nga UEFA, që e mbajtëm të fshehur për muaj me radhë.

Pa e zgjatur:

Kërkojmë që të kaloni në llogarinë e Federatës, 4 milionë euro, pasi atë këngën tonë ju e përdorët mbi dy mijë herë, madje edhe më tepër. Vetëm Taulant Balla mund ta ketë kënduar në Librazhd mbi 1 mijë herë.

Kemi të dhëna që edhe deputetët e PD e kënduan këtë këngë para disa muajsh kur votuan pro jush. Me këta të PD do merremi më pas.

Ju bëjmë me dije se llogaria e Federatës nuk është bllokuar nga Përmbarimi, ndaj nuk keni mundësi që të krijoni alibi që, nuk i kaluat paratë për arsye bllokim-llogarie.

Fundja edhe nëse llogaria do jetë e bllokuar, ne ju japim një numër llogarie tjetër, e ju të na e hidhni shpërblimin në atë numër. Kështu veprojnë shumë klube sportive.

Paratë, siç ju thamë, të na i jepni brenda muajit dhjetor, pasi në muajin mars kemi zgjedhje për kreun e Federatës dhe do të na duhen që t'ju japim ndonjë projekt sportiv, a ndonjë drekë, me mish dele, atyre "deleve" që votojnë.

Ju paralajmërojmë: Nëse nuk kaloni shumën që ju kërkojmë, çështjen do ta referojmë në UEFA dhe FIFA.

Me respekt profesional

Armand Duka

President i FSHF, që në kohën e Nanos

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: