BASTI I VËSHTIRË I ÇELJES SË NEGOCIATAVE- OPINION NGA PLATOR NESTURI

BASTI I VËSHTIRË I ÇELJES SË NEGOCIATAVE- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në mbledhjen e parë të qeverisë, kryeministri Rama shpalli prioritetet e 100 ditëve të para të mandatit të ri të shumicës socialiste. Ndër objektivat parësorë ishte dhe detyra që iu ngarkua Ministrisë së Europës dhe asaj të Jashtme që, gjatë kësaj periudhe, vendi ynë të marrë ftesën për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Një detyrë jo e thjeshtë, kur zërat për mbylljen e procesit të zgjerimit, janë shtuar në kontinent dhe qëndrimet e vendeve të ndryshme, duket se e kanë humbur unisonin e dikurshëm. Gjithsesi, na duhet të dëgjojmë dhe progres raportin e BE-së, se sa i ka përmbushur detyrat e saj Shqipëria, në rrugën e përafrimit ligjor e të proceseve demokratike, sipas parametrave të BE-së. Tani për tani, mbetemi në kufi me BE-në, dhe presim të ngrihet trau i doganës për të vijuar më tej. Por, a mbetet thjesht një formalitet ky? Shqipëria dhe shqiptarët, janë pjesë e pandashme e bashkësisë së vendeve dhe popujve të kontinentit tonë të vjetër europian. Përkatësia e gjithanshme europiane e shqiptarëve dhe modeli i suksesit të demokracive të vendeve të Europës Perëndimore, kanë frymëzuar aspiratën mbarëpopullore, që Shqipëria të mos jetë thjesht një pjesë e natyrshme e kuadrit gjeografik dhe historik, por të bëhet pjesë integrale e bashkësisë aktuale dhe e identitetit të ri europian. Bashkimi Europian, për Shqipërinë dhe shqiptarët, përkthehet në më shumë siguri, më shumë stabilitet ekonomik dhe, si rrjedhojë, më shumë prosperitet. Afro 95% e shqiptarëve, duan që Shqipëria të hyjë sa më parë dhe shpejt në Europë. Duhet të jemi ndër vendet më evrofile të kontinentit. Për këtë arsye, duke parë dëshirën shqiptare për Europën, klasa jonë politike ka abuzuar për 27 vjet me radhë, me hyrjen e Shqipërisë në BE. Natyrshëm lind pyetja: Kur do të hyjë Shqipëria në BE? Që prej themelimit të tij në vitin 1957 (me gjashtë të parët, Gjermaninë, Francën, Italinë, Belgjikën, Luksemburgun dhe Holandën), Bashkimi Europian ka kaluar përmes gjashtë zgjerimeve të vogla dhe të mëdha. I pari në vitin 1973 (me Danimarkën, Anglinë dhe Irlandën), i dyti në vitin 1981 me Greqinë, i treti në vitin 1986 (me Spanjën dhe Portugalinë), i katërti në vitin 1995 (me Austrinë, Suedinë dhe Finlandën). Zgjerimi i pestë i Bashkimit Europian, u krye në dy faza: e para në vitin 2004 me 10 vende, që shënon dhe zgjerimin më të madh të historisë së tij (me Çekinë, Sllovakinë, Slloveninë, Qipron, Hungarinë, Maltën, Poloninë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë) dhe e dyta, në vitin 2007, me Rumaninë dhe Bullgarinë. Zgjerimi i gjashtë dhe i fundit, ndodhi pikërisht kur Kroacia u bë vendi i njëzet e tetë i familjes së madhe europiane. Edhe pse e gjendur sot, në pikun e një krize ekonomike dhe politike, Bashkimi Europian ka një plan dhe vizion, jo gjithmonë të qartë për të ardhmen, për zgjerimin e tij. Ndaj, për të gjitha këto, duke patur parasysh proceset e deritanishme të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke patur parasysh se, tashmë, pesë shtete kanë marrë statusin e vendit kandidat, përpara nesh (Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Islanda dhe Turqia), vështirë të mendohet se Shqipëria mundet të hyjë në Bashkimin Europian, përpara vitit 2020.

Shqipëria ka interesa të mëdha ekonomike, të cilat lidhen ngushtë dhe direkt me Bashkimin Europian. Për vitin 2013, Shqipëria ka marrë prej tij një ndihmë prej 95 milionë eurosh, që shërben për forcimin e kapaciteteve të policisë shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të qenieve njerëzore, kontrollin e kufijve të vendit. Nga ana tjetër, kjo ndihmë është dhënë për instalimin e një pushteti gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efikas. Një pjesë e ndihmës shkon për administratën publike. Bashkimi Europian synon ta kthejë administratën shqiptare në një administratë më profesionale, të depolitizuar dhe pa korrupsion, të bazuar në një funksionim transparent, me emërime në bazë të meritës. Pjesa e mbetur e këtyre 95 milionë eurove, shkojnë për transportin, mjedisin, zhvillimin social dhe bujqësinë. Me marrjen e statusit të vendit kandidat, kjo ndihmë u trefishua. Këto janë përfitime neto, të cilat Shqipëria nuk e ka luksin të mos i ketë. Që prej fillimit të viteve 2000, Shqipëria ka përfituar nga masat ekonomike tregtare autonome të Bashkimit Europian. Shkëmbimet dhe tregtia mes Shqipërisë dhe BE-së, është zgjeruar me preferencat shtesë, falë hyrjes në fuqi më 1 dhjetor 2006, të akordit të përkohshëm. Me hyrjen në fuqi të MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit), më 1 prill 2009, kemi një bum në zhvillimin e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe BE-së. Bashkimi Europian është dhe mbetet absolutisht, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Në vitet 2009-2010, shkëmbimet me BE-në kapin shifrën 80% të shkëmbimeve totale të Shqipërisë. Po në vitet 2009-2010, eksportimet e Shqipërisë drejt BE-së, llogariteshin në 700 milionë euro, ndërkohë që importimet nga BE-ja kapnin shifrën e 2,2 miliardë eurove. Prodhimet tekstile dhe të veshmbathjeve, përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve të Shqipërisë drejt BE-së. Bashkimi Europian mbetet, dhe kështu do të jetë gjithmonë, partneri kryesor strategjik ekonomiko-tregtar i Shqipërisë. E thënë në këtë mënyrë, BE-ja mbetet destinacioni i vetëm i një të ardhmeje më të mirë, ndaj projektet për krijimin e një bashkësie rajonale, të një tregu të përbashkët, thjesht do të sjellin  konfuzion dhe humbje kohe, për një ekonomi si e jona, e cila prej vitesh është e orientuar drejt tregjeve të BE-së dhe jo në tregjet e brendshëm rajonalë. Çelja e negociatave për anëtarësim,  mbetet kështu një bast i vështirë, por gjithsesi është dhe alternativa e vetme për të ndjekur. E në këtë rrugë, le të bëjmë detyrat tona për shtetin ligjor, demokraci funksionale dhe duke luftuar krimin e organizuar e korrupsionin galopant.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: